Kryeministri Rama njoftoi se do të mbështesë industrinë fason dhe transformimin e mëtejshëm të sektorit. Masat lehtësuese u dakordësuan në një takim të kryeministrit Edi Rama me përfaqësues të sektorit, i cili tha se koha e krahut të lirë të punës si avantazh konkurrues ka përfunduar dhe tani është koha për investime në teknologji e inovacion, e me paga dinjitoze rrjedhimisht për punonjësit.
Duke folur për këtë në emisionin “Money Report”, ekspertja për ekonominë Teuta Nunaj theksoi se paketa mbështetëse për këtë sektor ishte një veprim i duhur nga ana e qeverisë. Ajo thotë se industrisë së fasonit po i vjen fundi dhe duhet të transformohet pasi nuk i ofron asgjë ekonomisë së vendit.
“Kësaj industrie po i vjen fundi. Një ekonomi e zhvilluar nuk mund të jetë nëpërmjet fasonëve. Duke pasur të ardhura kaq të pakta, nuk mund të pretendojmë se kemi mirëqenie ekonomike, një industri ekonomike që nuk ofron asgjë në aspektin e industrisë, nuk mund të pretendojë se do ta zhvillojë ekonominë e Shqipërisë. Aktualisht ky krah po kualifikohet më tepër, po kërkon paga më të larta edhe për shkak të kostove. Edhe Shqipëria ka ndryshuar qasje, është një ekonomi në zhvillim edhe pse në trazicion. Në këtë këndvështrim nuk mund të vazhdojmë më me modelin e një ekonomie të një vendi të pazhvilluar. Ky sektor nuk mund të transformohet nga jashtë por nga brenda. Ndihma që po akordon qeveria tani është e duhur. Kam qenë pro mbështetjes së sektorit përmes mekanizmave qeverisës“, u shpreh Nunaj.
Ajo u ndal gjithashtu edhe tek punonjësit, teksa shtoi se kompanitë e fasonit duhet të ndryshojnë qasje ndaj tyre.
“Shqetësimi janë punonjësit se ata që përballojnë më lehtë krizën janë pronarët sepse kanë më tepër mundësi financiare. Në këtë këndvështirm, këto kompani duhet të harxhojnë shumë strategji për të ndryshuar procesin e të bërit biznes që t’i përshtaten dinamikave të reja dhe të ofrojnë punë më të kualifikuar për një të ardhur më të lartë dhe për punonjësit dhe kompaninë. Këta punonjës do të rrisin produktivitetin dhe kjo do të rrisë të ardhurat. Ndaj është e rëndësishme se si do të reagojnë këto kompani ndaj këtyre ndryshimeve”, shtoi Nunaj.