Komentet e tij erdhën pasi u fol se ai ka marrë pjesë në festën e Republikës Serbe, entiteti serb i Bosnjë dhe Hercegovinës, më 9 janar duke shënuar kështu “ditën kombëtare”, një festë kjo e shpallur antikushtetuese.
“Kurrë nuk e kam festuar e as që do ta festoja 9 janarin. Për mua dhe Malin e Zi ekziston vetëm Dita e Shtetësisë së BeH-së”, deklaroi Abazoviqi në një intervistë me gazetarin boshnjak, Senad Haxhifejzoviq, transmeton Klankosova.tv.
Madje, ish-kryeministri i Malit të Zi u shpreh se po të ishte në Srebrenicë më 1995, ai do të vritej.
“Po të isha në Srebrenicë më 1995, sigurisht se do të vritesha”, potencoi ai.
Ndër të tjera, ai u pyet nëse është ende pro Ballkanit të Hapur apo për atë që disa e konsiderojnë si “bota serbe”.
“Nuk jam për ‘botën serbe’, por për botën evropiane! Do të doja që të mbizotëronte edhe në Bosnje dhe Hercegovinë! Senad, ti dhe unë nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por ne mund të ndryshojmë të ardhmen”, i tha Abazoviqi gazetarit.
Haxhifejzoviq më pas e pyeti nëse i vjen keq për deklaratën e bërë më parë se gjenocidi në Srebrenicë “është kryer kundër njerëzve, jo boshnjakëve, dhe se atë e kanë kryer politikanët, jo ushtria”.
“Doja të jepja një mesazh universal! Por le të dihet: në Srebrenicë u krye gjenocid!”, u shpreh Abazoviqi.
“Disa njerëz që gjoja janë patriotë të mëdhenj po i bëjnë të gjitha këto për të mbrojtur bizneset e tyre personale! Unë personalisht mendoj: kur njerëzit mësojnë për kartelin e quajtur ‘Karteli i Ballkanit’, pak nga pak do të bëhet më e qartë për njerëzit se çfarë regjimi kanë. Unë jam i sigurt se kur të hapet aplikacioni Sky në Bosnje dhe Hercegovinë, njerëzit do të kuptojnë se gjithçka po bëhet për të ruajtur status quo-në! Interesi më i madh kombëtar i BeH dhe Malit të Zi është të çlirohen nga krimi”, thotë Dritan Abazoviq, deputet në Parlamentin e Malit të Zi. /Klankosova.tv