MENU
klinika

Uashingtoni jashtë loje

Një superfuqi bërthamore po lind në Lindjen e Mesme

17.01.2024 - 09:30

Fakti që SHBA-të, të mbështetura nga Britania, u detyruan të përdorin forcën në përgjigje të sulmeve të Houthi-ve që bënë “kërdi” në Detin e Kuq, pasqyron një realitet të pakëndshëm: ndikimi politik i Uashingtonit po zbehet. Të pafrikësuar, Houthis u zotuan të vazhdojnë sulmet e tyre. Ky përshkallëzim nënvizon një tjetër fakt të parë me frikën përfundimtare në Perëndim: fuqia dominuese në Lindjen e Mesme nuk janë më SHBA-të, me ndihmën e Egjiptit, Arabisë Saudite dhe Izraelit. Fuqia e re dominuese është tani aleati kryesor i Houthis, Irani, sipas analistit të “The Guardian”, Simon Tisdall. Houthi-t thonë se masakra e tmerrshme në Gaza çoi në nisjen e ofensivës së tyre në Detin e Kuq. Megjithatë, nga pikëpamja strategjike, është e qartë se kush qëndron pas kësaj krize. Duke luftuar përmes ndërmjetësve të tij, Hamasi, Hezbollahu dhe Houthis, pozicioni i Iranit forcohet me çdo viktimë palestineze, çdo raketë të Hezbollahut, çdo bombë në Irak dhe Siri, çdo dron Houthi.

Miqtë e Iranit

Më “i mençur” se në të kaluarën, Irani ndërmori hapa pragmatikë me rivalët e tij të Gjirit vitin e kaluar, duke rivendosur marrëdhëniet diplomatike me Arabinë Saudite. Por nuk ka dashuri mes Riadit dhe Teheranit. Aspekti më domethënës i asaj marrëveshjeje ishte se Kina e ndërmjetësoi atë. Kina dhe Rusia janë miqtë e rinj më të mirë të Iranit, duke e bërë atë një fuqi për t’u marrë në konsideratë. Lufta në Ukrainë dhe pakti i mëparshëm kino-rus i “bashkëpunimit pa kufij” ishin katalizatori për këtë tranzicion. Lufta dhe pasojat e saj kanë kristalizuar besimin në Pekin dhe Moskë se lidershipi global amerikan pas Donald Trump është në tërheqje dhe se rendi ndërkombëtar, i bazuar në rregullat e mbikëqyrura nga Uashingtoni, është gati për ndryshim. Që kur Xi Jinping mori pushtetin më shumë se një dekadë më parë, Kina ka krijuar sfera të ndikimit gjeopolitik dhe ekonomik për të kundërshtuar dhe, nëse është e mundur, për të zëvendësuar Amerikën. Irani është në qendër të planeve të Xi.

“Flota e errët”

Në vitin 2021, Irani dhe Kina nënshkruan një pakt strategjik 25-vjeçar për investime dhe energji. Nën sponsorizimin kinez, Irani iu bashkua grupit BRICS dhe Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait. Në një komplot me Pekinin për të anashkaluar sanksionet, Irani shet miliona fuçi naftë bruto çdo muaj në Kinë me një zbritje, të transportuar atje me cisterna të “flotës së errët” (një flotë e përfshirë në aktivitete që shkelin ligjin ndërkombëtar). Pas vitesh stagnimi dhe trazirash të ashpra të brendshme politike dhe sociale, ekonomia e Iranit po rimëkëmbet. Në shkurt, Xi i tha presidentit iranian Ebrahim Raisi se Kina mbështet luftën e Iranit kundër “unilateralizmit dhe bullizmit” të SHBA. Për sa i përket Rusisë, gjithçka ka të bëjë me armët. Irani furnizon dronë të armatosur që Moska i përdor për të vrarë ukrainasit. Po ashtu, nga ana tjetër, vendi mund të marrë së shpejti dorëzimin e avionëve luftarakë të avancuar rusë SU-35 dhe helikopterët sulmues, produkt i një “partneriteti të paprecedentë të mbrojtjes”. Eksportet ruse në Iran po lulëzojnë. Moska ka premtuar 40 miliardë dollarë për të zhvilluar fushat e saj të gazit natyror.

Bomba atomike

Për më tepër, programi i ndaluar i Iranit për pasurimin e uraniumit lidhur me armët bërthamore thuhet se po përparon me shpejtësi. Është një autogol që mund t’i atribuohet braktisjes së Traktatit të Mospërhapjes nga Trump. Biden shpresonte ta ringjallte atë, por hoqi dorë. Rusia dhe Kina nuk janë më të interesuara për të. “Irani i ka mbijetuar sanksioneve dhe protestave të brendshme. Një bombë bërthamore është e arritshme”, shkruan analistët e Ruel Mark Gerecht dhe Ray Takei. Madje, makthi i Izraelit, mund të jetë më afër se kurrë. Pas 45 vjet përpjekjesh, Irani është më në fund “fëmija i madh në bllok”. Sanksionet dhe kërcënimet kundër Teheranit kanë dështuar. SHBA, Britania dhe Izraeli përballen me një kundërshtar të frikshëm, pjesë e një aleance me 3 koka, mbështetur nga milici të fuqishme e fuqi ekonomike. Një qasje e re diplomatike nevojitet urgjentisht nëse do të shmanget një konflikt më i gjerë.