MENU
klinika

Vërehen mungesa në treg

A ka produkte bio Shqipëria?

25.01.2024 - 13:20

Vitet e fundit konsumatorët shqiptare janë orientuar drejt produkteve ushqimore më cilësore apo të certifikuara, pavarësisht kostos më të lartë që kanë, po mesa duket oferta në treg është shumë e dobët.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, vetëm 1 % e sipërfaqes bujqësore në Shqipëri është me prodhim organik, apo e thënë ndryshe 1 mijë hektarë tokë në total, ndërkohë që potencialet dhe kërkesa konsumatore vendase dhe ajo e huaj janë shumë më të larta.

Dhe nga kjo sipërfaqe e kultivuar, pjesa më e madhe e produkteve shkon për eskport, ndërsa një sasi e pa konsiderueshme mbetet në treg për konsumatorët shqiptarë.

Nga ana tjetër, si vend kandidat për tu integruar në Bashkimin Europian, Shqipëria ka si objektiv rritjen e sipërfaqeve me prodhim organik.

Duke qenë se bujqësia organike është pjesë e Strategjisë së BE-së “Nga ferma në tavolinë” dhe konsiderohet si një sistem i rëndësishëm e i qëndrueshëm bujqësor, me një objektiv që të paktën 25% e tokës bujqësore të BE-së të jetë nën bujqësi organike deri në vitin 2030, politikat qeveritare po i japin një vëmendje të shtuar këtij sektori.

Përpos hapësirës që po jepet me mbështetje financiarë në skemat kombëtare dhe programin IPARD, së fundmi Ministria e Bujqësisë ka hedhur për konsultim projektligjin e ri “Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre”, i cili synon përafrimin me legjislacionin e BE në këtë drejtim dhe adreson përmirësimin e disa problematika të hasura gjatë zbatimit të ligjit ekzistues.

Konkretisht lista e substancave dhe plehrave që do të përdoren për prodhimin organik është harmonizuar tërësisht me atë të BE; do të krijohet dhe mirëmbahet databaza e bujqësisë organike për të gjithë operatorët nën sistemin e certifikimit organik, duke përfshirë edhe importuesit dhe eksportuesit) duke mundësuar informacion të më të gjerë për operatorët organik; Përcaktohet sistemi i kontrollit për prodhimin organik; si dhe janë vendosur për herë të parë shkeljet administrative (gjoba) me qëllim mbrojtjen e përdorimit fiktiv/mashtrues të termave që i referohen metodës së prodhimit organik, në etiketim, reklamë.