Analistja Brizida Gjikondi, e ftuar në “Special Report” u shpreh se Basha prej vitesh ka dhënë propozime të mira që i shërbejnë demokracisë, por kur vjen puna te veprime konkrete ai ka frikë dhe largohet.
Sipas saj, Basha është një politikan, i cili ka frikën më të madhe sesa kurajën për të vepruar.
“Ka 11 vjet dhe është në stilin e tij, që disa propozime i ka disa të mira për demokracinë shqiptare, por kur vjen puna te vepra, ai ikën. Ka frikën më të madhe se kurajën. Për hapjen e listave nuk e ka Basha në dorë, ai është një vendim që është marrë nga Gjykata Kushtetuese”, tha ajo.
Përballë gazetarit Arlind Isa, Gjikondi tha se Basha në fjalim e sotëm para gazetarëve prodhoi më shumë diskurs politik se realitet.
“Po të dëgjoje fjalën e Bashës, ai prodhonte më shumë politikë se sa realitet”, shtoi Gjikondi.
Në fillim të konferencës me gazetarët Lulzim Basha tha se PD-ja të hënën që vjen do të dërgojë një amendament në Kuvend, ku do kërkojë që Shqipëria t’i ndajë 5 miliardë lekë të reja ndihmë ushtarake shtetit të Kosovës.
Por si duhet parë ky propozim i tij, për këtë juristja dhe analistja Brizida Gjkondi bëri këtë koment të shkurtër, por shumë të drejtpërdrejtë: “E quaj të shëmtuar. Basha u çua nga gjumi letargjik. Basha ishte totalisht i zhdukur prej kohësh në politikën shqiptare, pavarësisht se thotë që ka qenë në takime nëpër Shqipëri. Është një propozim i papjekur”, theksoi Gjikondi.