MENU
klinika

Nga Fatos Çoçoli

Analizë: Energjia 2024

21.01.2024 - 14:05

Gjatë vitit 2023, Korporata Energjitike Shqiptare (KESH) diti të drejtojë mirë kaskadën e Drinit, duke mbajtur në prodhim me kapacitet të plotë tre hidrocentralet shtetërore të Vaut të Dejës, Fierzës dhe Komanit, të cilat japin mbi 60 përqind të prodhimit të energjisë elektrike në vend.

Energjia dhe prodhimi kombëtar

Prodhimi kombëtar 2023(GDP) 22.3 miliardë euro
Prodhimi energjitik 2023 3.4 miliardë euro ose 15.7%
Nga prodhimi i mirë në kaskadë, deri në muajin nëntor 2023, KESH kishte arketuar rreth 41.5 milionë euro eksporte. Duke i shtuar të ardhurat e siguruara me 2 procedurat e fundit të eksportit në dhjetor 2023, kompania shtetërore eksportoi në total 46 milionë euro.

Prodhimi energjitik 2023

Prodhim HEC nga Shteti 2.387 miliardë euro ose 61.6%
HEC-et private 0.929 miliardë euro ose 38%
Panelet diellore 0,042 mln euro
Në vitin 2023, mbi 78% e nevojave për energji u plotësuan nga prodhimi vendas

Hidrocentrali i Fierzës
Importet u ulën dhjetë herë!
Tregues të tillë e kanë vendosur në pozita të favorshme KESH, pasi edhe shpenzimet për blerjen e energjisë nga importi, gjatë vitit 2023 rezultuan vetëm 49 milione euro. Kjo përfaqëson një vlerë mbi dhjetëfish më të ulët se ajo e vitit 2022, ku importet e energjisë elektrike kulmuan në 504 milionë euro. Në Shqipëri, kërkesa për energji elektrike në të 12 muajt e vitit 2023 ra pak, për shkak të prodhimit të shtuar të paneleve diellore, të vendosura në shumë sipërmarrje private dhe në tarraca ndërtesash shtetërore.

Gjatë vitit të kaluar nisi funksionimin Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike, ndërkohë që qeveria punoi në drejtim të efiçiencës së energjisë, duke ndihmuar rreth dy mijë familje shqiptare të ulin ndjeshëm faturën e konsumit familjar të energjisë, përmes ngrohësve të ujit me energji diellore. Qytetarët i blenë ngrohësit me 70 përqind subvencion nga shtetit ynë dhe 30 përqind nga portofoli i tyre. Së bashku me Norvegjinë, Shqipëria renditet ndër vendet më të gjelbërta në Evropë, përsa i përket prodhimit të energjisë, me mbi 98 përqind të prodhimit përmes hidrocentraleve shtetërore dhe private, ndërsa pjesa tjetër nga burime të tjera ekologjike, si energjia diellore dhe ajo e erës.

Energjia shton prodhimin
Sektori elektroenergjetik në vend e shtoi prodhimin e energjisë elektrike, në raport me një vit më parë. Sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë(ERE), në 10 muajt janar-tetor 2023, Shqipëria arriti të prodhonte 7.1 milionë Megavat-orë(MWh) ose Terravat-orë energji, në krahasim me 7 milionë MWH të prodhuar gjatë gjithë vitit 2022. Prodhimi i energjisë nga centralet fotovoltaike njohu po ashtu rritje, ndonëse sasia e gjeneruar vijon të mbetet e ulët, në raport me energjinë nga uji. Impiantet me energji diellore prodhuan rreth 56 mijë MWh, ose rreth 4 mijë MWh më shumë, në krahasim me vitin 2022. Vendi ynë ndodhet në fazën e parë të ankandit hibrid prej 300 MWh. Sot e gjitha bota flet për energji të rinovueshme hibride, pra energji nga uji apo era, e kombinuar me energji nga dielli.

KESH investon në panele diellore
Pas projektit të paneleve lundruese në liqenin e hidrocentralit të Vaut të Dejës, prej 12.9 megavatorë, ku morën dhuratë 5 milionë euro, Fondi i Infrastruktures i Ballkanit Perëndimor, krahu financues i Procesit të Berlinit miratoi edhe një mbështetje të dytë, me vlerë 10 milionë euro, për të vendosur impiante panelesh diellore në zonën e Belshit për 50 megavatorë (MWh) prodhim. Ky prodhim energjie i shkon totalisht dhe i shtohet stokut të prodhimit të KESH.

Nga ana tjetër, vetë KESH, me fondet e tij, të fituara nga shitjet e energjisë në tregun jashtë, ka investuar 5 megavat panele diellore mbi digën e Qyrsaqit në hidrocentralin e Vaut të Dejës.

Panele diellore të shtruara mbi digen e Qyrsaqit, hidrocentrali i Vaut te Dejës
Ky investim është në prodhim prej muajsh, ndërsa KESH po vazhdon me një investim prej 8 megavatorë në digën e Zadejës, po në hidrocentralin e Vaut të Dejës. Populli thotë “sheh rrushi-rrushin dhe piqet” dhe urojmë që KESH të vazhdojë vendosjen e paneleve diellore mbi sipërfaqet e digave të tjera të hidrocentraleve të Kaskadës së Drinit, si formë parqesh energjitike të integruara.

Sfida e parqeve diellore dhe të erës
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka krijuar një staf të mirëtrajnuar, që ka grumbulluar eksperiencë në 5 vitet e fundit, përmes ankandeve ndërkombëtare. Edhe pse parku fotovoltaik i Karavastasë ende nuk ka filluar nga prodhimi në shkallë të gjerë, në gjysmën e parë të këtij janari ai testoi me sukses impiantin fotovoltaik të instaluar tashmë, i cili do të sigurojë me një çmim tejet të favorshëm, një të gjashtën e çmimit ndërkombëtar të sotëm të një megavati, prodhim të vazhdueshëm për KESH dhe sistemin tonë energjitik prej 112 megavat-orë.

Sfidat e sistemit tonë energjitik
Bashkimi i tregjeve të energjisë me Kosovën. Shkëmbim prodhimi nga TEC-et në Kosovë për energji eletrike bazë dhe prodhimi nga HEC-et në Shqipëri për të mbuluar kërkesën në kohën e pikut
Rezervat hidrike të KESH të shkojnë për energjinë e balancimit dhe/ose energjinë në pik
Nxitje e fuqishme e energjisë diellore dhe nga era
Luftë pa kompromis ndaj korrupsionit dhe shpërdorimeve
Gazifikimi i TEC-it të Vlorës
Shqipëria si rast i suksesshëm

Shumë investues të huaj po marrin kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe në mjediset e investuesve të huaj të energjisë në Evropë dhe përtej saj, tashmë po përmendet rasti i suksesshëm i Shqipërisë, me projektet e impianteve të energjisë diellore dhe të erës, me mbështetjen e fondeve të bankave ndërkombëtare të zhvillimit. Jemi në një vit të mbarë prodhimi dhe investimi në energjinë e gjelbër tek ne.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Ka shumë pak nevojë për përpunim"

Eksperti i ekonomisë: Nafta e Shpiragut e pastër

Ceko: Izraeli s’prodhon drithëra...! T’i ofrojmë marrëveshje!

Çoçoli: Lufta mund të na japë oportunitete!