MENU
klinika

Zbardhen lidhjet me vendet “armike” të SHBA

Kush e ka financuar Trump në mandatin e parë?

09.01.2024 - 22:07

Këtë javë, demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA publikuan raportin e shumëpritur të titulluar “Shtëpia e Bardhë është në shitje”, i cili në 156 faqe të detajuara dëshmon se ish-presidenti Donald Trump gjatë mandatit të tij katërvjeçar në Uashington ka fituar të paktën 7.8 milionë dollarë nga 20 burime të huaja. Kushtetuta e SHBA-së i ndalon zyrtarët publikë të marrin dhurata, donacione ose pagesa që mund të interpretohen si përpjekje për të ndikuar në pushtet, pa miratimin e qartë të Kongresit. Sipas raportit të hetimit të nisur në vitin 2016, në fillim të mandatit të Trump, më së shumti donacione, 5.5 milionë dollarë, Trump ka marrë nga ambasada kineze dhe kompanitë e lidhura me Partinë Komuniste të atij vendi.

Kinezët paguan miliona të diskutueshme për kostot e qëndrimit dhe përdorimit të pronave dhe hoteleve të Trump, si në Uashington ashtu edhe në Las Vegas dhe Nju Jork. Donatori i dytë është Arabia Saudite, e cila në ato katër vite ka paguar pak më shumë se 615 mijë dollarë në llogarinë e kompanisë së Trump. Eric Trump , djali më i vogël i ish-presidentit, u përpoq të shpjegonte për redaksinë e NYT se qiraja njëzetvjeçare e zyrës në Trump Tower ishte kontraktuar nga Banka e Kinës në vitin 2008, pothuajse një dekadë para se ai të vinte në pushtet. “Këto akuza janë të çmendura sepse nuk ka asnjë president në historinë e SHBA-së që ka mbajtur një qëndrim më të ashpër ndaj Kinës se babai im”, pohoi Trump Jr. Republikanët nga Dhoma e Përfaqësuesve theksojnë se Trump, ndryshe nga Biden, ka një biznes të mirëfilltë, prandaj ata nuk e konsiderojnë të pazakontë faktin që Donald Trump ka mbledhur shuma disa milionëshe duke mbajtur poste publike.