MENU
klinika

"Është paralizuar..."

Dhunimi i Sanduloviç, familjarët tregojnë si është gjendja e tij

11.01.2024 - 12:28

Pas dhunimit të liderit të opozitës serbe, Nikola Sanduloviç familjarët e tij janë shprehur se ai ka mbetur pjesërisht i paralizuar nga sulmi.

Ata më tej kanë deklaruar se Sanduloviç u mor nga shtëpia e tij më 3 janar, pasi kërkoi falje për krimet e kryera nga serbët kundër shqiptarëve etnikë gjatë luftës së Kosovës dhe vizitoi varrezat e familjes Jashari në Prekaz.

Vajza e Sanduloviçit, Karla u shpreh se babai i saj komunikon por që është plotësisht i paralizuar në anën e djathtë. Ajo gjithashtu bëri thirrje që babai i saj të transferohej në një spital civil nga objekti ushtarak në Beograd ku ai mbahet.

“Ai komunikon, por është plotësisht i paralizuar në anën e djathtë, rri në një karrige me rrota dhe në një gjendje shumë të keqe shëndetësore”, tha ajo në një deklaratë të lëshuar përmes Michael Polak, një avokat në MB dhe drejtor i Drejtësisë Jashtë vendit, i cili punon për politikanin.

Familja beson se Sanduloviç mund të jetë helmuar. Ndërkohë avokatët kanë thënë se nuk mund të verifikojnë asgjë në lidhje me shëndetin e Sanduloviç-it apo sulmin, derisa ta çojnë atë në një objekt civil me qasje të plotë tek mjekët dhe avokatët.

Sanduloviç u kritikua ashpër në mediat shtetërore pasi ripostoi një video të vitit të kaluar në të cilën ai vizitoi varrin e Adem Jasharit i cili u vra nga policia serbe në vitin 1998 së bashku me 57 anëtarë të familjes së tij gjatë luftës në Kosovë.