MENU
klinika

Ekonomia, Kultura dhe Inovacioni

Nis puna për organigramin e ministrisë së re, ja si do të ndahet puna mes Gonxhes dhe Metes

20.01.2024 - 13:56

Ndryshimet fundit në kabinetin qeveritar dhe sidomos krijimi i Ministrisë së re të Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit shkaktuan jo pak habi.

Me vendime të kryeministrit Edi Rama, ekzekutivi shqiptar ka tashmë edhe një portofol të ri, i cili preku drejtpërdrejt dy ministri, atë të Kulturës dhe të Ekonomisë e Financave.

Kultura u shkri, e po ashtu një pjesë e rëndësishme e ministrisë që drejtohej nga Ervin Mete, kaloi nën patronazhin e ministrisë e re që drejtohet nga Blendi Gonxhe.

Me këtë rikonceptim Ervin Mete do të jetë përgjegjës vetëm i financave të shtetit. Ndërkohë që selia e ministrisë që drejtohet prej tij nuk do të ndryshojë.

Për ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ende po punohet për ndarjen e fushave të përgjegjësisë. Mësohet se selia kryesore e Ministrisë së Blendi Gonxhes, ku do ketë zyrën vetë ministri dhe drejtuesit kryesore të këtij dikasteri, do jenë në qendër, por ende nuk është vendosur se në cilën godinë. Ndërkohë që do jenë në përdorim edhe ambientet e ish-Ministrisë së Kulturës.