MENU
klinika

Analiza

Donald Trump, fitorja që u dëgjua përreth botës

18.01.2024 - 11:37

Fitorja e madhe e ish-presidentit Donald Trump në zgjedhjet në Iowa të hënën shënon një nga rikthimet më befasuese në historinë politike amerikane.

Presidentët humbës pas një mandati, pothuajse kurrë nuk zhvillojnë fushata të suksesshme primare më pas, aq më pak të demonstrojnë dominimin e plotë të partisë së tyre. Trump e transformoi Partinë Republikane në imazhin e tij populist, nacionalist, nihilist në vitin 2016. Duke marrë 50% të votave në fitoren më të madhe në historinë e primareve, gjë që e fut atë në rrugën e nominimit të tretë radhazi, ai tregoi se tetë vjet pas fitores presidenciale, Partia Republikane aktuale është tërësisht partia e tij.

“Nata e madhe do të jetë në nëntor, kur ne të rimarrim vendin tonë”, tha Trump në festën e tij të parë të një fitoreje që kur tronditi botën duke fituar zgjedhjet e vitit 2016. Turma me kapelen MAGA (Make America Great Again) e përshëndeti me brohoritjet “Trump, Trump, Trump” nën dy ekrane të mëdha ku lexohej “Trump fiton Iowa!”

Por rikthimi i ish-presidentit është më befasues për një arsye tjetër. Ai fitoi pavarësisht 91 akuzave penale dhe pengesave të tjera ligjore që kërcënojnë lirinë dhe pasurinë e tij. Një kohë e paprecedentë, po të kemi parasysh që ai pritet të shfaqet në një sallë gjyqi në Manhatan për nisjen e një gjykimi për shpifje.

Triumfi i tij në Iowa erdhi tre vjet e nëntë ditë pasi ai i tha një turme të “luftonte fort” përpara se të mësynte Capitolin në SHBA, në një përpjekje për të penguar certifikimin e fitores së presidentit Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020. Dominimi i Trump të hënën mbrëma tregon se ndër votuesit më të përkushtuar republikanë, nuk ka asnjë çmim që duhet ai të paguajë për sulmin më të rëndë ndaj zgjedhjeve në historinë moderne. Në fakt, shfrytëzimi i suksesshëm i gjendjes së tij kriminale për të përshkruar një narrativë persekutimi është superfuqia që rinovoi lidhjen e tij me votuesit dhe i la rivalët me një enigmë të pazgjidhshme, se si të shfrytëzonin problemet e tij.

Një fitore që u dëgjua në mbarë botën

Fitorja e Trump e bën perspektivën teorike, që ai mund të fitojë Shtëpinë e Bardhë një mundësi shumë më të drejtpërdrejtë. Me përjashtim të ndonjë ngjarjeje të paparashikuar, dominimi i tij në Iowa tregon vështirësinë ekstreme që do të ketë ndonjë nga rivalët e tij të mbetur për ta mbajtur atë jashtë garës republikane. Dhe sondazhet e fundit e kanë treguar atë shumë konkurrues edhe përpara Bidenit në disa shtete të lëkundura, që do të vendosin fatin e Shtëpisë së Bardhë. Në një komb të ndarë në dysh, rezultati i zgjedhjeve do të jetë i ngushtë çfarëdo që të ndodhë. Mund të shqetësojë demokratët që ndërsa Trump nuk e ka zbutur egërsinë e paraqitjeve të tij publike, fitorja e tij në Iowa ishte vërtetimi i parë i një operacioni politik shumë më profesional sesa ai në zgjedhjet e 2016 ose 2020.

Megjithatë, fushata e Bidenit, e rrethuar nga shqetësimi në rritje midis demokratëve për perspektivën e rizgjedhjes së presidentit, ka argumentuar se një fitore e madhe për Trump në Iowa do të fillonte të zgjonte amerikanët që e refuzuan atë në vitin 2020, për rrezikun real që ai mund të rimarrë Shtëpinë e Bardhë. Ndërsa Trump ishte i fortë edhe në zonat periferike rreth Des Moines, kjo mund të mos përkthehet në një performancë të ngjashme midis votuesve më të moderuar në shtetet më pak konservatore. Deficiti i Trump mes këtij grupi në mbarë vendin i kushtoi atij zgjedhjet e 2020-ës.

Triumfi i Trumpit do të jehojë gjithashtu në mbarë botën dhe do t’i detyrojë aleatët amerikanë të përballen me mundësinë që presidenti më antagonist në historinë moderne, i cili u afrua me diktatorët dhe refuzoi miqtë tradicionalë të Amerikës në vendet demokratike, mund të rikthehet së shpejti.

Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde dha alarmin në televizionin France 2 javën e kaluar. “Nëse do të nxjerrim mësime nga historia, si dhe mënyra se si ai menaxhoi katër vitet e mandatit të tij, është qartësisht një rrezik,” tha ajo.

Një rikthim në detyrë për Trump mund të përfaqësojë një rrezik ekzistencial për NATO-n, e cila ndihmoi në ruajtjen e paqes në Evropë gjatë Luftës së Ftohtë dhe në shekullin e 21-të. Fitorja e Trump do t’i japë gjithashtu presidentit rus Vladimir Putin një arsye tjetër për të zgjatur luftën e përgjakshme në Ukrainë. Trump tha të hënën se do ta merrte Putinin në një dhomë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, një takim që mund të përfundojë vetëm me kushte të pafavorshme për ukrainasit. /bota.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN