Avokati i Popullit ka reaguar për vdekjen e 41-vjeçares, Bedrie Loka në Durrës 4 ditë më parë si pasojë e konsumimit të fotoksinës, për Avokatin e Popullit është një shenjë për të ngritur alarmin për nevojën e një ndërhyrjeje të menjëhershme.
Në reagimin në rrjetet sociale, Avokati i Popullit thotë se duhet ndërtuar një shoqëri që refuzon bulizmin, duke theksuar se një gjë e tillë nuk duhet të lejohet.
“Ngjarja e rëndë e vetëvrasjes së një gruaje në Shqipëri, si pasojë e fyerjes dhe denigrimit personal në një platformë sociale, ishte thellësisht tronditëse dhe duhet të shërbejë si një alarm i fortë për nevojën e një ndërhyrjeje të menjëhershme.
Pranimi i një realiteti ku të gjithë kemi ndjeshmëri dhe vulnerabilitet është thelbi i një komuniteti të shëndetshëm, e kundërta është bullizëm!
Refuzimi i bullizmit dhe i të gjitha formave të tij duhet të jetë në thelbin e vlerave tona dhe reagimi shoqëror ndaj kësaj tragjedie duhet të jetë më shumë se një reagim sipërfaqësor; duhet të jetë një angazhim i përhershëm për të krijuar një mjedis dashamirës.
Në një kohë kur teknologjia është pjesë e pandarë e jetës tonë, duhet të mbajmë në vëmendje thelbin e humanizmit dhe respektit reciprok. Fyerjet dhe bullizmi nuk mund të tolerohen!
“Mirëkuptimi shoqëror” duhet të jetë më shumë se një frazë; duhet të jetë një parim që përcakton sjelljet tona në përditshmëri.
Avokati i Popullit bën një thirrje të dedikur për të gjithë komunitetin e platformave të mediave sociale, për të ndërtuar një mjedis mbrojtës dhe të shfaqi kujdes për mirëqenien emocionale të të gjithë qytetarëve”, thuhet në njoftim.