MENU
klinika

Mbledhja informale e qeverisë në Shëngjin

Kikia: Rama fillon fushatën për zgjedhjet parlamentare 2025

09.01.2024 - 20:18

Gazetari Mentor Kikia e ka konsideruar mbledhjen informale të qeverisë në Shëngjin, si një nisje të fushatës për zgjedhjet parlamentare 2025. Në një lidhje skype për “Studio Live” me gazetarin Arbër Hitaj në Report Tv, Kikia tha se në këtë përfundim doli pasi pjesë e takimit dyditor të qeverisë, janë edhe drejtues politikë të qarqeve.
“Këto ndryshime janë të befta dhe historia ka treguar se as vetë protagonistët nuk dinin gjë, as ata që emëroheshin e ata që shkarkoheshin. Mbledhja e nivelit të gjerë, ajo që po ndodh në Lezhë nuk është thjesht mbledhje qeverie por janë të ftuar drejtues politikë të qarqeve. Është një lloj ‘shkundjeje’ në nivel administrativ dhe politik dhe besoj se nga Shëngjini mund të fillojë edhe ajo që unë e quaj ‘fushata e zgjedhjeve parlamentare 2025’”- u shpreh Kikia.
Ndërsa analisti Plator Nesturi tha se mbledhja informale e qeverisë në Shëngjin është më shumë si një lloj përpjekje e Ramës për të çuar qeverisjen në një nivel tjetër për të treguar se maazhoranca nuk është fituese vetëm për shkak të gjendjes ku ndodhet opozita por edhe për shkak se po vepron në funksion të mirëqeverisjes.