MENU
klinika

Zbritje 1% të vlerës për çdo vit përdorimi

Taksimi i pasurive të paluajtshme/ Miratohet formula e re

18.01.2024 - 18:15

Miratohet formula e re për taksimin e pasurive të paluajtshme në rast shitjeje, dukë përfshirë zbritje 1% të vlerës për çdo vit përdorimi, por zbritja nuk do të jetë më shumë se 30% e çmimeve të referencës.

Në zbatim të ligjit të ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe agjencia e Kadastrës Shtetërore publikuan në Fletoren zyrtare udhëzimin e përbashkët “Për tatimin mbi të ardhurat nga tjetërsimi i pasurive të paluajtshme”. Udhëzimi hyn në fuqi me fillimin e efekteve të ligjit nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar.

Udhëzimi përcakton se zbritja prej 1% në vit do të aplikohet për të gjitha llojet e pasurive të paluajtshme, si: apartamentet, dyqanet, parkim të mbuluar dhe bodrume, parkim të hapur, pishinë e hapur, ambiente sportive të hapura, ndërtimet për veprimtari industriale, si: fabrika, magazina, depo, silos, magazina frigoriferike të produkteve ushqimore, si dhe ndërtimi, që përdoren për bujqësi dhe blegtori, apo veprimtari mbështetëse.

Për të gjitha këto ndërtesa çmimeve të referencës, do t’i zbritet 1% e vlerës për çdo vit të plotë shtesë përdorimi, duke filluar nga data e fitimit të titullit të pronësisë për herë të parë.

“Zbritja prej 1% do të aplikohet për të gjitha llojet e pasurive të paluajtshme të cituara në germat “a” deri në “dh” të kësaj pike. Kjo zbritje nuk duhet të jetë më e madhe se 30% e çmimit të referencës të përcaktuar në aneksin nr. 1 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 132, datë 7.3.2018, “Për metodologjinë për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme “ndërtesa”, e bazës së taksës për kategori specifike, natyrën dhe prioritetin e informacionit dhe të dhënave për përcaktimin e bazës së taksës, si dhe të kritereve dhe rregullave për vlerësimin alternativ të detyrimit të taksës”, citohet në udhëzim.

Udhëzimi përcakton se në rastet e shitjes së ndërtesave (përjashtuar apartamentet dhe ndërtimet e përfituara me legalizim) me koeficient amortizimi mbi 50%, vlera e shitjes së pasurisë së paluajtshme për efekt të tatimit do të përcaktohet nga persona të licencuar për vlerësimin e pasurive të paluajtshme, dhe do të merren parasysh nga ASHK-ja vetëm një herë (për një transaksion të realizuar).

Në rastet kur vlera e ndërtesës e vlerësuar nga një ekspert vlerësues i licencuar është më e vogël se gjysma e vlerës e përcaktuar sipas çmimeve referuese, për efekt të vlerës në shitje të pasurisë, merret në konsideratë vlera e përcaktuar nga eksperti vlerësues i licencuar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çmimet e banesave për metër katror

“Një apartament sot, i paarritshëm për qytetarët”