MENU
klinika

Plani për "ombrellën bërthamore"

Është koha që Evropa të dëgjojë Macron-in…

27.01.2024 - 08:30

Tani që fitorja e Donald Trump duket gjithnjë e më e mundshme, çfarë mund të ndryshojë për Evropën nëse manjati mund Joe Biden në nëntor? Për sigurinë e Kontinentit të Vjetër që po përballet me konfliktin midis Ukrainës dhe Rusisë, do të lindnin skenarë shqetësues. Nuk është e mundur, në fakt, të nënvlerësohen pasojat e kthimit të mundshëm në Shtëpinë e Bardhë të një presidenti, i cili ka deklaruar në të kaluarën se nuk dëshiron të nxitojë për të shpëtuar aleatët e tij historikë në rast të një sulmi nga Moska. Madje është përmendur edhe mundësia e një tërheqjeje të mundshme të Shteteve të Bashkuara nga NATO. Një perspektivë e marrë në konsideratë nga Politico, e cila, duke imagjinuar një konflikt me rusët, vë në dyshim se sa e gatshme është Evropa për t’u përballur me Vladimir Putin pa ndihmën e Uashingtonit.

Escalation: Nuclear War in Europe | Panzer Division Games

Evropa e pambrojtur

Për momentin Evropa është e pambrojtur. Siç shpjegon Benjamin Tallis, një ekspert në qendrën DGAP, “evropianët jo vetëm që nuk janë të përgatitur për luftë, por as nuk po përgatiten për një eventualitet të tillë”. Një rrethanë e konfirmuar nga Daniel Fried, ish-ambasador amerikan në Poloni, për të cilin Kontinenti i Vjetër” nuk ka aftësinë për të mbrojtur veten ” dhe për të mbrojtur vendet baltike pa SHBA. Sipas shefit të mbrojtjes norvegjeze, gjeneral Eirik Kristoffersen “duhen tre vjet për të investuar edhe më shumë në sektorin e mbrojtjes”. Për më tepër, në nivel numerik, por jo në cilësi, Rusia ia kalon Evropës në tanke, artileri dhe avionë, duke ndarë 4.4% të PBB-së për shpenzimet ushtarake. Që nga viti 2006, vendet e NATO-s kanë nënshkruar angazhimin për të arritur objektivin e shpenzimeve prej 2% të PBB-së për mbrojtjen, por vetëm 11 nga 31 vende kanë arritur objektivin e premtuar.

“Ombrella bërthamore”

Përballë rikthimit të mundshëm të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Manfred Weber, lideri i grupit më të madh politik në BE, u bëri thirrje evropianëve që të përgatiten për luftë pa mbështetjen e SHBA-së, por edhe të ndërtojnë ombrellën e tyre bërthamore. Weber është kreu i Partisë Popullore Evropiane (EPP), një grup që përfshin HDZ, CDU dhe një numër partish të qendrës së djathtë dhe aktualisht parashikohet të fitojë numrin më të madh të mandateve përsëri në zgjedhjet e PE në qershor. “Ne duam NATO-n, por gjithashtu duhet të jemi mjaftueshëm të fortë për të mbrojtur veten pa të ose me të në kohën e Trump”, tha Weber në një intervistë telefonike me “Politico” në rrugën e tij nga një udhëtim me tren në Kiev. “Pavarësisht se kush zgjidhet në Amerikë, Evropa duhet të jetë në gjendje të qëndrojë më vete në aspektin e politikës së jashtme dhe të jetë në gjendje të mbrohet në mënyrë të pavarur”, tha konservatori gjerman. NATO aktualisht mbështetet në kokat bërthamore amerikane, të vendosura në Belgjikë, Gjermani, Itali, Holandë dhe Turqi.

Propozimi i Francës

Brenda BE-së, i vetmi vend që mund të luajë një rol më të madh në këtë rast është Franca, e cila posedon rreth 300 koka bërthamore. Në vitin 2020, presidenti francez Emmanuel Macron nxori idenë e një parandalimi bërthamor evropian të udhëhequr nga vendi i tij dhe më pas bëri thirrje për një “dialog strategjik mbi rolin e parandalimit bërthamor francez në sigurinë kolektive evropiane”. Megjithatë, Gjermania në atë kohë nën udhëheqjen e Angela Merkelit nuk e pranoi atë ofertë dhe dy vjet më parë, Franca e ftoi sërish Berlinin për të biseduar, duke kujtuar se “oferta është ende në tavolinë”. Sipas Weber, tani është koha për të rikthyer idenë e ndërkombëtarizimit të “Force de frappe” ose “forca goditëse”, emri i forcave bërthamore franceze të zhvilluara në vitet 1960 nga Presidenti Charles de Gaulle për të treguar se vendi i tij nuk është i varur nga SHBA. Ky është gjithashtu vizioni i Weberit: “Ne duhet të pranojmë ofertën e Macron dhe të mendojmë se si armët bërthamore franceze mund të inkorporohen edhe në strukturat europiane.”Ai kujtoi se edhe pse nuk është më anëtare e BE-së, fuqia e dytë bërthamore evropiane është Britania e Madhe, me pak më pak se 260 koka luftarake, me të cilën është koha që BE të bashkëpunojë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN