MENU
klinika

Analiza nga REL

BE, nuk është gati për të hequr dorë plotësisht prej gazit rus

03.01.2024 - 19:53

Në vjeshtën e vitit 2022, Kremlini pati parashikuar një dimër të zymtë për banorët e Bashkimit Evropian.

Pas ndaljes së gazit natyror për Evropën – si hakmarrje për sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë, për luftën e nisur prej Moskës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022 – Kremlini dhe mediat ruse pro tij, kanë parashikuar me kënaqësi që Evropa, pa gazin rus, do të bëhet djerrinë me qytete të akullta. Evropianët do të ishin me fat nëse nuk do të vdisnin prej të ftohtit në shtretërit e tyre.

Ndonëse çmimet e energjisë janë rritur, BE-ja nuk është ngrirë, dhe ka pasur fat që është përballur me një dimër të butë.

Për t’u përballur me mungesën e gazit rus, përgjatë muajve të ftohtë, dhe gjithë vitit 2023, BE-ja ka mbledhur rezerva, e ka rritur importin e gazit të lëngshëm natyror, kryesisht prej Shteteve të Bashkuara, i ka inkurajuar konsumatorët që të mos konsumojnë shumë energji dhe të përmirësojnë efiçencën, si dhe është mbështetur më shumë në burimet e ripërtrishme, sikurse era dhe energjia diellore.

“Bashkimi Evropian ka bërë përparim të madh prej shkurtit të vitit 2022 për ta zvogëluar varësinë prej importeve ruse të gazit”, ka thënë Akos Losz, hulumtues i lartë në Qendrën për Politika Globale të Energjisë, e Universitetit Columbia, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Kjo, sipas ekspertëve, është gjë e mirë për sigurinë afatgjate të BE-së, ndonëse braktisja e plotë e energjisë ruse do të jetë mision shumë i vështirë, për shkak të ndasive në BE, ku shtetet, jo vetëm që kanë nevoja të ndryshme për energji, por edhe marrëdhënie të ndryshme me Kremlinin.

“Rrjedhjet aktuale janë më të vështira për t’u ndalur për shkak të kombinimit të gjeografisë, përkushtimeve kontraktuale dhe – në disa raste – interesave politike”, ka thënë Losz.

Në kohën kur Moska e ka nisur luftën e vitit 2022 në Ukrainë, BE-ja është varur kryesisht prej Rusisë për furnizime me gaz.

Në total, 40 për qind e gazit të siguruar prej BE-së ka qenë prej Rusisë. Brenda BE-së, Hungaria ka siguruar mbi 95 për qind të gazit prej Rusisë, për dallim prej Spanjës, e cila ka siguruar reeth 10 për qind të gazit prej Moskës, sipas të dhënave të bllokut evropian për vitin 2021.

Megjithatë, importuesja më e madhe e gazit rus brenda BE-së ka qenë Gjermania, me 55 miliardë metra kubë, çka përbën 65 për qind të importeve shtetërore të gazit.

Para nisjes së luftës në shkurt, eksportet e gazit rus në BE ishte paraparë që të rriteshin, pas kompletimit të gazsjellësit të ri, Rrjedha Veriore 2. Sikurse motra e saj më e madhe, Rrjedha Veriore 1, gazsjellësi ishte ndërtuar për të transportuar gazin prej Rusisë në Gjermani, përmes Detit Baltik, dhe është financuar prej gjigantit shtetëror rus, Gazprom, dhe disa kompanive tjera evropiane të energjisë.

Paralajmërimet për rreziqe gjeopolitike për varësi të madhe në gazin rus patën rënë në veshë të shurdhër brenda bllokut.

“Rusia gjithmonë e përdor energjinë si mjet shantazhi”, ka thënë Philip Lausberg, analist në Qendrën për Politika Evropiane, me bazë në Bruksel, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

“Kjo është qartazi arma më e fuqishme që e kanë”.

Ukraina e ka ditur shumë mirë si funksionon ky lloj “shantazhi”, pasi Moska rregullisht ia ka mbyllur Kievit turbinat, sa herë ka pasur mospajtime me të.

Importet e gazit rus në BE janë zvogëluar për gati një të tretën, në krahasim me nivelet para nisjes së luftës në Ukrainë.

Sipas të dhënave të BE-së, në çerekun e tretë të vitit 2021, 39 për qind e gazit në bllokun evropian është siguruar prej Rusisë. Dy vjet më vonë, në çerekun e tretë të vitit 2023, kjo sasi ka rënë në 12 për qind.

Zvogëlimi i sasisë ka qenë pjesërisht nevojë, pasi Rusia i ka ndërprerë njëanshëm furnizimet me gaz për disa konsumatorë evropianë më 2022, çka ka rezultuar me rritje rekorde të çmimeve.

Në mesin e tyre ka qenë Bullgaria, Polonia, Finlanda dhe Holanda, të cilat kanë refuzuar të paguajnë për gazin rus në rubla – kusht që është vënë për “shtetet jomiqësore”, të cilat zakonisht kanë paguar në dollarë apo euro, si mënyrë për t’iu shmangur sanksioneve financiare evropiane kundër Bankës Qendrore të Rusisë.

Më 31 gusht 2022, Moska i ka pezulluar furnizimet me gaz në Evropë, përmes Rrjedhës Verore 1, me arsyetimin se duhet kryer mirëmbajtje treditore. Prej atëherë, gazsjellësi është jofunksional.

Tri prej rrugëve kryesore të Rusisë për bartje të gazit në BE janë mbyllur prej vitit 2022.

Në maj të atij viti, Operatori ukrainas për Transmision të Gazit ka shpallur forcë madhore – klauzolë që aktivizohet kur një biznes goditet prej shkaqeve të paparashikuara – duke thënë se nuk ka më kontroll mbi infrastrukturën në territorin e pushtuar prej Rusisë, dhe i ka ndalur rrjedhjet përmes Sokhranivkas, njërës prej dy pikave të hyrjes së gazit rus në Ukrainë.

Në maj të po atij viti, gazsjellësi Yamal-Europe, projekt i përbashkët ruso – bjelloruso – polak, që ka mundësuar bartjen e gazit prej Rusisë, në Poloni dhe Gjermani, e ka ndalur punën, pasi Moska i ka ndalur rrjedhjet e gazit drejt Polonisë, dhe e ka sanksionuar kompaninë që e zotëron pjesën polake të gazsjellësit.

Polonia tani e përdor një seksion të saj të gazsjellësit për të importuar gazin prej Gjermanisë.

Pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, Berlini e ka pezulluar certifikimin e gazsjellësit Rrjedha Veriore 2, i cili nuk pati nisur ende bartjen e gazit rus në Gjermani.

Më pas, në shtator të vitit 2022, shpërthimet i kanë shkatërruar disa pjesë të Rrjedhës Veriore 1 dhe 2, duke i bërë ato jofunksionale. Ekspertët patën ardhur në përfundim që shpërthimet kanë qenë akte sabotazhi, ndonëse hetimet e ndara nuk kanë gjetur asgjë përfundimtare për kryesit e sulmit.

Kjo nënkupton që furnizimet me gaz në Evropë, përmes gazsjellësit, janë kufizuar aktualisht në dy rrugë – e para përmes vijës evropiane, TurkStream, projekt i përbashkët i Gazpromit dhe Turqisë, për bartje të gazit prej Rusisë në Turqi, përmes Detit të Zi, dhe më pas drejt Evropës Qendrore dhe Juglindore, dhe e dyta përmes Ukrainës, nga pika hyrës Sudzha, në kufi me Rusinë.

Për më shumë, konsumi i përgjithshëm i gazit natyror në BE është zvogëluar për gati 18 për qind, edhe për shkak të përpjekjeve të bllokut evropian për të diversifiikuar furnizimet me energji, për të rritur efiçencën dhe për të investuar në burime të ripërtrishme.

BE-ja është zotuar se do t’i japë fund varësisë në lëndët djegëse të papërpunuara ruse deri më 2027, përmes planit REPowerEU, dhe sipas Komisionit Evropian, blloku është në rrugë të mirë për të arritur cakun.

Sasitë e gazit rus do të mund të zvogëlohen edhe më shumë në vjetët në vijim, pasi sasia e kufizuar e transitit përmes Ukrainës, mund të mos vazhdojë pas dhjetorit të vitit 2024.

Kontrata aktuale e Rusisë me Ukrainën do të skadojë shpejt, dhe si Kievi, ashtu edhe Moska, kanë bërë të ditur se nuk synojnë ta vazhdojnë atë.

Ndonëse kjo nuk nënkupton automatikisht që rrjedhjet përmes Ukrainës do të ndalen plotësisht prej janarit të vitit 2025, ka pak mundësi që volumi do të vazhdojë me nivelet e njëjta.

Korridori ukrainas i transitit “mund të funksionojë në teori” për shkak të rezervimeve të bëra në minutën e fundit, ka thënë eksperti i energjisë Losz.

Mirëpo, “kjo do të kërkojë nivel bazik të besimit dhe marrëdhënie bashkëpunuese në mes të kompanive të përfshira, dhe diçka e tillë është e pakët këto ditë”.

Ndalja e rrjedhjeve aktuale të gazit, përmes Ukrainës, do të mund të ketë ndikim në shumë vende evropiane që ende pranojnë gazin rus përmes këtij korridori.

Në mesin e tyre është Austria, e cila para luftës në Ukrainë e ka siguruar gati 80 për qind të gazit prej Rusisë.

Kompania austriake e energjisë, OMV ka kontratë afatgjate për furnizim me Gazpromin e Rusisë – deri më 2040 – përmes korridorit ukrainas.

Shefi i OMV-së, Alfred Stern, ka thënë për të përditshmen franceze, Financial Times se do të vazhdojë të pranojë gaz për aq kohë sa Gazpromi është në rregull me kontratën.

Sllovakia, Italia dhe Kroacia, pranojnë, po ashtu, gazin rus përmes rrugëve ukrainase të transitit, për shkak të një marrëveshjeje afatgjatë me Gazpromin, sipas Qendrës për Politika Globale të Energjisë.

Këto shtete, sipas Loszit, hulumtues në Qendër, “kanë shumë kapacitete për furnizime alternative”, ndonëse ato “kushtojnë më shumë dhe kanë rrugë transiti më të komplikuara”.

Moldavia, vend kandidat për anëtarësim në BE, mund të jetë shteti që përballet më së keqi me bllokimin e transitit përmes Ukrainës.

Ndonëse Gazpromi dërgon gaz vetëm në rajonin e shkëputur të Moldavisë, Transdnjestër – i cili gëzon përkrahjen e Rusisë – Moldavia blen sasi të madhe të energjisë prej centralit Cuciurgan, i cili është në Transdnjestër.

Një shkëputje e papritur e furnizimeve me gaz, mund të rezultojë me mungesa të mëdha të energjisë në gjithë shtetin.

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë në tetor, presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, ka thënë se shteti i saj është duke ndërtuar sistem të fortë që mundëson importim të rrymës prej Rumanisë, për t’i mundësuar shtetit që të jetë “plotësisht i pavarur”.

Punimet në ndërtim të sistemit pritet të përfundojnë para vitit 2025.

Braktisja e plotë e gazit rus nuk do të jetë gjë e lehtë për BE-në, dhe gazi rus pritet të rrjedhë në këtë territor të paktën edhe një kohë.

Lausberg prej Qendrës për Politika Evropiane, ka vërejtur se ndonëse disa shtete “janë ndara prej Rusisë, kur është në pyetje energjia”, të tjerat – sikurse Hungaria, Sllovakia, Austria, dhe Serbia – janë ende të varura prej gazit rus dhe nuk janë të gatshme të heqin dorë, si për arsye politike, ashtu edhe ekonomike.

TurkStream është rast i tillë.

Pjesa evropiane e gazsjellësit, e cila përdor infrastrukturë të re, transporton gaz në Bashkimin Evropian, përmes Bullgarisë.

Ndonëse Moska i ka ndalur njëanshëm furnizimet me gaz për Bullgarinë, në prill të vitit 2022, pas arsyetimeve të Gazpromit se nuk i ka pranuar pagesat në rubla, TurkStream vazhdon të furnizojë Serbinë, Hungarinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnje-Hercegovinën dhe Greqinë, përmes rrjetit të saj të gazsjellësve.

“Disa shtete në Evropën Qendrore dhe Lindore, sidomos Hungaria, janë duke tentuar të mbajnë lidhje të ngushta me Putinin”, ka thënë Lausberg, “dhe janë të gatshme të varen në importet e gazit rus, sepse e shohin si të përshtatshëm politikisht, si armë në lojërat në mes të BE-së dhe Rusisë, që mund të shfrytëzohet varësisht prej situatës.

Hungaria, e cila ka qenë aleatja më e ngushtë e Rusisë në BE, vazhdon të pranojë sasinë më të madhe të gazit natyror prej Rusisë.

Më 2021, Qeveria e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, ka negociuar një marrëveshje 15-vjeçare, e cila parasheh që Gazpromi të bartë 4.5 miliardë metra kubë të gazit natyror në Hungari, në baza vjetore, përmes TurkStreamit, dhe që një sasi më e vogël të bartet përmes Ukrainës.

Aktualisht, nuk ka shenja që Hungaria dëshiron t’iu japë fund këtyre furnizimeve.

Në tetor, Bullgaria ka vendosur taksë në tansitin e gazit rus përmes territorit të saj, në vlerë të 10.80 dollarëve për megavate në orë.

Sofja ka thënë se synon të bëjë më pak profitabil për Gazpromin bartjen e gazit përmes Bullgarisë, në mënyrë që të zvogëlohen të hyrat e Kremlinit për luftën në Ukrainë, dhe të zvogëlohet varësia e rajonit në energjinë ruse.

Hungaria ka reaguar shpejt, duke e kërcënuar Bullgarinë se do ta përdorë veton për anëtarësimin e Sofjes në zonën për lëvizje të lirë, Schengen, përveç nëse e heqë taksën për transitin e gazit rus.

Bullgaria është dorëzuar, pasi parlamenti i shtetit ka votuar për shfuqizim të taksës.

Beogradi, po ashtu, ka kërcënuar për t’iu përgjigjur veprimit të Sofjes, duke thënë se vendimi është menduar kundër Hungarisë dhe Serbisë.

Serbia importon pjesën më të madhe të gazit nga Rusia, përmes Bjellorusisë, sipas një kontrate afatgjate me Gazpromin, që është valide deri më 2025.

Këto reagime tensionuese janë motivuar jo vetëm prej ndikimit potencial në çmime, por edhe për shkak të “rrezikimit të furnizimeve”, ka thënë Losz.

“Si Hungaria, ashtu edhe Serbia, e konsiderojnë gazin rus si thelbësor për sigurinë e tyre energjetike, pavarësisht situatave gjeopolitike, pasi e shohin gazin rus si shumë më të favorshëm sesa alternativat tjera”, ka shtuar ai.

Ndonëse importet e gazit rus, përmes gazsjellësit, në BE kanë rënë prej shkurtit të vitit 2022, Rusia i ka rritur eksportet e gazit të lëngshëm natyror në bllok, në krahasim me shifrat e paraluftës.

Sipas të dhënave të BE-së, më 2023, 40 për qind të gazit të lëngshëm natyror, BE-ja e ka siguruar prej Shteteve të Bashkuara, më pas prej Rusisë dhe Katarit.

Meqë nuk janë subjekte të sanksioneve të BE-së, importet ruse të gazit të lëngshëm natyror, kryesisht përmes tankeve, janë rritur për 40 për qind në periudhën janar-korrik 2023, në krahasim me nivelet para luftës, sipas një raporti të publikuar në gusht nga organizata Global Witness.

“Shtetet e BE-së tani blejnë shumicën e furnizimeve të gazit rus, një prej burimeve kryesore të të hyrave për Kremlinin”, është thënë në raport.

Megjithatë, një pjesë e gazit të lëngshëm natyror dërgohet më pas në tregjet tjera, sipas një raporti të Qendrës për Studim të Demokracisë, institut me bazë në Bullgari.

Bullgaria, shembull, ka blerë indirekt gaz të lëngshëm natyror rus, i cili fillimisht i ka pas destinacion kompanitë greke, të cilat kanë marrëveshje afatgjate me Gazpromin.

Një tjetër shembull është Gjermania, e cila ka pranuar 23 për qind të importeve të gazit natyror prej Belgjikës, në tre muajt e parë të vitit 2023.

Në të njëjtën periudhë, sipas raportit të Qendrës për Studim të Demokracisë, Belgjika ka importuar 60 për qind të gazit të lëngshëm natyror prej Rusisë.

Në tetor, Komisioni Evropian e ka pranuar rritjen e importeve të gazit të lëngshëm natyror, në raportin e tij vjetor, mirëpo ka thënë se “shifrat përbëjnë një porcion të vogël të importeve totale të gazit”.

Këto dërgesa pritet të vazhdojnë, sipas Losz, përveç nëse BE-ja vendos ndalesë në importet ruse të gazit të lëngshëm natyror.

Në korrik, aktivistët ukrainas për klimën kanë lobuar në Komisionin Evropian, duke bërë thirrje për ndalesë të plotë në importet e gazit të lëngshëm natyror në BE.

Megjithatë, në shtator, Spanja – e cila ka qenë në krye të presidencës së BE-së deri në fund të vitit 2023 dhe është një prej blerësve më të mëdha të gazit të lëngshëm natyror brenda BE-së – ka thënë se nuk ka plan për vënie të ndalesës në gazin e lëngshëm natyror.

Pavarësisht se BE-ja i ka zvogëluar në sasi të konsiderueshme importet e gazit rus, ekspertët besojnë që ka pak gjasa që blloku do të mund të heqë dorë plotësisht prej furnizimeve ruse.

Sipas Lausbergut, një prej arsyeve se pse disa shtete evropiane do ta vazhdojnë të kenë interes për blerje të gazit rus është sepse “shumë shtete përballen me bllokadë. Për to, është shumë e vështirë të pranojnë gaz të lëngshëm natyror. Një tjetër arsye është se gazi rus është më i lirë sesa alternativa tjera”.

“Urgjenca që furnizimet të ndalen në zero, disi është harruar, dhe besoj që për arritje të cakut duhet më shumë kohë se viti 2027 – sa është paraparë për eliminim të plotë të gazit rus në BE”, ka thënë Losz.

Megjithatë, ai ka vlerësuar se niveli aktual i varësisë në gazin rus është “shumë më i menaxhueshëm”, sesa që ka qenë më parë.

“Varësia ndaj gazit rus nuk është kërcënimi kryesor për shkatërrim të ekonomisë së BE-së, siç ka qenë dikur”. /Rel/

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Intervista e studiuesit bullgar për Deutsche Welle

“Muajt e ardhshëm, më të vështirët në historinë e BE”