Sali Berisha prej tre ditësh në arrest shtëpie ka kërkuar lirinë në Apel.
Avokatët e Sali Berishës kanë dorëzuar në gjykatën e Apelit ankimimin për masën e sigurise arrest shtëpie me mbikqyrje ndaj ish kryeministrit Sali Berisha në hetim lidhur me aferën e privatizimit të kompleksit sportiv Partizani.
Të shtunën e 30 dhjetorit gjyqtarja Irena Gjoka vendosi arrest shtëpiak për ish-kryeministrin Sali Berisha, pas një sërë përpjekjesh të tij për të zvarritur këtë proces. Komunikimin e masës nga oficerët e policisë, Berisha e priti po nga banesa e tij, ku do të ushtrohen kontrolle periodike nga policia për të parë nëse po respekton masën e arrestit apo jo.
I vënë në hetim nga SPAK për korrupsion pasiv në bashkëpunim për privatizimin e ish-kompleksit Partizani në territorin e të cilit dhëndri i tij Jamarbër Malltezi ndërtoi kulla, edhe ai në arrest shtëpiak, Sali Berisha, reagimin e tij të parë e pati vetëm pak orë pas arrestit në shtëpi.
Ai e quajti hakmarrje të verbër politike, ndërsa në bllok pas tij sulm ndaj opozitës e quajtën edhe i biri Shkëlzen Berisha, kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, por edhe Gazment Bardhi. Deri më tani asnjë reagim nuk ka ardhur nga PD zyrtare e Lulzim Bashës.