Presidenti Bajram Begaj, për shkak se fjala e tij u pengua në Kuvend, foli nga Presidenca, ku tha kishte zgjedhur që këtë herë të komunikonte drejtpërdrejtë me deputetët për shkak rrethanave që shoqëruan mbylljen e sesionit të kaluar.
Begaj, në deklaratën e tij, bëri thirrje për dialog politik mes palëve dhe deputetëve u kërkoi që të gjejnë gjuhën e përbashkët.
“Isha përgatitur që fjalën ta mbaja në Kuvend. Nuk është hera e parë që i drejtohem me mesazh në nisjen e sesionit të ri, sot zgjodha të komunikoj drejtpërdrejtë me deputetët për shkak të rrethanave që shoqëruan mbylljen e sesionit të kaluar.
Çelja e punimeve të sesionit të ri, ishte një mundësi e mirë që deputetët të nisnin një jetë të re politike. Me dashurinë për Shqipërinë, respektin për qytetarët, ju deputetë mund të gjeni gjuhën e përbashkët ku mbizotëron dialogu, ku opozita dhe pozita bashkëpunojnë për të mirën e vendit”, tha Begaj.