Plot 13 vite më parë u ekzekutuan nga armët shtetërore 4 qytetarë të pafajshëm gjatë një proteste në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa drejtësia dënoi minimalisht vetëm dy persona, ndërsa ata që urdhëruan krimin nuk u hetuan kurrë. Rajmonda Nika, e përfaqësuar nga avokati Idajet Beqiri ka çuar në Gjykatën e Lartë rekursin për të rihapur hetimet për vrasjet e “21 Janarit”. Më 27 shkurt merret vendimi, por një gjë është e sigurt, hetimet për këtë ngjarje të rëndë pritet të marrin kthesën e madhe, pasi autoritetet e huaja pritet të sjellin prova tronditëse që fundosin Sali Berishën. Kjo do të bëjë që drejtësia ta ketë më të lehtë se kurrë për të gjetur fajtorin kryesor dhe për të goditur Berishën, pasi ky i fundit ka pranuar hapur me gojën e tij se ishte ai që dha urdhrin për të vrarë protestuesit. Nga ana tjetër vendimi i Strasburgut pritet të rihapë dosjen që solli FBI, 9 vite më parë. Kur ndodhi vrasja, u kërkua ndihma e FBI për të bërë ekspertime, por që më pas ndikimi politik bëri që këto ekspertime të mos merren për bazë. Mund të bëhet riekspertimi hetimor për caktimin e drejtimit të qitjes për vrasjen e shtetasve Aleks Nika dhe Hekuran Deda si dhe plagosjen e shtetasve Fatos Mahmutaj, Sokrat Gode, Erald Bisha, Artes Dybeli, Llia Qesko dhe Ilia Papa.
Thellohen hetimet
Sipas informacioneve pritet që nga organi i akuzës të shihen sugjerimet e FBI dhe zbulimet e saj për të shkuar te një akt ekspertimi i ri. Përpara se SPAK të futet në lojë, si fillim Prokuroria e Tiranës, u shpreh dje se do të kërkojë angazhimin e ndërkombëtarëve. Një tjetër element është se mund të kërkohet rishikimi i të dhënave të kapura nga pamjet filmike. FBI në atë kohë bëri dhe një ekspertim të serverit të kamerave të Kryeministrisë, i cili u fshi pas ngjarjes. Këtë shqetësim e ngriti dhe Strasburgu. Po ashtu pritet të sigurohen dëshmi të reja. Në një njoftim zyrtar për mediat, Prokuroria bën me dije se është marrë në pyetje gazetari Artan Hoxha, i cili një vit më parë ka deklaruar se disponon një material audio, në lidhje me ngjarjen. “Me qëllim disponimin e provës materiale, kasetë audio, sipas kërkesave procedurale ligjore është pyetur shtetasi Artan Hoxha, me detyrë gazetar, si edhe familjarët e viktimës Aleks Nika, të cilët sipas shtetasit Artan Hoxha, disponojnë materialen audio”, njofton Prokuroria. Sipas prokurorisë, familjarët e Aleks Nikës, kanë deklaruar se ky material nuk do të dorëzohej në funksion të hetimeve që zhvillon Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, por para Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion, në momentin që ky procedim do të hetohet prej tyre.
Deklaratat e Artan Hoxhës
Hoxha u shpreh ditën e djeshme se prokurorët e Tiranës duhet të kishin thirrur për të dëshmuar kryeministrin Edin Rama, ish presidentin e republikës, Ilir Meta, ish kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, Bamir Topin dhe ish-prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama. “Për rastin konkret, për një ngjarje kaq të rëndësishme duhet të thërrasësh kryeministrin që është sot në detyrë, ish presidentin e republikës zotin Meta, ish kryeministrin zotin Sali Berisha, ish-ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, Bamir Topin që ka qenë në detyrë, ish-prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, ti duhet të thërrasësh elitën politike të vendit, minimalisht të dëshmojnë, lëre pastaj që duhet të ishin nën hetim, ata duhet të dëshmojnë, ata kanë marrë shkresa, Berisha ka folur mbi raporte që i kanë shkuar në dorë”, tha Hoxha.
Provat
Sipas tij, çështjen duhet ta marrë SPAK. “Edhe nga kallëzimet që u bënë vitin e kaluar, SPAK i ktheu mbrapsht, për sa kohë Prokuroria e Tiranës që po e heton çështjen për 13 vite, nuk heq dorë nga kjo çështje, prokuroria e Tiranës bazat e vendimit që kanë ardhur nga Strasburgu duhet t’ia kalonte çështjen, duhet të shpallte moskopetencën dhe t’ia kalonte çështjen një shkalle tjetër që ta gjykonte qoftë në gjyqësor, qoftë në nivelin tjetër të prokurorisë, për ta lënë vendimin që çështjen ta marrë SPAK, dikush tjetër, dhe pse është e rëndësishme ta marrë SPAK-u, sepse vitin e kaluar në momentin kur nxorëm regjistrimin nuk ka ndodhur asgjë. Është thënë që predha që vrau Aleks Nikën, që u gjet në kokën e Aleks Nikës është çuar për rininspektim në Itali, atë e ka riekspertuar laboratori laboratori më i mirë i FBI-së. Janë të përcaktuara qartë, prokuroria duhet t’i kishte ndjekur”, tha Hoxha.
Çfarë ndodhi atë ditë?
Ndërkohë gazetari Artan Hoxha theksoi dje në media se Prokuroria ka dështuar me hetimin. Ai gjithashtu paraqiti në emision një regjistrim të komunikimit audio mes gardistëve, ku dëgjohet qartë që drejtuesi i Gardës urdhëron për hapjen e zjarrit ndaj protestusve. “Duhet të hapet zjarr luftarak, ky është urdhëri, gjakos, qëllo”, dëgjohet në regjistrimin që disponon gazetari Hoxha. “Nuk ka nevojë prokurori të më kërkojë mua, kur unë e bëj publike. Ajo është bërë publike, vendoset në dosje dhe vijon puna. Nëse përbën provë e vendos gjykata. Ky material, që është marrë me diktofon, një njeri me akses mbi radiot e drejtuesve e ka përdorur diktofonin dhe e ka regjistruar komunikimin, para, gjatë dhe pas vrasjeve. Pas vrasjeve komunikimi është edhe më i ftohtë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Vendimi 100 që është dhënë nuk bazohet në prova dhe fakte. Nuk kemi vrasje aksidentale nga plumba rikoshetë, por me vrasje që janë bërë me urdhër në mënyrë të koordinuar dhe me armë të shtetit shqiptar. Ata nuk janë thjesht rekrutë që mund të kenë humbur toruan, por me drejtuesin më të lartë të gardës. Nuk e dorëzuam materialin, sepse nuk kishim besim se do të hetohej dhe pas një viti tregon se kemi patur të drejtë. Materiali i publikuar nga media, të con në, a ekziston ky server? Kjo na e tregoi ekspertiza e FBI, për kamerat, që tha se serveri është fshirë pasi është kopjuar materiali. Në rastin konkret i sollëm prokurorisë një fakt që ky material ekziston dhe ka edhe provën që vendimi i parë i gjykatës është i padrejtë. “Duhet të hapet zjarr luftarak, ky është urdhri”. “Gjakos, qëllo”. Pastaj vjen urdhri i dytë pas shtatë sekondave për të ndaluar. Në një fragment për 7 sekonda ka ndodhur kjo hata. Pas 13 vitesh, një ngjarje kaq e dokumentuar është pa autor. Ne merremi me predhën, se kush armë e nxori, kur në fakt është ngjarje krejt tjetër. Ngjarja është me një dimension tjetër. Nuk është punë gardistësh. Kjo është një çështje krejt tjetër. Vendimi i Gjykatës së Strasburgut është një shpresë, sepse çertifikoi se ky është një krim shtetëror”, nënvizoi dje gazetari Hoxha.