MENU
klinika

Çfarë pritet këtë vit?

Marrëveshjet Kosovë-Serbi nën hijen e tensioneve në veri!

02.01.2024 - 13:39

Entuziazmi që mbretëroi në Bashkimin Evropian pas arritjes së marrëveshjes bazë mes Kosovës e Serbisë dhe aneksit për zbatimin e saj u shua shpejt pasi mungoi vullneti për zbatim. E pas shpërthimit të tensioneve në veri që kulmuan me sulmin terrorist në Banjskë, BE-ja u mor me menaxhimin e krizës. Për pasojë, asnjëra prej pikave të dakorduara nga marrëveshja e fundit nuk ka nisur së implementuari

Vendet më me peshë të Bashkimit Evropian (BE) e edhe Shtetet e Bashkuara (SHBA) ndezën motorët në fillimvit për t’iu dhënë fund mospajtimeve Kosovë-Serbi, pak kohë pasi u larguan barrikadat në fund të 2022-s. Por, largimi i pengesave dhe pas disa muajsh arritja e marrëveshjes që u proklamua si sukses i madh nga Brukseli, nuk u dha fund tensioneve në veri.

Ani pse palët u zotuan gojarisht për zbatim të marrëveshjes që bazohet në planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, situata përshkallëzoi me protestat më të dhunshme vitet e fundit në veri dhe një sulm terrorist nga një grup paraushtarak serb në Banjskë të Zveçanit, nga i cili mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Viti 2023 nisi me kërkesat e ndërkombëtarëve për zbatimin e ujdisë së vjetër – asaj për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në mungesë të veprimeve nga ana e Qeverisë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara më 31 janar inicioi konsultime me opozitën dhe palët e tjera të interesit.

Por kryeministri Albin Kurti që nuk ishte ftuar në takim e cilësoi të padrejtë insistimin e ndërkombëtarëve për Asociacionin, dhe kërkoi që 33 marrëveshjet me Serbinë të vendosen në rrafsh horizontal. Por shprehu gatishmëri për diskutime mbi bazën e propozimit të BE-së, i njohur si plani franko-gjerman.

Plani e edhe përgatitjet për takimin e parë Kurti-Vuçiç në 2023-n, më 6 shkurt e sollën në Prishtinë emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Marrëveshje pa nënshkrim

Në takimin e 27 shkurtit, Kurti dhe Vuçiçi u pajtuan rreth dokumentit 11-pikësh të BE-së, por munguan nënshkrimet në dokument. Sipas marrëveshjes, Serbia nuk do të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, ndërsa “palët nuk kanë të drejtë të inkurajojnë të tjerët të bllokojnë rrugën e njëra-tjetrës drejt BE-së”.

Dokumenti parasheh të njihen dokumentet përkatëse, si diplomat, targat dhe vulat doganore. Autoritetet në Kosovë e prezantuan marrëveshjen si njohje de-facto nga Serbia. Kjo, meqë dokumenti parasheh njohjen e simboleve shtetërore dhe respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetit. E, me nenin 7 u rikonfirmua ngritja e Asociacionit, për të cilin Serbia ka insistuar prej vitesh.

Presidentja Vjosa Osmani tha se shteti pranoi propozime jo të lehta dhe tha se fjalën e fundit për të duhet ta thotë Kuvendi. Por, veç diskutimeve dhe përplasjeve rreth dialogut, mungoi vendimmarrja në institucionin ligjvënës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, as dy ditë nuk i qëndroi pas dakordimit për të cilin Joseph Borrell tha se ai dhe kryeministri Albin Kurti ishin pajtuar.

Ndonëse neni katër i planit përcakton se Serbia nuk e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, Vuçiçi tha hapur se nuk e respekton atë.

“Nuk flitet për njohje, as për Kosovën në OKB”, tha ai. “Prandaj as që kam nënshkruar asgjë… Unë nuk do ta zbatoj njohjen e Kosovës, as anëtarësimin në OKB”.

Ndaj deklaratës së Vuçiçit reagoi kryeministri Kurti, i cili kërkoi ndërhyrjen e BE-së

“Presidenti i Serbisë u zotua mbrëmë se do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kjo do të përbënte një shkelje të qartë të nenit të 4 të propozimit të BE-së”, tha kryeministri Kurti.

“Normalizimi i marrëdhënieve është i mundur vetëm nëse të dyja palët negociojnë në mirëbesim. Serbia me sa duket ka vendosur të mos e bëjë këtë”.

Më 9 e 10 mars, emisari Lajçak takoi liderët institucionalë dhe politikë të Kosovës, prej ku tha se pritjet e tij nga Prishtina u përmbushën.

Prishtinës e Beogradit, ai dhe shefi i tij, Joseph Borrell, takuan liderët e rajonit dhe ata të BE-së, për t’i njoftuar rreth dialogut. Në javën kur Lajçaku vizitoi Kosovën, Vuçiçi gjatë një turi në qytetet e Serbisë paralajmëroi se nuk është i gatshëm ta nënshkruajë në takimin e Ohrit as Aneksin për zbatimin e marrëveshjes së arritur paraprakisht.

Aneksi që s’u zbatua

BE-ja vijoi angazhimet për Aneksin, të cilin palët e pranuan ngjashëm si edhe marrëveshjen – vetëm gojarisht. Ishte sërish Vuçiqi që refuzoi ta vendoste firmën mbi dokumentin për të cilin palët thanë se ishte shumë më i zbehtë sesa synohej fillimisht.

Pas 12 orë negociatash, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Borrell, tha se Marrëveshja dhe Aneksi mes Kosovës dhe Serbisë konsiderohen të aprovuara.

Palët dhanë interpretime të ndryshme përkitazi me nenin 7, të cilit kryeministri Kurti iu referua si “vetëmenaxhim” të komunitetit serb që nuk del përtej kornizës ligjore e kushtetuese të Kosovës.

“Marrëveshja bazë është njohje e ndërsjellë ‘de fakto’ nga ana e Serbisë. Unë besoj që është platformë solide për të ecur përpara, andaj është e pranueshme për neve”, kishte deklaruar Kurti.

E teksa foli për Asociacionin, Vuçiçi kërkoi të zbatohen dokumentet e nënshkruara nga dialogu i mëhershëm.

“Nuk mund të zgjedhësh atë që pëlqen. Është dokument i nënshkruar. Ju e keni nënshkruar, mu për këtë ju duhet ta realizoni. Është një rregull shumë konkret”, kërkoi ai.

Veç mungesës së nënshkrimit, problemet nisën të shfaqeshin se cila prej pikave ka epërsi në zbatim.

Më 23 mars, Kurti shpalosi ofertën për Asociacionin, e të cilën nuk ia pranuan ndërmjetësit. Propozimi mbështetej në letrën që ish-shefja e BE-së, Federica Mogherini, ia pati dërguar ish-kryeministrit Isa Mustafa; aktgjykimin e Kushtetueses për Asociacionin, i nxjerrë në vitin 2015; si dhe qëndrimin e zyrtarëve amerikanë- Chollet dhe Escobar, të publikuar në KOHA.

Edhe pse Borrelli ua bëri të qartë palëve se janë të kota përpjekjet për ta vënë në dyshim atë që është dakorduar, më 17 prill u shkel afati i parë – ai për themelimin e një Komiteti të Përbashkët Monitorimi, për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes.

Pasi Kosova deponoi aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 22 maj, marrëveshja u shkel haptas nga ana e Serbisë. Veç votës kundër, Serbia kërcënoi edhe anëtarët tjerë që votuan pro aplikacionit të Kosovës.

Paraprakisht u bëri thirrje serbëve që t’i bojkotojnë zgjedhjet lokale të 23 prillit, të cilat duhej të mbaheshin pas dorëheqjes së kryetarëve serbë të katër komunave në veri.

Ngjallja dhe shuarja e Ekipit menaxhues

Takimi i 2 majit mes Kurtit e Vuçiqit ishte për Asociacionin, kryefjalë e të cilit u bë drafti i propozuar nga Ekipi menaxhues i përbërë nga serbë, një nga të cilët deputet i Serbisë. Lidhur me ekipin, për të cilin prej vitesh nuk dihej se çfarë aktivitetesh ka zhvilluar, Ministria e Pushtetit Lokal publikoi tri vendime mbi bazën e të cilave ai ka funksionuar. Qeveritarët thanë se kjo trupë, ndonëse formalisht e formuar nga ekzekutivi, nuk ka raportuar e as nuk i është përgjigjur ftesës për t’i koordinuar veprimet.

E drafti të cilin e prezantuan, u refuzua nga kryeministri Kurti pasi nuk përfshinte asnjërën prej vërejtjeve që pati dhënë Gjykata Kushtetuese. Megjithatë, zyrtarë të Brukselit thanë se ai duhej të shërbente si bazë për veprimet e mëtejshme rreth Asociacionit. Ekipi u shkarkua nga Qeveria një ditë më vonë, veprim që u kritikua nga BE-ja.

Pasi kundërshtoi dokumentin e Ekipit menaxhues, kryeministri Kurti publikoi draftvizionin e tij, por që nuk u pranua nga BE-ja. Edhe takimi i 13 majit në nivel të kryenegociatorëve u përshkua me përplasje rreth Asociacionit. Liderët e Kosovës iu rikthyen akuzave ndaj zyrtarëve të BE-së të përfshirë në dialog, se kanë vënë parakusht themelimin e Asociacionit për zbatimin e pikave të tjera të marrëveshjes.

“Ne presim që BE-ja të mos kërkojë që të zbatohen gjëra për të cilat nuk jemi pajtuar. Ndërkaq të kërkohet pikërisht ajo që janë pajtuar Kosova dhe Serbia. Ne presim akoma që BE-ja të jetë e qartë në raport me shkeljet e Serbisë. Deri tani nuk e kemi parë një gjë të tillë”, u ankua më 13 maj presidentja Vjosa Osmani.

Qeveria e Kosovës doli edhe kundër adaptimit të një metodologjie për zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes së Brukselit, kërkesë kjo që u bë nga Lajçak. Mes tjerash, ai propozoi një dokument për sekuencimin e zbatimit të Marrëveshjes Bazike.

Diskutimet rreth këtyre dokumenteve ngecën pasi më 29 maj shpërthyen tensionet në veri. Ndodhi kjo pas vendosjes së kryetarëve shqiptarë në objektet komunale që deri para 23 prillit menaxhoheshin nga Lista Serbe. Dialogu mbeti nën hije dhe Brukseli u mor me menaxhimin e krizës.

Nga protestat e dhunshme, ku epiqendër patën Zveçanin, e pësuan pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të KFOR-it dhe gazetarët. Krahas kërkesës për shtensionimin e situatës, ndërkombëtarët vlerësuan se themelimi i Asociacionit është çelës për zgjidhjen e problemeve.

Veç dialogut, tensionet afektuan edhe marrëdhëniet e Kurtit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, pasi ky anuloi mbledhjen e përbashkët, të planifikuar mes dy qeverive. Ky u pa sanksion i parë ndaj Kosovës, e që u pasua më vonë edhe nga masat e BE-së, si kundërpërgjigje ndaj Qeverisë, së cilës iu faturua përgjegjësia për tensionet në veri.

Rama tentoi të përfshihet edhe në diskutimet rreth dialogut, kur më 8 qershor ua dorëzoi liderëve evropianë një draftstatut për Asociacionin, i cili asnjëherë nuk u bë publik. Refuzimi i Qeverisë që t’i largojë njësitë speciale nga objektet komunale bëri që BE-ja për herë të parë t’i vendosë Kosovës masa sanksionuese. Paraprakisht, SHBA-ja anuloi pjesëmarrjen e FSK-së në operacionin ushtarak, “Defender Europe 2023”.

Dakordimi për hapat e parë drejt shtensionimit të situatës në veri të vendit u arrit më 10 korrik në Bratislavë, pas takimit të Lajçakut me kryenegociatorin kosovar, Besnik Bislimi. Kosova nisi largimin e njësive speciale në masën prej 25 për qind dhe u pajtua për mbajtjen e zgjedhjeve të reja atje.

Me këto veprime, dialogu u vendos në pushim veror pa ia vënë pikën asnjërës prej çështjeve të dakorduara. E mungesa e vendimmarrjes nga ana e BE-së për t’ia hequr masat sanksionuese Kosovës u pa si levë presioni për t’u siguruar se nuk do të ketë tensione të tjera në veri.

Alarmi, pas sulmit në Banjskë

Dialogu rinisi me takimin e 14 shtatorit mes Kurtit e Vuçiçit, por i cili nuk prodhoi asnjë rezultat. Derisa Kurti tha se s’mundi të pranojë kompromis mes propozimit të tij me sekuencë dhe kushtëzimit të Serbisë për formimin e Asociacionit, Vuçiçi insistoi në këtë të fundit. Borrelli fajësoi Kurtin, meqë, sipas tij, refuzoi propozimin që palët të nisin paralelisht zbatimin e kërkesave.

E Kurti akuzoi Borrellin e Lajçakun se e kanë kthyer në qëndrim të tyre kushtin e Serbisë për Asociacionin. Mungesa e përparimit në dialog rriti shqetësimet për tensione të reja në veri, të cilat kulmuan saktësisht 10 ditë pas takimit në Bruksel.

Mëngjesin e 24 shtatorit, një grup paraushtarak serb me sasi të konsiderueshme të armatimit hyri në fshatin Banjskë të Zveçanit. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Nga ana e sulmuesve u konfirmuan tre të vrarë, ndërkaq të tjerët ikën për në Serbi.

Për udhëheqësit e Kosovës, vazhdimi i dialogut u konsiderua i pakuptimtë, e BE-së iu kërkua që të marrë masa ndaj Serbisë, si organizatore e sulmit. Ndëshkimi për Serbinë mungoi, e zyrtarë të BE-së u kërkuan palëve rikthim në tryezën e negociatave.

Plan i ri për Asociacionin

Plan të ri për ecjen përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë ofruan emisarët europerëndimorë gjatë vizitës së tyre në Prishtinë dhe Beograd, më 21 tetor.

E, në një deklaratë të përbashkët të kancelarit gjerman, presidentit francez dhe kryeministres italiane “u përkthye” përmbajtja e Marrëveshjes Bazë, që gjatë vitit palët nuk i bënin interpretim të njëjtë. Kosovës iu kërkuan veprime të shpejta për themelimin e Asociacionit, e Serbisë për herë të parë njohja “de facto” e Kosovës.

Pesë ditë më vonë, propozimi u diskutua në takimet e ndara që Kurti e Vuçiq patën me liderët e shteteve kryesore të Bashkimit Evropian. Por sërish mungoi dakordimi.

Edhe pse Kurti ishte gati t’i nënshkruante Marrëveshjen bazë, Aneksin dhe propozimin e ri për themelimin e Asociacionit, BE-ja e shpërndau përgjegjësinë tek të dyja palët, me arsyen se u vendosën parakushte.

Kohën kur diplomatët perëndimorë shtuan përpjekjet për jetësimin e propozimit të ri, Vuçiqi i shpalli zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Me këtë iu rikthye diskursit të vjetër që shkon në drejtim të kundërt me atë që po kërkojnë diplomatët ndërkombëtarë.

E Asociacioni vazhdon të nxisë polemika të brendshme në Kosovë.

Shqetësime lidhur me draftin, të cilin e kanë parë vetëm përfaqësuesit më të lartë shtetërorë dhe liderët opozitarë, ka shprehur edhe presidentja Osmani. Ajo inicioi edhe një tur takimesh me liderët e partive politike.

Në pritje të dakordimit final mes Kosovës e Serbisë, siguria në veri vazhdon të mbetet prioriteti kryesor.

Për këtë ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, çoi porosi se shkaktimi i trazirave nënkupton përballje me NATO-n.