Avokati Çedomir Stojkoviç është lënë i lirë pas katër orë ndalimi nga Agjencia e Inteligjencës së Sigurisë së Serbisë (BIA).
Në një postim në rrjetin social ‘X’, Stojkoviç shkruan se lirimi i tij nuk është si rezultat i vullnetit të autoriteteve serbe, por sepse e dinin se nëse do të arrestohej, presioni nga ndërkombëtarët do të ishte i madh.
“Pasi u ndalova për katër orë nga anëtarët e Agjencisë së Sigurisë Informative të Serbisë, më liruan për lëvizje të lirë. Tani Aleksandër Vuçiç duhet të shpjegojë pse jam liruar unë, ndërsa për të njëjtën çështje u ndalua Nikolla Sanduloviç.
Lirimi im nuk është rezultat i vullnetit të autoriteteve. Unë u lirova sepse autoritetet ishin në dijeni se nëse do të më arrestonin edhe mua, presioni nga ndërkombëtarët do të ishte shumë i madh”, shkruan ai.
Avokati Stojkoviç shkruan se në shtetin e Aleksandër Vuçiçit ligjet zbatohen në mënyrë arbitrare.
“Unë bëra një gjë edhe më ‘keq’ se Nikolla, mbajta një fjalim edhe te varri ku ai vendosi lule”, shkruan ndër të tjera avokati.
Megjithatë, Stojkoviç nuk përjashton mundësinë që mund të arrestohet pasi arrin në Beograd.