Nuk është më një sekret që Stefano Pioli e ka mbyllur me Milan, ky është sezoni i tij i fundit në krye të “djallit”. Nëse kuqezinjtë nuk shkojnë “pikiatë”, pra nëse situata nuk përkeqësohet edhe më shumë, Pioli do të qëndrojë deri në fund, në të kundërt, mund të ketë ndonjë shkarkim më të shpejtë. Drejtuesit e Milanit, me në krye Ibrahimovic, po punojnë për ekipin e së ardhmes që do të nis me një trajner të ri. Është e qartë që ky grup ka nevojë për një trajner të ri, për t’i dhënë ekipit impulse të reja, emri i vetëm që mund të bëjë këtë është Antonio Conte.
Tekniku “azzurr” është emri i vetëm i lirë në qarkullim që i përmbush të gjithë kriteret, Ibra po punon këtë periudhë për të rezervuar shërbimet e tij në mënyrë që ta nisin sezonin e ri me një tjetër projekt, për këtë arsye nuk po nxitojnë as në këtë merkato dimri.
Piolit nuk i mbetet gjë tjetër vetëm ta mbyll me nder, të kap të paktën një vend mes katër ekipeve të para në Serie A, pra të kualifikojë Milan në Champions, ndërsa maksimumi do të ishte të fitonte një trofe, tani në valle ka mbetur vetëm Europa League.