MENU
klinika

Kreu i bandës së trafikut të drogës, një 39-vjeçar shqiptar

Kapet kokainë me vlerë 2.4 milionë euro në një kontejner në portin e Hamburgut

15.01.2024 - 21:26

Një bandë e dyshuar e trafikantëve të drogës nga zona e Bremenit të Gjermanisë ka rënë në rrjetën e hetuesve të grupit të përbashkët të hetimit të drogës (GER) të Zyrës së Hetimit të Doganës së Hanoverit dhe LKA Bremenit.

Grupi rreth një të dyshuari kryesor 39-vjeçar nga Shqipëria, dyshohet se kishte kontrabanduar 48 kilogramë kokainë nga Amerika e Jugut, tha zyra e hetimit doganor në Hanover, raportojnë mediat gjermane.

Kokaina, me vlerë rrugore 2.4 milionë euro, u zbulua të enjten e kaluar në portin e Hamburgut në një kontenier me letër kopje.

Hetuesit sekuestruan kokainën dhe e përdorën kontejnerin si karrem.

Kur një kompani transporti solli kontejnerin në Bremen të premten, nisi dhe aksioni: “Ndërsa kontejneri ishte duke u shkarkuar, gjashtë të dyshuar u arrestuan nga forcat speciale,” tha Julia Söllner, zëdhënëse për Zyrën e Hetimit Doganor të Hanoverit.

Menjëherë pas arrestimeve të para, 14 prona në Bremen, Stuhr, Ganderkesee dhe Delmenhorst u kontrolluan herët në mëngjesin e së shtunës.

Hetuesit arrestuan përkohësisht 5 persona të tjerë.

Zyra e Hetimit të Doganës së Hanoverit njoftoi gjithashtu se urdhrat e arrestit tani janë lëshuar kundër pesë të dyshuarve nga Gjykata e Qarkut në Bremen.

Gjatë kontrolleve, hetuesit sekuestruan 160 gramë kanabis, peshore precize, makineri izolimi me vakum, steroid anabolikë, telefona celularë të ndryshëm, kompjuterë dhe mjete ruajtjeje si dhe dokumente transporti për kontejnerë dhe dokumente të tjera si provë.

Gjithashtu janë sekuestruar tre makina, llogari të ndryshme, 900 euro cash dhe një orë e cilësisë së lartë.

Operacioni u mbështet nga forcat e zyrave kryesore doganore në Hamburg dhe Bremen dhe forcat policore të Bremenit, Saksonisë së Poshtme dhe Mecklenburg-Pomeranisë Perëndimore, si dhe njësitë e tyre speciale.

Hetimet e mëtejshme nga Zyra e Hetimit Doganor të Hanoverit janë në vazhdim.