MENU
klinika

Kongresi hodhi poshtë kandidaturën

Biden ripropozon Kostelancik për ambasador në Shqipëri

12.01.2024 - 20:50

Shtëpia e Bardhë ka propozuar sërish David Kostelancik si ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.

Ky ripropozim vjen pas mosmiratimit që Senati i bëri një javë më përë për shkak të tejkalimit të afateve.

Kështu emri i David Kostelancik i është dërguar sërish Senatit amerikan për miratim.

“David J. Kostelancik, nga Illinois, Anëtar Karriere i Shërbimit të Jashtëm të Lartë, Klasa Ministër Këshilltar, nominohet për të qenë Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

David Kostelancik doli para Senatit që në muajin mars dhe miratimi i tij dukej i sigurt. Por republikanët bllokuan të gjitha emërimet e reja, përfshirë edhe ambasadorët. Kjo bllokadë vijoi deri tani më 4 janar ku kandidatura e Kostelancik u refuzua.

Kostelancik është diplomat i Shërbimit të Jashtëm të Lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, grada Këshilltar Ministër. Ai ka filluar të shërbejë si këshilltar për politikën e jashtme të Kryetarit të Shefit të Shtabit të Përbashkët, Gjeneral Mark Milley, në gusht 2021. Kostelancik më parë ka qenë Zëvendës Shef i Misionit, dhe për dy vjet, si i Ngarkuar me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Budapest, në Hungari, ku ofroi udhëheqje dhe udhëzime politike për stafin e misionit prej më shumë se 350 personash.

Ndër të tjera Kostelancik ka qenë i emëruar në Departamentin e Shtetit Amerikanë si Drejtor i Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore –Qendore. Ai ka shërbyer si Drejtor i Zyrës së Çështjeve Ruse, në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike. Gjithashtu diplomati ka qenë Drejtor i Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit.

Më herët, në karrierën e tij ka shërbyer dy herë në Ambasadën e SHBA-së në Moskë. Detyra të tjera në të cilat Kostelancik është përfshirë janë Misioni i SHBA në OSBE dhe Misioni i SHBA në NATO, duke u fokusuar dhe në bashkëpunimin e sigurisë me Rusinë, Ambasadën e SHBA në Shqipëri dhe Ambasadën e SHBA në Turqi.

Ai ka shërbyer gjithashtu në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, duke u përqendruar në marrëdhëniet e SHBA me vendet e Evropës Qendrore.

Kostelancik është diplomuar në Universitetin Northëestern në Matematikë dhe Shkenca Politike, si dhe Master nga Universiteti i Miçiganit në Studimin e Rusisë dhe të Evropës Lindore. Po ashtu ai ka përfunduar Masterin Shkencor nga Kolegji Kombëtar i Luftës në politikën e sigurisë kombëtare.