MENU
klinika

Analiza

Motorri i ekonomisë kërkon naftën

06.01.2024 - 16:04

Gjigandët energjetikë vazhdojnë të mbështeten (dhe fort madje) tek lëndët djegëse fosile, duke gjetur vendburime të reja. Dhe “ëndrrat e gjelbra” të Evropës duhet të presin.

Ndërsa Evropa vazhdon në utopinë e saj të dekarbonizimit me detyrim, gjigantët e naftës ende besojnë se fundi i karburanteve fosile i përket librit të ëndrrave të Brukselit. Dhe vazhdojnë rrugën e tyre. Në botën e energjisë është krijuar një hendek midis politikave të ndjekura nga institucionet ndërkombëtare, plot me qëllime të mira për shpëtimin e planetit, dhe realitetit të ekonomisë botërore, e cila, për të ecur përpara, për të krijuar zhvillim, për të përmirësuar kushtet e jetesës, ka ende nevojë për naftë dhe gaz, dhe për këtë arsye është gjithmonë e nevojshme kërkimi dhe nxjerrja e tyre.

Alberto Clò, ekonomist dhe studiues autoritar i botës së energjisë, reflekton: “Evropa e gjen veten të shtypur, mes frontit lindor me luftën e Ukrainës, e cila ka pasoja në furnizimet me gaz, dhe jugut, me luftën e Lindjes së Mesme që na tregon se sa rëndësi ka ende nafta. Brukseli bën sikur nuk i vëren çështjet kritike në lidhje me furnizimin me energji. Pas 7 tetorit çmimet e gazit u rritën deri në 50 për qind dhe kjo do të ketë pasoja në kostot përfundimtare të energjisë elektrike dhe gazit, deri në çmime të mbrojtura”.

Gjigantët e naftës e dinë mirë këtë situatë dhe vazhdojnë të kenë naftën dhe gazin si biznesin e tyre kryesor, nga i cili nxjerrin përqindjen më të lartë të fitimeve. Kjo shpjegon megablerjen nga Exxon Mobil të konkurrentit Pioneer Natural Resources. Bashkimi, me vlerë 59.5 miliardë dollarë, e vendos prodhuesin amerikan të naftës dhe gazit në kontroll të vendburimit më të madh në Shtetet e Bashkuara. Chevron, gjigandi kalifornian që bleu Hess-in, lëvizi me shpejtësi në një transaksion aksionesh me vlerë 53 miliardë dollarë. Me këtë operacion, prodhimi i Chevron do të rritet me më shumë se 10 për qind.

Në tremujorin e dytë, kompania kaliforniane prodhonte pothuajse 3 milionë fuçi naftë në ditë, ndërsa prodhimi i Hess arriti në 387,000 në të njëjtën periudhë. Kjo e fundit është shumë aktive edhe në Guajana, ku ka 30 për qind të aksioneve në një kompani kërkimi nafte dhe llogaritet se në vitin 2024, do të arrijë në 480 mijë fuçi në ditë.

Në katër vitet e fundit, Exxon dhe Hess kanë bërë mbi 30 zbulime në shtetin e Amerikës së Jugut dhe Hess identifikoi një depozitë të madhe në Gjirin e Meksikës, në vitin 2023. Dy operacione që nuk janë parë në më shumë se njëzet vjet dhe, në mënyrë paradoksale, pikërisht në kohën kur fushata për energjitë e rinovueshme po merr vrull. Dhe nuk janë të vetmit. Reuters shkroi se prodhuesi i gazit Chesapeake Energy po konsideron blerjen e Southwestern Energy.

Gjigantët amerikanë janë të bindur se kërkesa për lëndë djegëse fosile do të mbetet e lartë për një kohë të gjatë. Dhe këtë e thotë edhe OPEC, në World Oil Outlook 2023. Kërkesa globale do të arrijë në 116 milionë fuçi në ditë deri në vitin 2045 (në 2022 ishte 99.6). Në vitin 2028 duhet të arrijë në 110.2 milionë fuçi në ditë, pra +10.6 milionë në krahasim me vitin 2022. Për më tepër, është një skenar i matur, i cili duhet vënë në pikëpyetje nëse rritja ekonomike e Indisë, Kinës, Afrikës dhe Lindjes së Mesme përshpejtohet.

Sekretari i Përgjithshëm i OPEC-ut, Haitham al-Ghais fton Evropën të bëjë një dush realizmi. “Thirrjet për të ndalur investimet në projektet e reja të naftës janë të gabuara dhe mund të çojnë në kaos energjetik dhe ekonomik.” OPEC pretendon se investimet në sektorin e naftës që arrijnë në 14 trilion dollarë, do të nevojiten për të përmbushur parashikimet afatgjata të kërkesës, rreth 610 miliardë mesatarisht në vit.

Skenari i përshkruar nga IEA, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, është i një natyre tjetër, ai shpreh bindjen se jemi “në fillim të fundit” të epokës së karburanteve fosile. Sipas parashikimeve të tij, kërkesa për qymyr, naftë dhe gaz do të arrijë kulmin përpara vitit 2030 dhe konsumi i burimeve tradicionale do të ulet me hyrjen në fuqi të politikave klimatike. Por duke qenë se jemi ende larg objektivit për të reduktuar ngrohjen globale me 1.5 gradë Celsius në krahasim me nivelet para-industriale, duhet bërë më shumë.

Një tjetër konfirmim se si po ecën sektori vjen nga një raport i Greenpeace: në vitin 2022 vetëm 0.3 për qind e prodhimit të 12 furnizuesve kryesorë evropianë të lëndëve djegëse fosile vinte nga burime të rinovueshme. Vitin e kaluar, rreth 7.3 për qind (d.m.th. 7.1 miliardë dollarë) të investimeve të kompanive të pyetura, shkuan në këtë lloj energjie, ndërsa rreth 88.15 miliardë dollarë financime shkuan për operacionet e karburanteve fosile.

Marsin e kaluar, administrata amerikane e udhëhequr nga Joe Biden, i cili gjithashtu flet shumë për respektin ndaj mjedisit, miratoi projektin e naftës Willow të ConocoPhillips, i cili përfshin shpimin në tre zona në Rezervën Kombëtare të Naftës, në Alaskë, për të arritur nxjerrjen e 629 milionë fuçive naftë bruto gjatë 30 viteve të ardhshme. Grupet amerikane ende ndjekin strategjinë “nafta e para”.

Norvegjia, vendi më i rëndësishëm prodhues i naftës dhe gazit në Evropë, vazhdon të kërkojë depozita të reja. Këtë vit, do të shpohen 35 puse eksploruese, duke u rritur në 36 në vitin 2024. Jez Averty, nënkryetar Equinor për burimet nëntokësore, specifikoi se strategjia është të “sigurojë që platforma kontinentale norvegjeze të nxjerrë pikat e fundit, fuçitë e fundit për t’i mbijetuar konkurrencës.”

Vendi skandinav, edhe pse akordon fonde të konsiderueshme për zhvillimin e burimeve të rinovueshme dhe ka potencialin të mos përdorë lëndë djegëse fosile, vazhdon me realizëm të madh në kërkimin të depozitave detare. Investimet në industrinë e naftës dhe gazit të Norvegjisë në Detin e Veriut do të arrijnë një rekord prej 21 miliardë dollarësh këtë vit. Sektori i naftës kontribuon afërsisht për 40 për qind të eksporteve të vendit dhe 14 për qind të PBB-së së tij. Do të ishte e pamatur të hiqje dorë prej saj.

Analistët në Scope Ratings përshkruajnë këtë skenar: «Grupet evropiane po zgjedhin rrugë të ndryshme sepse nuk ka konsensus se kur do të fillojë kalimi në karburantet me emetim të ulët, për të reduktuar kërkesën globale për naftë. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë pret që kjo të ndodhë deri në vitin 2030, OPEC pas vitit 2035, Administrata e Informacionit të Energjisë së SHBA-së jo para vitit 2050. Pra, grupet e integruara të naftës dhe gazit po i përshtaten naftës”.

Evropa duket indiferente ndaj asaj që po ndodh, me besimin se burimet e rinovueshme janë ilaçi për të gjitha sëmundjet. Gazi dhe nafta përfaqësojnë mbi 50 për qind të konsumit të energjisë dhe janë faktorë kritikë që do të ndikojnë në çmimet përfundimtare dhe inflacionin. Ne harrojmë se që nga viti 2005, gjashtë mijë miliardë janë investuar në burimet e rinovueshme që përfaqësojnë më pak se 5 për qind të konsumit total të energjisë, ndërsa lëndët djegëse fosile përbëjnë ende 82 për qind të nevojave. Kemi nevojë për realizëm që të mos vazhdojmë të dëmtojmë veten. / Bota.al