MENU
klinika

SPAK merr sot në pyetje Jamarbër Malltezin

Dhëndri i Berishës përballet në gjyq me prokurorët Kraja dhe Millonai

17.01.2024 - 09:51

Ditën e sotme, e mërkurë 17 Janar, Prokuroria e Posaçme ka thirrur dhëndrin e ish kryeministgrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezin për t’u marrë në pyetje lidhur me aferën ‘Partizani’.

Kjo është hera e parë që Malltezi thirret për t’u marrë në pyetje që kur ndaj tij u vendos masa arrest në shtëpi.

Seanca është planifikuar në orën 10:00 me prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.

Avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj njoftoi dje se kanë depozituar në SPAK kërkesë për shtyrjen e seancës, pasi avokatët mbrojtës të Malltezit për shkak të impenjimeve nuk mund të marrin pjesë.

“Duke qene se mbrojtësit si te zotit Sali Berisha ashtu edhe te Zotit Jamarber Malltezi e kane te pamundur pjesëmarrjen ne te dyja seancat e pyetjeve për shkaqe objektive pune dhe familjare dhe duke konsideruar se kjo pjesëmarrje është e domosdoshme ata (avokatet) i janë drejtuar SPAK me kërkesë për shtyrjen e pyetjes se shtetasve te mësipërm për javën ne vijim ne një nga ditët qe ata do ta çmojnë të përshtatshme.”, shkroi dje Gjokutaj.

Po ashtu, SPAK kërkuar marrjen në pyetje edhe të Berishës, ditën e nesërme, 18 janar.

Për Berishën, avokatët kanë depozituar kërkesë për shtyrjen e seancës. Me shumë gjasa, avokatët kërkojnë që ish-kryeministri të merret në pyetje pasi Apeli i GJKKO-së të shqyrtojë kërkesën e tyre për ankimim të masës së sigurisë arrest shtëpie.

Për çfarë akuzohen Malltezi dhe Berisha?

Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi janë të vendosur nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe po hetohen nga SPAK për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.

Lidhur me çështjen e kompleksit Partizani, SPAK arrestoi dhe më pas e la në arrest shtëpie Jamarbër Malltezin, ndërsa Sali Berisha dhe Fatmir Bektashi janë ndaluar të udhëtojnë jashtë shtetit dhe detyrohen të paraqiten në policinë gjyqësore.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Tiranë vendosi nën sekuestro preventive 16 pasuri të paluajtshme të Malltezit, 6 llogari të tij bankare si dhe kuotat e kapitalit themeltar të tij në tre shoqëri.

Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, nga ndryshimi i destinacionit nga zona sportive në zona banimi, shuma të konsiderueshme në cilësinë e investuesit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar në të, si dhe përfitime të marra para se të deklarohej si bashkortak në këtë shoqëri.

Ndërsa në bashkëpunim me ndërtuesin Fatmir Bektashi, Malltezi dyshohet se ka kryer pastrim të produkteve të veprës penale, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe për të përfituar në mënyrë të paligjshme shuma deri mbi 5 milinë euro.

Nga ana tjetër edhe Bektashi dyshohet se ka kryer korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë në bashkëpunim me Malltezin, duke i dhënë atij përfitimeve të paligjshme në shuma të mëdha, me qëllimin e përbashkët për të bërë ndërtime në terrenet sportive.

Ai dyshohet se në bashkëpunim me Malltezin kanë kryer pastrim të produkteve të veprës penale teksa kanë fshehur origjinën e vërtetë të përfitimeve monetare të parregullta të Malltezi, duke i paraqitur ato si të ardhura te ligjshme nga biznesi.

Kompleksi sportiv Partizani me 26 mijë metër katrorë, pronë e ushtrisë, u zëvendësua brenda pak vitesh nga një kompleks pallatesh, për të cilin hetuesit dyshojnë se iu hap rruga përmes korrupsionit pasiv e aktiv nga Sali Berisha, Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Bektashi.