Më shumë se 2 100 fabrika, kompani telekomunikacioni apo që përpunojnë produkte, nga ky muaj kanë dalë në tregun e lirë të energjisë. Ndërmarrjet e lidhura në tensionin 20 kilovolt nuk do të furnizohen më nga Furnizuesi i Shërbimit Universal.
Kjo do të thotë se ata do të duhet të lidhin një kontratë shërbimi me një nga 34 kompanitë e licencuara nga Enti Rregullator i Energjisë, me çmime tashmë jo të rregulluara më nga shteti.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka lënë të hapur mundësinë për bizneset që në vend të privatit të mund të lidhin kontratë me Furnizuesin e Tregut të Lirë me çmime fikse.
Sipas listës me 2 104 subjekte të publikuara nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, pjesa më e madhe e bizneseve gjenden në Tiranë e Durrës, ndjekur nga Shkodra e Vlora.
Procesi i daljes në tregun e lirë për rreth 2 100 bizneset u realizua që në vitin 2022, por për shkak të çmimeve të larta në bursa si pasojë e krizës që përfshiu gjithë Europën, ata u përfshinë në një skemë nga qeveria, duke përfituar çmime më të lehtësuara se tregu.
Gjatë vitit 2023, këto biznese paguan mesatarisht 18,3 lekë për kilovat/orë, ndërsa për vitin e ardhshëm ende nuk ka një vlerë mesatare të përllogaritur për t’u paguar, pergatiti Tema.