Ish-kreu i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit Aleksandër Vulin, i shpallur tashmë non-grata nga SHBA, ka pranuar se Rusia e ndihmoi Serbinë të ruajë rendin kushtetues gjatë trazirave të shkaktuara nga opozita në Beograd.
“Rusia është një partner, një aleat që respekton vullnetin e popullit serb. Rusia ishte me Serbinë edhe këtë herë dhe rendi ynë kushtetues u ruajt”, tha Vulin për RIA Novosti.
Ai shtoi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është i vetmi lider në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë teksa theksoi se ka qenë vendimi i tij që nga dita e parë e histerisë anti-ruse, duke treguar në një far mënyre se Vuçiç ka sfiduar hapur Perëndimin.
Vulin tashmë i shpallur non-grata nga SHBA-ja, tha se sanksionimi nga Perëndimi ja vlejti për aq kohë sa Rusia nuk lejoi rrëzimin e Vuçiçit nga pushteti.
“Kam paguar një çmim për këtë, por nëse e ndihmon Serbinë të ruajë aleatin e saj shekullor, paqen dhe stabilitetin, t’i rezistojë përpjekjeve për të rrëzuar qeverinë dhe presidentin, atëherë ia ka vlejtur”, tha ish-kreu i BIA-s.
Gjatë bisedës ai ka theksuar se pas protestave të dhunshme në Beograd qëndron Perëndimi. Sipas tij, Perëndimi fillimisht u përpoq të mblidhte lëvizjet e djathta për t’i shtyrë të merrnin pjesë në protesta, por nuk u bë e mundur.
“Perëndimi kërkon që Beogradi të njohë pavarësinë e Kosovës, të ndalojë mbështetjen e Republikës Srpska dhe të vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse – të mos jetë një vend dhe komb sovran“, tha ai.
Siç theksoi Vulin në një bisedë me agjencinë ruse, largimi i tij nga posti i kreut të shërbimit special ishte pjesë e planit për të rrëzuar Vuçiçin.
“Nuk është më presion, sepse Perëndimit e ka të qartë se përderisa Vuçiç të jetë në krye të Serbisë, nuk do të ketë njohje të Kosovës dhe vendosje sanksionesh kundër Rusisë. Ky është një sulm për përmbysjen e Vuçiçit. Presioni për të më hequr nga posti i kreut të BIA-s shërbeu për të sjellë ‘revolucionin me ngjyra’ dhe ishte hapi i parë drejt qëllimit përfundimtar. Dorëheqja ime na dha kohë për të reduktuar sulmet gjatë fushatës zgjedhore, por ne e dinim që menjëherë pas disfatës, partia pro NATO-s do të niste një mekanizëm për të rrëzuar Vuçiçin”, tha Vulin, raporton Danas.