MENU
klinika

Sot mblidhet pas 2 vitesh Komisioni i Reformës Zgjedhore

OSBE apel deputetëve: Ktheni normalitetin në Kuvend!

19.01.2024 - 10:58

Ditën e sotme, pas 2 vitesh, do të rimblidhet në orën 11:00 Komisioni për Reformën Zgjedhore.

Ky komision bashkëdrejtohet nga Damian Gjiknuri nga Partia Socialiste dhe Enkelejd Alibeaj nga Partia Demokratike.

Mbledhja e këtij Komisioni vjen pas takimeve që u zhvilluan me përfaqësuesit e OSBE në vendin tonë.

OSBE/ODIHR ka theksuar gatishmërinë se është e gatshme për të asistuar një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse.

Mesazhi u përcoll edhe nga kryesuesja e misionit të OSBE (17 janar) përmes një postimi në rrjetet sociale, pasi përmbylli ciklin e takimeve me bashkëkryetarët e reformës zgjedhore, Damian Gjiknurin e Enkelejd Alibeajn, edhe me Gazment Bardhin.

OSBE u bëri thirrje të gjithë deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë që të normalizohet procesi parlamentar. Përfaqësuesit e OSBE në Tiranë bëjnë po ashtu me dije se po përkushtohen maksimalisht në Reformën Zgjedhore

“Çmojmë partneritetin tonë me Kuvendin e Shqipërisë. U bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të kontribuojnë për një proces parlamentar të qetë e funksional. Punimet e papenguara dhe dialogu konstruktiv në komisione janë thelbësore. Përkushtimi ynë për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe në kohë mbetet i fortë. Angazhimi pozitiv i të gjithëve është vendimtar për të pasur sukses!”, thuhet në deklaratën e OSBE.

Grupi parlamentar i Rithemelimit nuk e njeh komisionin aktual të reformës zgjedhore.

Më herët, ata kanë kërkuar ndryshimin e përbërjes së komisionit, duke vendosur në krye Oerd Bylykbashin.

Kjo kërkesë është rrëzuar në parlament nga mazhoranca, e cila ka vendosur që për reformën zgjedhore të bashkëpunojë me grupin e Lulzim Bashës.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi i cili mbështet grupin e Berishës, e quajti mbledhjen e parashikuar për sot.

“Mbledhja e nesërme është akti i tretë i një strategjie që është diskutuar në mbledhjen e grupit të PS. Aktin e fundit e luan nesër përmes mbledhjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore me përfaqësues vetëm të vullnetit të mazhorancës. Komisioni i Reformës Zgjedhore është ngritur në Shkurt 2022 dhe nga ajo kohë është zhvilluar vetëm 1 ose 2 mbledhje, ekzaktësisht janë miratuar ato që tentohen të miratohen edhe nesër. Është miratuar nevoja për t’i çuar një kërkesë ODIHR për asistencë dhe ODIHR ka kthyer përgjigje në Korrik 2022 që është i gatshmë dhe pret t’i dërgoheshin pikat e kontaktit. Strategjia është që nuk do ketë Reformë Zgjedhore. Duke kuptuar këtë strategji, rreth 54 deputetë të opozitës kërkuan ndryshimin e përbërjes së komisionit. Ky propozim i joni u bllokua me votë nga grupi parlamentar i PS. Nesër do vazhdojnë teatrin e rifllimit të një pune për të vazhduar më pas në heshtje”, tha ai.

Bardhi tha se opozita nuk do ta lejojë këtë komision, pasi sipas saj nuk është bipartizan siç duhet të jetë, por vetëm i mazhorancës që imponon se cilët duhet të jenë anëtarët.

“Ne kemi shpallur betejën tonë për të mos lejuar funksionimin e Kuvendit sa kohë ne nuk na lejohet të ushtrojmë në normalitet detyrat tona”, tha Bardhi.