Gazetari Fatos Mahmutaj ka komentuar në një intervistë televizive ngjarjet më të nxehta për drejtësinë shqiptare që ende vazhdojnë të alarmojnë politikën. Si fillim ai ka folur për 21 Janarin 2011, protestë në të cilën ai mbeti i plagosur. Gjithashtu ai ka qenë dhe dy ditë më parë në SPAK, në lidhje me aferën CEZ-DIA, që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 414 milionë euro. Për këtë dosje janë akuzuar kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ish-kryeministri Sali Berisha, si dhe djali i tij, Shkëlzen Berisha. Mësohet se Mahmutaj është marrë në pyetje për një intervistë që ka bërë me bashkëshorten e Kastriot Ismailajt, pronar i kompanisë DIA, i vetmi person që është dënuar për aferën. Mahmutaj ka rrëfyer në SPAK detaje për intervistën që ka bërë me Vojsava Ismailajn. Mahmutaj theksoi se bashkëshortja e Ismailaj e ka akuzuar Metën se i ka bërë presion bashkëshortit të saj dhe madje i ka marrë edhe para. Më poshtë po pasurojmë një pjesë të intervistës së zotit Mahmutaj.
-Zoti Mahmutaj, kanë kalur 13 vite nga protesta e 21 janarit 2011, ku asokohe Garda e Republikës vrau 4 qytetarë të pafajshëm dhe u plagosën disa të tjera, njëri prej të cilëve jeni ju. Do doja që të na përshkruaje fillimisht mënyrën se si je goditur?
Unë ndodhesha në platformën e gazetarëve. Gjithë të tjerët ishin qytetarë që bënin foto me celular. Isha shumë afër Hekuran Dedës dhe mënyra se si u qëllua nuk e di nëse u qëllua për mua apo për dikë tjetër. Në një platformë ishin 20 ose 25 persona. Breshëria e plumbave ishte e drejtpërdrejtë dhe u qëllua nga Agim Llupo, emrin më vonë ja mësova. Ai qëlloi drejt nesh dhe kam fiksuar pamjen e tij dhe ai trungu i pemës u dëgjuan mbi 4 ose 5 plumba që u përplasën në të. Në dorë kisha telefonin tek veshi dhe isha live në ato momente. Nuk e di të them nëse ishte plumbi im që kapi Hekuran Dedës apo ishte plumbi i radhës që doli nga arma. Mua më shpo dorën dhe doli nga ana tjetër. Aty u qëllua për të goditur dikë, mundësia ishte që ato do goditej dikush. Në të njëjtin moment janë qëlluar pothuajse të gjithë. Intervalet janë pothuajse pak sekonda nga njëri-tjetri. Unë i kam parë dy personat që kanë qëlluar, më vonë i kam identifikuar. Agim Llupo ishte me maskë, plus nuk e njihte njeri. Unë kam parë dy persona, flaka e armëve të të cilëve u bë një lloj mjegulle. U errë dhe flaka e armëve dallohej qartë. Agim Llupo, e kishte të dirigjuar tytën e armës drejt nesh. Ndërkohë, nga tarraca e kryeministrisë me kënd sipër, dikush tjetër qëlloi. E kam parë vetë. Më vonë më thanë që ky është shefi i sigurisë i Sali Berishës, Arjan Adhami që ka qëlluar me pistoletën e Andrea Prendit. Unë e kam dëshmuar këtë në prokurori.
-Janë transmetuar disa pamje të reja që janë marrë nga serveri i Kryeministrisë sepse ti ke qenë aty?
Në ato momente dy kameraman kanë qenë me mua po sa televizione ishin atëherë dhe janë sekuestruar nga prokuroria dhe kaq mjafton që të bëhet hetimi. Ato janë pamje ekstra. Pamjet kanë ekzistuar, viktimat janë po aty, të plagosurit një pjesë e të plagosurve u largua jashtë vendit në mënyrë të fshehtë nga frika e persekutimit. Të paktën 45 persona thotë Strasburgu, dëshmitë e këtyre njerëzve, si janë goditur, nga cili kënd erdhi plumbi etj. Dëshmitë se si janë qëlluar dhe nga erdhën plumbat, kemi kangjellat e kryeministrisë të cilat unë shkova i pash dhe më pas, edhe pash që prokurorët e Tiranës, grupi i hetimit trajtohej në një formë skandaloze. Kam qenë prezent kur një ushtar i thjeshtë i gardës, i thoshte mos u afroni 10 metër nga kangjellat e kryeministrisë sepse kam urdhër t’ju qëlloj. Pra, kam qene prezent vetë kur ka ndodhur kjo. Dy prokurorët e çështjes ikën, nuk kishin çfarë bënin. Imagjino ku kishte arritur puna dhe sa keq kishte arritur puna. Dëshmia ime nuk është marrë asnjëherë. Madje për ironi të fatit shkova në mjekësinë ligjore, sepse prokuroria më orientojë për të bërë ekspertizën dhe shefja atje e mjekësisë ligjore më tha që ti duhet të jesh goditur në shtëpi. E nxora telefonin dhe mora një nga prokurorët e Tiranës dhe i tregova dhe më tha hajde të bësh kallëzimin penal. Shkova në zyrën e tij dhe më tha nuk kam vizore. Nuk kam aparat fotografik dhe ia nxora vetë. Tani mund të bësh një ekspertizë për këtë dhe tha do ta bëjë. Unë e kam bërë në Belgjikë ekspertizën pak kohë më pas, por nuk e di sa vlen për drejtësinë shqiptare.
-Pse ke ardhur në Tiranë?
Në Tiranë kam ardhur për të dëshmuar për një proces që puna si gazetar më ka ngatërruar dhe me këtë histori, për të dëshmuar rreth një interviste që i kam realizuar në fillim të vitit 2016 zonjës Vojsava Ismailaj, gruaja e Kastriot Ismailajt, i pandehuri kryesor i çështjes “CEZ-DIA”. E kam bërë unë atë intervistë dhe është publikuar pak minuta para se Ilir Meta të zgjidhej president i Shqipërisë. Kjo çështje u bë e bujshme atëherë, dhe dosja u delegua në SPAK. Prokuroria hapi hetimet në 2019. Mua nuk më kishin kontaktuar asnjëherë për këtë çështje. Jam nisur enkas për këtë dhe në Rinas emrin tim e kishin vënë me të kuqe dhe shkova në SPAK. Më pyetën nëse gjatë intervistës, unë kisha vërejtur zonjën Ismailaj që kishte presion nga dikush apo e bënte me vullnet të plotë. Përgjigjja ime për SPAK ishte që, përkundrazi ajo ishte e interesuar për ta dhënë këtë intervistë se një ditë ajo mund të eliminohej ajo ose bashkëshorti i saj. Akuza e saj direkte ka qenë direkt mbi Ilir Metën. Unë e kam vënë re atë që ishte në ankth për jetën e saj, të fëmijëve të saj dhe për jetën e burrit të saj, që atëherë ndodhej në burg. Edhe ma ka thënë shprehimisht, që babëzia e Ilir Metës për të kërkuar para nga neve tejkalon kërkesën e parave, pra ai mund të tejkalojë në çdo lloj krimi tjetër dhe jam detyruar ta takoj në një vend europian për arsye etike dhe ajo ma ka dhënë këtë intervistë nga halli, duke menduar që herët apo vonë mund t’i ndodhte diçka, por t’i ngelet diçka. Kam dëshmi dhe prova për çështje të tjera për SPAK. Të gjitha këto i kam të regjistruara dhe në arkivat e drejtësisë belge.