MENU
klinika

“Zgjedhorja do funksionojë edhe pa Foltoren“

Deputeti i PS: Opozita t’i thërrasë mendjes, iu intereson më shumë ky komision

19.01.2024 - 16:03

Deputeti i Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia tha se ishte i pritshëm veprimi i deputetëve të Foltores, të cilët bllokuan mbledhjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore ditën e sotme.

Ai u shpreh se komisioni do të funksionojë edhe pa Foltoren.

Në një intervistë për “Abc News”, Qefalia tha se Enkelejd Alibeaj duhet të ishte në komision dhe të përballej teksa shtoi se opozita duhet ‘t’i thërrasë mendjes’ dhe të ulet në komision.

“Në fakt, ndodhi ajo që pritej. Vazhduan me avazin e vjetër. Në sallën e komisionit nuk ishin vetëm përfaqësuesit e Rithemelimit apo të zotit Bardhi, por edhe të subjekteve të tjera. Ishin përfaqësues të PL, të zotit Idrizi, Mediu, pra kishte shtrirje me të gjerë. U penguan edhe ato zotërinj. Një veprim i tillë stonon, opozita është më e interesuar për të pasur një reformë zgjedhore. Ky është problem dhe dramë e vetë opozitës. Ato kanë probleme se cili nga këta të marrë drejtimin e lidershipit të opozitës. Po këtë nuk e zgjidh dot mazhoranca. Ato po i bëhen pengesë vetes. Alibeaj duhet të ishte atje për t’u përballur. Kjo bëhet fjalë në interes të qytetarëve. Nuk ka rëndësi se kush është bashkëkryetari. Askush nuk ka të drejtë të pengojë datën e zgjedhjeve dhe ripërtëritjen e qeverisë.

Kjo nuk jep shijë të mirë edhe te ndërkombëtarët. Apeli që ka bërë kryeministri nga Lezha, është apel që opozita t’i thërrasë mendjes dhe të ulet në komision. Opozita, e drejtuar nga zoti Bardhi duhet t’i thërrasë mendjes, nëse nuk vjen, komisioni do të funksionojë. Në finale, natyrisht që do të hyjnë në punë numrat.

Jam i bindur që jo vetëm Alibeaj, por edhe deputetë të tjerë, nuk do ta lënë këtë mundësi për të bërë këto ndërhyrje. Unë jam kundra mbledhjes online. Kam bindje absolute që opozita duhet t’i thërrasë mendjes.

Unë ende personalisht besoj se opozita do heqë dorë nga marrja e karrigeve me dhunë. Këtu bëhet fjalë për qasje problemesh, për vërejtjet e bëra nga OSBE-ODIHR. Ne jemi dakord që të avancohet, të depolitizohen anëtarët e qendrave të votimit, të ketë votim elektornik. Por duhet të ulemi që t’i zgjidhim bashkarisht. Asgjë nuk zgjidhet me forcë, me presion, unë ende shpresoj, kam besim, është edhe në interesin e tyre elektoral për të marrë pjesë në komisione”, tha ai.