Gabriel Attal, 34 vjeç, është kryeministri më i ri në historinë e Republikës së Pestë Franceze.
Ai u emërua dje nga Emmanuel Macron, i cili në moshën 39-vjeçare ishte presidenti më i ri.
I lindur në Clamart, në Hauts de Seine, në periferi të Parisit, Attal ka një CV mbresëlënëse pavarësisht moshës së tij të re dhe aktualisht është një nga politikanët më të njohur francezë me 40 për qind vlerësime pozitive.
Ministri aktual i Arsimit ishte Ministër me përgjegjësi për Llogaritë Publike midis majit 2022 dhe korrikut 2023, zëdhënës i qeverisë midis korrikut 2020 dhe majit 2022 dhe Sekretar i Shtetit për Arsimin midis tetorit 2018 dhe korrikut 2020.
Po ashtu ai ishte më parë zëdhënës i La République en Marche, partia e themeluar nga Emmanuel Macron në 2016. Kryeministri i ri, është partneri i Stephane Sejourne, presidenti aktual i Renew Europe dhe sekretari i përgjithshëm i Rilindjes.
Attal është një nga të paktët politikanë francezë që ka folur për homoseksualitetin e tij pa tabu dhe e ka pranuar publikisht.
Gjithmonë pranë Macron-it, të cilit e ndoqi të gjithë ngritjen në Elysee, kryeministri i ri e njeh mirë “deficitin” e shpirtit që vazhdon të persekutojë shumicën e qeverisë: “Duhet të flasim më shumë me zemër”, përsërit Gabriel Attal. “Por kjo nuk vlen për të, kur vjen puna tek Italia”, shkruan media italiane “Libero Quotidiano”.
“Linja e qeverisë italiane ndaj emigrantëve është e neveritshme. Është e papranueshme”, tha Attal në vitin 2018 kundër qeverisë së atëhershme, dhe veçanërisht kundër Matteo Salvinit , për vendimin e tij për të mbyllur portet për anijen me në bord më shumë se gjashtëqind emigrantë në pronësi të OJQ-së SOS Méditerranée.