DRTK Shkodër në një nga publikimet e saj online, paraqet punën e artizanit Muhamet Trepçi, një nga mjeshtrat e përpunimit të drurit të ullirit, i cili beson se pema mund të fotografojë.
Aftësitë e Trepçit janë unike dhe pasioni për punën e tij shfaqet në çdo krijim të tijin. Me një aftësi të rrallë për të ndjekur detajet, i udhëhequr nga emocionet që i fal nëna natyrë, ai shfrytëzon të gjithë karakteristikat e drurit të ullirit, për ta kthyer atë në vepër arti.
Lidhja e Muhamet Trepçit me përpunimin e drurit, nis me krijimin e artikujve të ndryshëm artizanal e shkon deri tek ekspozimi i drurit si vepër arti. Që në vitin 1998, ai nisi të përpunojë drurin e ullirit, të ndarë në katër sektorë: sektori i kuzhinës, i bizhuterive, fetar dhe suveniret. Artizani shpesh përdor teknikat e drurit të prerë me dorë, gdhendjen artistike dhe aplikimin e pikturave me ngjyra natyrale të përftuara nga bima e ullirit duke shfaqur teksturat dhe ngjyrat e natyrshme të kësaj bime të mrekullueshme.
Frymëzuar nga Umberto Eco, i cili flet për mundësinë e gjetjeve në natyrë të objekteve me një harmoni e formë të tillë, që na krijojnë emocione, Trepçi krijon vepra artistike, duke shijuar bukurinë e këndshme të pemës së ullirit, të krijuar nga gjenialiteti i natyrës.
Në drurin e ullirit ai arrin të shquajë linja të veçanta, kontraste të ngjyrave nga e verdha e lehtë në kafen e errët, ku të bën përshtypje harmonia e linjave dhe kombinimi i vazhdimësisë së tyre. E ndërsa, ai bën gjetjet e imazheve në dru ulliri dhe interpretimet artistike, e gjithë pamja është natyrale dhe vetëm gjetja është njerëzore.
Me bukurinë e ngrohtësinë e drurit, Trepçi sot menaxhon linjën e tij të prodhimit në dru “Eco Art EDA”, në Shkodër, ndërsa ai mbetet ngushtësisht i lidhur me pemën e ullirit, si një pemë e pasur me simbole të botës fetare, klasike dhe moderne. Vepra e Muhamet Trepçit është ekspozuar në Vittoriano, ku falë profesionalizmit dhe gjenialitetit të natyrës, ai guxoi të prezantonte për herë të parë në publik, pamje që i konsideron si vepra të artit bashkëkohor.