Shqipëria pritet që të përfitojë rreth 1 miliardë Euro nga plani trevjeçar rajonal i BE-se prej 6 miliard Eurosh për rritjen ekonomike në varësi të progresit dhe avancimit të reformave sidomos atyre në funksionimin e shtetit ligjor.
Projektet e investimit do të përqëndrohen kryesisht në rrjetin hekurudhor sidomos ato që do të ndërlidhin Durrësin me Shkupin e Prishtinën, korridorin rrugor mesdhetar dhe korridorin e 8-të.
Pjesë e financimeve është edhe dixhitalizimi i rrjetit energjitik dhe lidhja e tij me atë evropian.
Ndërkaq aktualisht në kuadër të planit Ekonomik dhe të Investimeve me vlerë 3.2 miliardë Euro në Shqipëri do të financohen 3 projekte të rëndësishme: stacioni me panele diellorë lundrues në Vaun e Dejës; bypass-i i Tiranës, që lidh autostradën Tiranë – Durrës me atë Tiranë – Elbasan dhe linja hekurudhore Vorë – Hani i Hotit. Në total, janë 21 projekte kryesore në fushën e transportit, digjitale, klimës, energjisë dhe infrastrukturës që do të financohen nga EIP në rajon.
Një pjesë e fondeve të BE-së, që pritet t’i përfitojë Shqipëria, do të shkojnë për biznesin dhe përmirësimin e tij. Disburimet financiare çdo 6 muaj për projektet edhe në rastin e vendit tonë ndërlidhen me përmbushje në kohë të reformave për tu bërë pjesë e tregut të përbashkët të BE.
Me integrimin në tregun e brendshëm evropian, vlerësohet se vetëm nga ndryshimi i regjimit të transaksioneve financiare që bëjnë qytetarët shqiptarë që jetojnë në shtetet Evropiane, siç janë dërgesat e parave për familjet e tyre dhe për sipërmarrjet e tyre të vogla në Shqipëri, parashikohet që ata të mund të kursejnë mbi 20 milion Euro në vit.