MENU
klinika

Davosi bëhet qendër e bisedimeve

Kurti dhe Vuçiç takohen sot me ndërmjetësin e BE

15.01.2024 - 13:04

Në Davos të Zvicrës sot do të nis punimet Forumi Ekonomik, ku pjesë e tij do të jenë edhe liderët nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë forum që do të zgjasë deri më 19 janar, do të marrin pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Gjithashtu në takim do të jetë edhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak.

Sipas Zëri.info Lajçaku pritet që në kuadër të këtij forumi të ketë takime ndaras me Kurtin dhe Vuçiç.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Sano, duke konfirmuar këto takime sqaroi se megjithatë nuk pritet të ketë takim trepalësh.

Sidoqoftë pjesëmarrja e të gjithëve në këtë forum nga analistët në Prishtinë po shihet si mundësi e mirë që do të shfrytëzohet nga ndërmjetësi i BE-së për rikthim të palëve në tavolinën e bisedimeve.

Takimi i fundit Kurti-Vuçiç në kuadër të dialogut është mbajtur në shtator të vitit të kaluar, që pati përfunduar pa rezultat.

Ndryshe takimi vjetor i Forumit Ekonomik Botëror këtë vit ka temën ‘Rindërtimi i besimit” dhe mbahet nga 15-19 janar 2024.

Takimi i 54-të vjetor i Forumit Ekonomik Botëror do të ofrojë një hapësirë vendimtare për t’u fokusuar në parimet themelore që nxisin besimin, duke përfshirë transparencën, qëndrueshmërinë dhe llogaridhënien.

Ky takim vjetor do të mirëpresë mbi 100 qeveri, të gjitha organizatat kryesore ndërkombëtare, 1000 partnerë të Forumit, si dhe drejtues të shoqërisë civile, ekspertë, përfaqësues të rinjsh, sipërmarrës socialë dhe media.