Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi ka reaguar pas fjalimit të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj për sesionin e ri parlamentar, pasi ia pamundësua një gjë e tillë në sallën e Kuvendit.
Pas fjalimit të tij, Bardhi shprehet se qëndrimi publik i Presidentit është një mesazhi më i dëmshëm që mund të bënte për normalizimin e jetës parlamentare.
Ai shton se Grupi Parlamentar i PD dhe opozita është e vendosur të mbrojë pluralizimin demokratik në vend dhe Kushtetutën e Shqipërisë.
Reagim i Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi
Qëndrimi publik i Presidentit të Republikës është mesazhi më i dëmshëm që mund të bënte për normalizimin e jetës parlamentare. Ashtu siç pritej, Kreu i Shtetit nuk u ngrit dot në rolin e tij si përfaqësues i unitetit të popullit, por me një gjuhë të njëanshme, u bë palë në konflikt dhe nxiti edhe më shumë përçarjen mes palëve politike në Kuvend.
Duke e konsideruar këtë një akt antidemokratik dhe një sulm të pashembullt të Presidentit të Republikës ndaj opozitës, e siguroj që Grupi Parlamentar i PD dhe opozita është e vendosur të mbrojë pluralizmin demokratik në vend dhe Kushtetutën e Shqipërisë, edhe nëse Kreu i Shtetit ka vendosur tia dorëzojë kopjen e tij të Kushtetutës kryeministrit Edi Rama!