Muzeu “Vendi i Dëshmisë dhe i Kujtesës” është i pari vend i hapur në Shqipëri për të kujtuar viktimat e diktaturës. Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci ndau sot në rrjetet social, imazhet nga i pari muze historik në Shqipëri, që përkujton viktimat që vuajtën dënimin në burgjet e regjimit komunist.
“Sot ky muze vjen për të gjithë si një vend kujtese dhe peligrinazhi, si dëshmi e së kaluarës duke u kthyer si pikëtakim për turizmin historik në Shkodër”, është shprehur Beci online.
Muzeu është autentik pasi është hapur në ish ambientet e burgut të Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, e cila ishte në funksion në këto hapësira nga viti 1946 deri më 1991. Bëhet fjalë për një vend autentik vuajtjesh ku kanë kaluar me qindra apo mijëra qytetarë shkodranë, të cilët kërkonin një jetë të lirë e të njëjtë me qytetarët e tjerë evropianë e që vuajtën për shkak të bindjeve të tyre.
Qelitë e vuajtjes dhe salla e ekspozimit janë dy prej mjediseve më të rëndësishme të këtij muzeu. Ndër personazhet e njohur që kanë kaluar përmes këtyre mjediseve ka qenë edhe At Zef Pllumi, i arrestuar në vitin 1968.