MENU
klinika

Kriteret

Manja: Ja kategoritë e të dënuarve që përfitojnë dhe përjashtohen nga amnistia penale

24.01.2024 - 22:00

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja shpjegoi kriteret dhe kategoritë që përfitojnë nga amnistia penale. Ministri tha në “Real Story” se nga kjo nismë përfitojnë të gjithë gratë dhe burrat që janë dënuar për një vepër me dënim deri në 4 vite burg ose që iu ka mbetur më pak se 4 vite burg për të kryer.

Ata që janë të dënuar për vrasje, edhe nëse iu ka mbetur më pak se 4 vite burg, nuk përfitojnë nga amnistia. Ministri shtoi se përjashtohen gjithashtu nga nisma edhe personat e dënuar me burgim të përjetshëm. Kategoria e tretë që nuk përfiton janë të dënuarit nga GJKKO për të gjitha ato vepra që janë në kompetencën e kësaj gjykate.

“Nga amnistia përfitojnë të gjithë gratë që janë dënuar për një vepër deri në 4 vjet burgim ose që iu ka ngelur pa vuajtur nga dënimi 4 vjet. Burrat deri në tre dhe që iu kanë ngelur më pak se tre. Ka edhe kufizime sepse jo për të gjitha veprat qoftë burra apo gra janë kategori përfituese. Përfitojnë edhe të miturit brenda atyre kufizimeve që ka përcaktuar ligji. Ka një numër të konsiderushëm veprash ku personat e dënuar nuk përfitojnë. Por në të gjitha rastet, iu zbritet një vit dënim burrave dhe një vit e gjysmë për gratë. Kush nuk përfiton? Personat e dënuar për vrasje, krime kundër jetës edhe nëse iu ka mbetur tre vjet ose më pak, edhe sikur t’u kenë ngelur edhe gjashtë muaj. Nuk përfitojnë. Të dënuar për vrasjen e një gruaje shtatzësnë, e një fëmije të mitur, kush është dënuar për vrasje në rrethana cilësuese, nuk përfitojnë. Nuk përfitojnë personat e dënuar me burgim të përjetshëm. Kur kanë vuajtur fizikisht pa ulje që bën gjykata, pa vitet e përfituara me amnisti, kur kanë vuajtur jo më pak se 35 vjet burgim në rrethana të jashtëzakonshme mund të bëjnë kërkesë për lirim para kohe me kusht në gjykatë. Nëse ka humbur komplet familjen dhe mund t’i ketë ngelur për të mbajtur kujdesi për fëmijën, bashkëshorten apo prindërit. Nuk përfitojnë as ulje një vit burrat. Dhe kategoria e tretë që nuk përfitojnë janë të dënuarit nga GJKKO për të gjitha ato vepra që janë në kompetencën e kësaj gjykate. As ata që janë dënuar nga SPAK apo gjykata e juridiksionit të përgjithshëm. Flitet për vendime të formës së prerë deri më 30 Nëntor 2023. A mund të përfitojë një person që e ka dënuar gjykata e posaçme por nuk është zyrtar i lartë publik, nuk është dënuar për korrupsion apo në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal? Po, nëse për shembull një person i dënuar nga gjykata e juridiksionit të përgjithshëm me vendim të formës së prerë, është dënuar për falsifikim dokumentash, burrë me tre vite burgim dhe që përfiton nga kjo amnisti…nëse vendimi i gjykatës së posaçme kundër korrupsionit i formës së prerë të ka dënuar për këtë vepër, dhe të ka rënë akuza e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, në barazi të plotë juridike përfiton edhe ky person, pavarësisht se është dënuar nga GJKKO. Ata që nuk përfitojnë si kategori janë zyrtarët e lartë publik, subjektet e deklarimit të pasurisë, veprat penale të korrupsionit dhe ata që janë dënuar për grup të strukturual kriminal.”, u shpreh ministri.

I pyetur nëse përfitojnë të paraburgosurit nga amnistia, Manja tha:

“Përfitojnë në lidhje me amnistrinë mbi ndjekjen penale. Kemi ndjekur rregullin që pushohen ndjekjet penale për të gjitha çështjet në hetim dhe në gjykim që nuk kanë marrë formën e prerë dhe që dënohen deri në 2 vjet. Janë plagosja e lehtë me dashje, fyerja, të gjitha këto pushohen si çështje por edhe brenda kësaj kategorie, edhe pse dënohen për dy vjet, nuk përfitojnë. Çfarë ka të bëjnë me lirinë personale, me cënimin e nderit dhe dinjitetin e personit, edhe pse është kundravajtje penale, i kemi përjashtuar si kategori përfituese.”, shtoi Manja.