MENU
klinika

Analiza

Pse në vendet ish-komuniste po rikthehet autokracia?

31.01.2024 - 11:15

Çfarë harroi perëndimi për demokracinë?

Demokracitë e kanë paraqitur veten gjithmonë si fener të përparimit njerëzor. Në vitin 431 Para Krishtit, shtetari i famshëm i Greqisë së lashtë Perikliu, deklaroi se demokracia e Athinës ishte “shkolla për të gjithë Greqinë”. Ndërkohë gjatë 2 shekujve të fundit, mbështetësit e demokracisë kudo në botë, e kanë matur suksesin apo dështimin e vendeve të tyre duke u krahasuar me modelet perëndimore: amerikane, britanike, franceze apo suedeze.

Por ky krahasim është më i vështirë të bëhet sot kur demokracitë e dikurshme po përballen me “demonët” e rinj dhe të vjetër. Sot, miliona njerëz në mbarë botën dëshirojnë të jenë të lirë nga sundimi autoritar. Por kur dëgjojnë gati çdo ditë se vendet më liberale janë të rrënuara nga inflacioni, grevat, nivelet e larta të krimit, dhuna e armëve të zjarrit dhe votuesit e keqinformuar që kujdesen pak për të vërtetën, shumë prej tyre dyshojnë nëse demokracia është alternativa më e mirë.

“Shumë nga njerëzit që njoh po heqin dorë nga demokracia”- më tha miku im i ri Vaibhav kur u takuam gjatë udhëtimit nëpër Xinjiang në Kinën Perëndimore verën e vitit të kaluar.

Ai punonte në një bankë ndërkombëtare në Hong Kong, dhe atje përjetoi protestat pro-demokracisë të viteve 2019-20, dhe më pas bllokimet e rrepta gjatë pandemisë së Covid-19.

Disa nga skeptikët ishin kolegët e Vaibhav nga vendet e Azisë Lindore dhe vendlindja e tij India. Duke u ndjerë të pafuqishëm përballë politikës, por duke dashur të bëjnë diçka të mirë në botë, ata po fokusohen tek ajo që e quajnë “zhvillim”:përmirësimi i njohurive teknologjike, depërtimi në tregje të reja dhe mposhtja e rivalëve të tyre për hir të vendit dhe kompanisë ku punojnë.

“Ata mendojnë që ne duhet t’u japim më shumë pushtet teknokratëve apo udhëheqësve që ofrojnë një vizion të qartë për vendin tonë”- thekson më tej ai. Dyshues të tjerë ndaj demokracisë liberale po joshen nga rezultatet e votimeve të diskutueshme popullore në Britani, SHBA dhe më gjerë.

Ata pyesin: Nëse demokracia nuk mund të prodhojë udhëheqës apo politika që kultivojnë besim në shkallë të gjerë, si mund të na ndihmojë ajo të përballemi me rivalitetet e rrezikshme globale, luftërat brutale, katastrofat e shkaktuara nga ndryshimet klimatike dhe teknologjitë dixhitale që mashtrojnë qytetarët dhe i ndajnë ata në kampe ndërluftuese?

Përhapja e pesimizmit në nivel global ndaj meritave superiore të demokracisë, mund të jetë shumë shqetësuese për njerëzit, mendësia politike e të cilëve u konfigurua gjatë Luftës së Ftohtë. Duke u rritur në Japoni gjatë viteve 1960-1970, mua më thuhej në shkollë se demokracia ishte padyshim lloji më i mirë i qeverisë i shpikur ndonjëherë, dhe që bëhej gjithnjë e më e mirë pas çdo dekade që kalonte.

Në atë kohe ajo ishte në një luftë për jetë a vdekje kundër regjimeve autoritare që kontrollonin shumicën e fqinjëve tanë në Azinë Lindore dhe deri në kufijtë perëndimorë

të Çekosllovakisë, Hungarisë dhe Polonisë. Por ndërsa ishte pothuajse e pamundur të parashikohej se si mund të ndryshonte gjendje, shenja të vogla rezistence e ushqenin shpresën.

Në vitin 1993, disa vite pasi në Evropë ra komunizmi i mbështetur nga sovjetikët, shkova të punoja në Varshavë. Edhe pse detyra ime ishte të mësoja filozofinë politike anglofone, unë isha më i interesuar të zbuloja se çfarë mendonin studentët e mi për ndryshimet që po përjetonin.

Demokratizimi nënkuptonte zëvendësimin e shtetit njëpartiak me një sistem përfaqësues pluralist, shumëpartiak; rishpërndarjen e pushtetit midis qyteteve të mëdha dhe fshatit; vendosjen e shtetit të së drejtës, lirinë e fjalës dhe medias, ndarjen e Kishës nga shteti.

Meqë kapitalizmi i lejon njerëzit të angazhohen lirshëm në tregti dhe industri për përfitime vetjake, ai e mbështet demokracinë si asnjë sistem tjetër ekonomik. Por gati asnjë nga ata që  takova në Poloni nuk besonte se një konkurrencë private e padisiplinuar mund të ishte e mirë për demokracinë.

Shumica mendonin mbi privatizimin, njëlloj si për Zotin: Le të përpiqemi të kemi besim se ai në fund do të shpërblejë punëtorët dhe të virtytshmit, edhe nëse nuk shohim asnjë provë për këtë. Ndërsa privatizimi i bëri ish-komunistët dhe emigrantët e huaj të pasur brenda natës, kolegët e mi punonin në disa punë për të paguar qiranë dhe faturat e tjera.

Popullatat e sapo-çliruara nga komunizmi kishin një tolerancë të ulët ndaj konkurrencës dhe pasigurisë që krijoi ajo, sepse pritja që qeveria të kontrollonte pabarazitë në rritje, ishte një zakon i keq paternalist i mbetur nga komunizmi.

Dhe një nga truket tipike të populizmit është ai i të fajësuarit për problemet fajtorët e rremë, zakonisht emigrantët. Fajësimi i njerëzve edhe më të pambrojtur u jep mbështetësve të shqetësuar një iluzion pushteti. Pak nga miqtë e mi polakë u befasuan kur në Evropën Qendrore dhe Lindore u shfaq një alternativë ndaj demokracisë liberale.

Lideri hungarez Viktor Orbán, e quajti atë “demokraci jo liberale”; analistët liberalë preferuan termin “populizëm”. Ai lulëzoi pas krizën financiare globale të vitit 2008. Më pas u përhap në perëndim ku gjeti një pritje të ngrohtë në SHBA, Britani, Francë, Holandë dhe vende të tjera anembanë botës.

Shpjegimi i lehtë për populizmin jo liberal në demokracitë liberale, është ta shohësh atë si një fenomen nga lart-poshtë, vepër e manipuluesve politikë tejet të suksesshëm, që e shtrembërojnë dhe nuk e pasqyrojnë realitetin. Por manipulimi i votuesve, është vetëm kapitulli i parë i një historie më komplekse që përmban pasiguri materiale dhe psikologjike të nxitura nga rregullimi i dobët dhe zgjerimi i hendekut social.

S’ka nevojë të jesh më një majtist i thekur për të folur mbi presionet e forta konkurruese të tregjeve të rregulluara dobët, dhe se si ato prodhuan një grup individësh super të pasur, që përmes pronësisë së medias dhe financimit të fushatave zgjedhore fituan një ndikim politik jo proporcional.

Në SHBA, vetëm familjet më të pasura u bënë më të pasura pas fillimit të Recesionit të Madh në vitin 2007. Për 2 shekuj e gjysmë, njerëz nga disa vende anglishtfolëse dhe Evropa Perëndimore i kanë treguar pjesës tjetër të botës se si të ndërtojnë një demokraci liberale.

Tani na duhen aktivistët në demokracitë e reja që të na tregojnë se si të mos e bëjmë këtë. Sepse ata kanë shpesh një kuptim më të qartë të avantazheve të mëdha të demokracisë, por edhe të pengesave që mund të lindin e dobësojnë edhe institucionet e konsoliduara, pabarazitë materiale, përplasjet midis hiper-progresivizmit dhe traditës, dhe hendeqet midis elitave në pushtet dhe pjesës tjetër.

Përpara se Athina të merrte formën e qeverisjes që themeluesit e saj e quajtën “demokratia” në vitin 507 para Krishtit, gabimi kryesor politik nuk ishte tirania kundër popullit; por të pasurit gjithnjë e më të pasur përkundrejt të varfërve të pambrojtur. Pronarët e pasur të tokave jepnin me qira pronat për të varfrit, të cilët e punonin për të jetuar.

Herë pas here, pronarët do të rrisnin qiratë e tyre. Nëse qiramarrësit nuk kishin mundësi të paguanin, të pasurit u ofronin atyre kredi me norma të larta interesi. Hendeku i pasurisë u zgjerua. Qiramarrësit vuanin dhe në fund falimentonin. Ligjet miqësore me plutokracinë e Athinës i lejuan kreditorët t’i shndërronin debitorët në skllevër, kjo derisa u revoltuan athinasit më të varfër.

Kur ata rrezuan plutokratët, kuptuan dy gjëra. Së pari, që shoqëritë shumë të pabarabarta janë më pak të qëndrueshme, produktive dhe humane sesa ato ku pabarazitë mbahen nën kontroll. Së dyti, nuk mund t’i besosh një klase apo partie të vetme që të bëjë kontrollin në një mënyrë që të duket e drejtë për të gjithë. Ndonjëherë është mirë të kthehemi tek bazat, tek rrënjët ende të shëndetshme të ideve dhe institucioneve, që janë dobësuar dhe bërë konfuze me kalimin e kohës.

 “Financial Times”