Ermonela Jaho është artistja e parë shqiptare që po nderohet me çmimet më prestigjioze në botën e muzikës klasike.
OPER! AWARDS 2024 mbrëmë mbajti ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Operën Kombëtare Holandeze të Amsterdamit dhe u transmetua drejtpërdrejt.
Në këtë garë tejet prestigjioze, sopranoja shqiptare Ermonela Jaho mori çmimin kryesorë si këngëtarja më e mirë femër për vitin 2024.
Në ndarjen e këtij çmimi për sopranon shqiptare, juria është shprehur se rrallë një person është i gatshëm t’i zbulojë publikut qenien e tij më të brendshme përmes këndimit dhe performancës, dhe Ermonela Jaho e arrin mrekullisht këtë gjë.
“Këngëtarja më e mirë: Ermonela Jaho. Është e njohur që të kënduarit operistik kërkon më shumë se një zë të bukur, por rrallë një person është i gatshëm t’i zbulojë publikut qenien e tij më të brendshme përmes këndimit dhe performancës. Në Operën e Cyrihut në vitin 2023, Ermonela Jaho bëri një mbrëmje operistike emocionuese dhe me thellësi të jashtëzakonshme si Magda brilante nga “La rondine” e Puçinit: një dallëndyshe dhe një mjellmë që po vdes në një”, vlerëson juria Ermonelën.
Ky çmim, sopranos Jaho i erdhi menjëherë pas atij në Spanjë ku nga një juri prestigjioze ajo u vlerësua me çmimin për artisten më të mirë të huaj që ka kontribuar për operën e Spanjës përgjatë vitit 2022/23, çmim që për herë të parë ndanë Opera e Spanjës për një artist të huaj dhe padyshim që këto arritje e kanë bërë tejet të lumtur sopranon Jaho.
“Së pari Spanja, dhe tani Gjermania me këtë çmim të papritur!
Do të përpiqem të shpreh me fjalë mirënjohjen time dhe çfarë do të thotë kjo arritje për mua, por do të ishte e pamundur. Ndihem krenare që jam edhe unë në mesin e të nominuarve, e lëre më çmimin Fitues për këngëtaren femër 2024. Faleminderit OPER! AWARDS për këtë nder të madh. Një falënderim i madh për kolegët e mi të mrekullueshëm, për publikun e mrekullueshëm që më dha dashurinë dhe vlerësimin e tyre dhe për çdo person të dashur që ka mbështetur rrugëtimin tim. Muzika duhet të tregojë një histori duke frymëzuar audiencën dhe nuk ka arritje më të madhe sesa të lidhesh me çdo zemër që dëgjon!”, shkruan Ermonela.