Një skenë e shëmtuar u transmetua dje gjatë mbledhjes së zhvilluar në Komisionin e Medias. Një debat mes demokratëve, agravoi gjatë kësaj mbledhjeje.
Ku Flamur Noka dhe Gazment Bardhi kanë debatuar ashpër ditën e sotme, duke dhënë edhe një shfaqje aspak të këndshme. Përplasja ishte me kryetaren e Komisionit, Flutura Açka.
Gjatë një interviste në emisionin “Real Story” , deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi u shpreh shumë e indinjuar lidhur me këtë situatë. Kushi ka ndarë edhe një bisedë që ka zhvilluar me Flutura Açkën pas këtij incidenti, duke treguar se kjo e fundit është shprehur këmbëngulëse që mbledhja të zhvillohet në mënyrë fizike dhe jo online.
“Sot jam ndjerë shumë e turpëruar, e indinjuar e zemëruar. Mendoja që ajo që kemi parë në seancat plenare, flakët, karriget ishin maksimumi, por sot turpi ishte edhe më i madh. Të shihje dy burra deputetë të opozitës të sulmonin tre gra, turp. Flutura Açka gjithmonë ka këmbëngulur që mbledhjet të bëhen fizikisht dhe jo online. Sot në një diskutim që patëm pas incidentit, Açka kërkonte që përsëri mbledhjet të bëhen fizikisht”, tha Kushi.