Nëse ka diçka për të cilën do të mbahet mend më shumë viti që po lëmë pas, ato janë ndarjet e bujshme mes çifteve të njohura shqiptare, por edhe ato të huajat nuk mbeten pas. Më shumë se fundi i një marrëdhënie, mes dy figurave publike, shpesh kanë qenë reagimet, thumbimet publike nëpër rrjete sociale apo intervista të ndryshme ato elementët që duket sikur i kanë hedhur më shumë benzinë zjarrit, pa i lënë këto ndarje të kalojnë në heshtje dhe pa shumë bujë.
Lista është e gjatë, ndaj le të sjellim në vëmendje disa nga çiftet VIP më protagoniste që kanë mbyllur një kapitull gjatë 2023-ishit, atë të dashurisë, për të nisur pse jo një tjetër gjatë 365 ditëve të vitit të ardhshëm.
Princ Leka dhe Elia Zaharia drejt divocit?
Mund ta pranojmë që po kthehet në një telenovelë e gjithë kjo histori? Epo, “tjerrja” e të gjitha detajeve që dalin në pah ditë pas dite për raportin mes dyshes së njohur, duket se e ka kthyer këtë histori ndarjeje (ende të pakonfirmuar zyrtarisht nga ata të dy) në një film me seri. Në fillim ishin fotot e ndara që ata publikuan nga ditëlindja e së bijës, më pas fotot që qarkulluan të princit pa unazën në gisht, festimet e Elias vetëm me të vëllain dhe prindërit për ditëlindjen e së bijës teksa fotot bën xhiron e rrjeteve, e së fundmi një emër i ri ka dalë në skenë e që përflitet si e dashura e supozuar e princit Leka. Një vajzë, që thuhet se ka qenë e angazhuar profesionalisht si fotografe personale e princit Leka, por që në një reagim të fundit për portalin JOQ ajo as nuk e ka pohuar, as nuk e ka mohuar historinë me princin.
A janë ndarë Ledri dhe Sara?
E kuptoni që në pyetje, që edhe ne kemi dyshimet tona për sa kohë ata vetë nuk kanë reaguar publikisht, ndonëse Sara e pyetur në një event artistik u shpreh se ajo dhe Ledri do e thonë fjalën e fundit publikisht kur ta shohin të arsyeshme. Bashkë apo të ndarë, dyshimet nisën që pas fshirjes së këngës “Gjendja” nga Youtube, ku shfaqej me partneren e tij, te deklarata e menaxherit të reperit, që foli hapur për një ndarje mes të dyve, te mungesa e Ledrit në premierën e filmit “Në kuadër të dashurisë”, urimet e veçuara për ditëlindjen e së bijës, Poem, e plot episode të tjera.
Arbenita Ismajli dhe Fero
Kacafytjet e tyre virtuale kanë bërë lajm në çdo media shqiptare, sidomos pas pretendimeve të modeles për dhunë fizike, ndërsa reperi Fero e akuzonte përmes një postimi Arbenitën për rrëmbimin e vajzës së tyre dhe pretendimet se nuk kujdesej sa duhej për të voglën. Ndarja e tyre ka përfunduar në dyert e gjykatës së Kosovës thonë mediat atje.
Dafina dhe Dj Geek
Pas një lidhjeje disavjeçare, këngëtarja dhe Dj i dhanë fund lidhjes së tyre. Dafina ndërkohë ka zyrtarizuar dashurinë e re, për të cilën thotë se do e kurorëzojë me martesë vitin tjetër. Dashuria e re e Dafit këtë herë e ka emrin Kreshnik Gjergji.
Olsi Bylyku dhe Egli Tako
Historisë së tyre pesëvjeçare të dashurisë u erdhi fundi këtë vit, pasi Olsi dhe Egli tanimë rezultojnë të ndarë nga njëri-tjetri. Një ndarje që duket paqësore, pa sherre dhe thumbime publike, përkundrazi ata janë shprehur falënderues për historinë që jetuan bashkë këto vite.
Beniada Nishani dhe Blerti Hajdari
Ata u njohën gjatë një emisioni sportiv, një lidhje që duket se nuk zgjati shumë. Sinjali për fundin e romancës së tyre erdhi pasi Blerti, vëllai i Arbër Hajdarit hoqi foton e tij dhe të Beniadës nga profili në rrjetet sociale.
Getinjo dhe Vivien Thano
Dyshja u njohën në “Big Brother Vip Kosova”, por historia e tyre zgjati vetëm pak muaj. Vivien në një studio televizive foli pak kohë pas ndarjes, duke u shprehur se varësia e reperit ndaj bixhozit ishin shkaku kryesor i ndarjes. Vetë Getinjo reagoi me një story në Instagram ku u shpreh se nuk mund të ndryshonte për askënd, thjesht ai ashtu është “gatuar”!
Dua Lipa dhe Romain Gavras
Pas tetë muajve lidhje, Dua dhe regjisori Romain nuk janë më bashkë. Sipas motiveve që qarkullojnë në media, thuhet se këngëtarja është në një fazë të jetës ku do fokusin vetëm te muzika, projektet e reja dhe albumin që tashmë ka dalë në tregjet muzikore botërore.
Bebe Rexha dhe Keyan Safyarion
Ata kishin tre vite bashkë, por pas problemeve në çift, Bebe dhe Keyan vendosën t’i japin fund historisë së tyre të dashurisë. Komentet që erdhën më pas, ishin edhe më të bujshme, pasi Bebe e akuzonte ish-in se i kishte kërkuar të dobësohej, madje ajo nxori edhe disa mesazhe të dërguara nga ai në adresë të këngëtares.
Ndarjet e bujshme, kanë ndodhur edhe mes personazheve të famshëm të huaj, disa prej tyre janë:
Taylor Swift dhe Joe Alwyn
Elle Fanning dhe Max Minghella
Brie Larson dhe Elijah Allan-Blitz
Avril Lavigne dhe Mod Sun
Camila Cabello dhe Austin Kevitch
Reese Witherspoon dhe Jim Toth
Rosalía dhe Rauw Alejandro
Justin dhe Sophie Trudeau
Ariana Grande dhe Dalton Gomez
Bella Hadid dhe Marc Kalman
Camila Cabello dhe Shawn Mendes
Sofia Vergara dhe Joe Manganiello
Natalie Portman dhe Benjamin Millepied
Britney Spears dhe Sam Asghari
Joe Jonas dhe Sophie Turner
Hugh Jackman dhe Deborra-Lee Furness
Joshua Jackson dhe Jodie Turner-Smith
Cardi B dhe Offset