MENU
klinika

Pse ideja nuk është mirëpritur në Bruksel?

Italia kërkon formimin e ushtrisë europiane

08.01.2024 - 20:37

Bashkimi Evropian duhet të formojë ushtrinë e tij të kombinuar që mund të luajë një rol në ruajtjen e paqes dhe parandalimin e konfliktit”, tha ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani. Në një intervistë për gazetën italiane “La Stampa”, Tajani tha se bashkëpunimi më i ngushtë evropian për mbrojtjen ishte prioritet për partinë Forza Italia që ai drejton. “Nëse duam të jemi paqeruajtës në botë, na duhet një ushtri evropiane. Dhe ky është një parakusht themelor për të qenë në gjendje të kemi një politikë të jashtme evropiane efektive,” tha ai në një intervistë të botuar dje .

“Në një botë me lojtarë të fuqishëm si Shtetet e Bashkuara, Kina, India, Rusia – me kriza nga Lindja e Mesme deri në Indo-Paqësorin – qytetarët italianë, gjermanë, francezë apo sllovenë mund të mbrohen vetëm nga diçka që ekziston, përkatësisht Bashkimi Evropian”, shtoi ai. Kujtojmë se iniciator i idesë për një ushtri europiane ka qenë presidenti francez Emmanuel Macron, por ideja nuk u mirëprit në Bruksel, me arsyetimin se do të ishte tentativë për të zëvendësuar NATO-n. Bashkëpunimi evropian i mbrojtjes është ngritur në axhendën politike që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia pothuajse dy vjet më parë. Megjithatë, përpjekjet kanë qenë më të përqendruara në zgjerimin e NATO-s, me Finlandën që iu bashkua aleancës vitin e kaluar dhe Suedia gjithashtu në rrugën e duhur për t’u bërë anëtare. Tajani tha gjithashtu se BE duhet të përmirësojë udhëheqjen dhe të ketë një presidencë të vetme, në vend të strukturës aktuale të një presidenti të Këshillit Evropian dhe një presidenti të Komisionit Evropian. Ai u bë udhëheqës i Forza Italia pas vdekjes së Silvio Berlusconit vitin e kaluar.