MENU
klinika

Zbardhen debatet në grupin e PD

Bardhi: Nuk e negociojmë bashkëkryetarin e “zgjedhores”, ja lëshimi për Bashën

24.01.2024 - 19:13

Reforma Zgjedhore do jetë kryefjalë e aksionit opozitar, për sa kohë grupit kuvendor demokrat nuk merr atë që kërkon; uljen në karrigen e Reformës Zgjedhore te Oerd Bylykbashit si bashkëkryetar.

Gazetarja e Top Channel, Elda Menga, ka mësuar se grupi parlamentar i drejtuar nga Gazment Bardhi nuk negocion bashkëkryetarin, por në mbledhjen me dyer të mbyllura është propozuar që t’i bëhet një lëshim Lulzim Bashës, mundësia që të ketë një anëtar në Komisionin e Posaçëm. Propozimi i Gazment Bardhit mori mbështetjen edhe të deputetit Ferdinand Xhaferraj, që pala tjetër të ketë të drejtën e një anëtari, nëse ai tërheq Enkelejd Alibeajn nga drejtimi.

Mendoj se ne nuk duhet ta negociojmë bashkëkryetarin e reformës, por do duhet që grupimit tjetër t’i jepet mundësia e një anëtari. Duhet të lëshojmë në këtë pikë”, ka propozuar kreu i grupit parlamentar, raporton Top Channel.

Ideja e Bardhit u mbështet edhe nga deputeti Xhaferraj. “S’kemi pse te jemi ekstremist. Ti themi që të takon një anëtar në Komision, sill kë të duash”, mësohet te ketë thënë Xhaferraj.

Aleatët e demokratëve këmbëngulin që opozita të ketë një qëndrim të unifikuar për reformën. “Duhet t’i qëndrojmë atyre që kemi thënë, nuk mund të shkojmë pas mendimit të një personi. Duhet unifikim”, u shpreh Agron Duka, kreu i PAA.

Kreu i grupit demokrat informoi deputetët që një grup pune është ngritur tashmë për të hartuar propozimet për reformën zgjedhore.

Debati për reformën zgjedhore:

Gazment Bardhi: Do duhet të dalim me një vendim për sjelljen që ne do duhet të kemi në seancën e nesërme dhe tek Komisioni i Reformës Zgjedhore të premten. Unë bashkë me disa deputet mungoj për shkak të përjashtimeve. Për reformën zgjedhore jemi mbledhur në një qëndrim 47 deputet nga 55 që ka opozita në total. Mendoj se ne nuk duhet t’a negociojmë bashkëkryetarin e reformës, por do duhet që grupimit tjetër t’i jepet mundësia e një anëtari. Duhet të lëshojmë në këtë pikë.

Ferdinand Xhaferraj: Ne jemi 47 deputetë që jemi mbledhur rreth një qëndrimi për reformën zgjedhore. Unë mendoj që t’i drejtohemi edhe grupimit të Bashës. S’kemi pse të jemi ekstremistë. Ti themi që të takon një anëtar në komision, sill kë të duash.

Agron Duka: Duhet të unifikohemi në një qëndrim për reformën zgjedhore. Jo të flasim secili për hallin e vet. Duhet t’i qëndrojmë atyre që kemi thënë, nuk mund të shkojmë pas mendimit të një personi. Duhet unifikim.

Gazment Bardhi: Do dalim me një platforme. Është grupi jonë që na përfaqëson për reformën zgjedhore që po punon.