MENU
klinika

“Nuk tërhiqemi”

Bylykbashi paralajmëron kaos: Komisionet dhe Parlamenti nuk do të funksionojnë

19.01.2024 - 10:53

Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi ka deklaruar se komisionet parlamentare dhe seanca parlamentare nuk do të funksionojë pa u realizuar kërkesat e opozitës për komisionet hetimore.

Në një intervistë për emisionin “Opinion”, Bylykbashi tha nëse vetëm një nga komisionet që kërkon opozita do ishin ngritur sot, deputetët e PD-së do i shihnin në televizor duke sjellë prova dhe denoncuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama.

“Unë po them këtë gjë, vendimi për të mos funksionuar të gjitha komisionet është vendim që ne nuk i kthehemi mbrapsht dhe komisionet nuk do të funksionojnë. Nuk do të funksionojë as seanca plenare. Diferenca është kjo. Komisionet parlamentare që drejtohen nga socialistë kanë kuptuar që nuk mund të vazhdohet dhe janë kthyer online. Është e paligjshme, por kanë bërë atë. Kjo ishte e shtyrë për të arritur një situatë të këtij lloji për të arritur këtë lloj acarimi. Kjo ka pak rëndësi. Kjo do kalojë shumë shpejt. E gjithë kjo skenë që shohim. Ajo që mbetet është komisionet hetimore nuk ngrihen. Imagjinoni një moment. Sot të ishte ngritur një nga ato të tetë komisione hetimore. Në televizion skenat a do të ishin këto apo deputetët e opozitës duke sjellë prova përballë kamerave duke denoncuar dhe vënë në vështirësi Edi Ramën? Dhe këtu sot ne diskutojmë pse ndodh kjo situatë në parlament ndërkohë që nuk merremi me thelbin e kësaj, se Edi Rama bllokon këtë histori”, u shpreh Bylykbashi.

Ai komentoi edhe reagimin e Lulzim Bashës pas përplasjes në Komisionin e Medias mes deputetëve Gazment Bardhi e Flamur Noka me Flutura Açkën.

Këtë situatë, Bylykbashi e sheh si të stisur nga Basha dhe reagimin e këtij të fundit në Twitter e vlerëson me 5 Lekë. Më herët Bardhi duke komentuar të njëjtin twitter të Bashës tha se nuk komenton batuta 2 lekëshe.

“Ajo skenë aty e stisur nga Lulzim Basha, është për të arritur këtë Twitterin 5 lekësh i Lulzim Bashës. Kaq ka pasur nevojë ai. Atij i është dashur për të bërë një situatë për të bërë një deklaratë të këtij lloji”, u shpreh Bylykbashi.