Ditën e sotme Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë në orën 10:00 padinë e deputetëve të grupimit të Gazment Bardhit dhe Sali Berishës për marrëveshjen me Italinë për emigrantët.
Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim në 13 dhjetor, kërkesën e bërë nga 30 deputetë të grupit Berisha-Bardhi lidhur me marrëveshjen Itali-Shqipëri, e cila konsiderohet nga ata anti-kushtetuese.
Marrja në shqyrtim e kërkesës nga Gjykata Kushtetuese, solli automatikisht pezullimin e ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend, gjë që ishte planifikuar të bëhen në seancën plenare të 14 dhjetorit. Kryeministri, Edi Rama nuk preferoi të jepte komente, duke thënë se një gjë e tillë është në të drejtën e Gjykatës Kushtetuese.
30 deputetë demokratë dorëzuan me 6 dhjetor 2023 në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për deklarimin të papajtueshëm me Kushtetutën të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët, të nënshkruar në 6 nëntor 2023 në Romë nga kryeministrat Rama e Meloni.
Grupimi Berisha-Bardhi kërkoi njëherazi nga gjykata ndalimin, si dhe pezullimin e procedurave për ratifikimin e protokollit nga Kuvendi.
“Edi Rama nuk mund të vendosë për fatin tonë në shkelje të të drejtave të njeriut. Kjo nuk ka të bëjë fare më marrëdhënien tonë me Italinë, të cilat do jenë gjithmonë e më të mira.”, tha grupi Bardhi-Berisha.
Por në padinë e tyre, deputetët që mbështesin Berishën e Bardhin pretenduan se marrëveshja është negociuar dhe nënshkruar në mungesë të autorizimit nga Presidenti i Republikës që bie ndesh me Kushtetutën, Konventën e Vjenës për të Drejtën e Traktateve dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.
Drafti për marrëveshjen për emigrantët, u miratua në qeverinë italiane në 5 dhjetor dhe u dërgua në parlamentin italian për miratim.
Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve.
Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal pritës është 3 mijë shtretër.