MENU
klinika

“Është dashur përballje me destabilitetin”

Pse po armatoset Kosova? Ja çfarë thonë ekspertët

13.01.2024 - 13:15

Zyrtarë dhe ekspertë të ndryshëm kanë ndarë mendimet e atyre rreth arsyes pse po armatoset Kosova. Rashit Qalaj, anëtar i Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, nga Partia opozitare Demokratike e Kosovës, vlerëson se Kosova është e detyruar të jetë më e përgatitur në aspektin e pajisjeve dhe armatimit pas sulmit në Banjskë dhe kërcënimeve të shpeshta nga Serbia për të ngritur gatishmërinë luftarake rreth kufijve me Kosovën. Mendim të ngjashëm ndajnë edhe ekspertët nga agjencia e inteligjencës së mbrojtjes, Janes, me seli në Croydon të Britanisë së Madhe.

“Serbia ka ndjekur një linjë militante kohët e fundit dhe posaçërisht Kosovës i është dashur të përballet me destabilitetin në veriun e dominuar nga serbët, për të cilin ata fajësojnë qeverinë serbe”, është shprehur Janes për Radio Evropa e Lirë. Ekspertët shtojnë gjithashtu se pushtimi i Ukrainës nga Rusia shihet si “paralajmërim i asaj se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen meqë Serbia qëndron krah Rusisë”.

Ndërkohë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 12 janar njoftoi se vendi “po hyn në një fazë të re dhe vendimtare të forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të shtetit”, që përfshin zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në përputhje me standardet e NATO-s. Më 11 janar, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, njoftoi Kongresin për shitjen e propozuar të armëve në Kosovë si pjesë e programit të SHBA-së për shitje ushtarake të huaja. Përmes këtij programi të ushtrisë amerikane, Qeveria amerikane dhe një qeveri e huaj mund të arrijnë marrëveshje ndërqeveritare për të ofruar ndihmë të sigurisë.

Ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e cilësoi lajmin për raketat Javelin “zhgënjim i madh, por shtoi se Serbia dhe SHBA-ja do të punojnë për ruajtjen e marrëdhënieve serbo-amerikane”. “Për ne është me rëndësi të madhe që paqja në rajon të mos prishet dhe se Serbia do të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi dhe të kontribuojë për stabilitetin në Ballkan”, tha ai. Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, është shprehur se Serbia nuk mund ta ndryshojë politikën e SHBA-së, por se mund ta forcojë aftësinë e vet mbrojtëse dhe se do të ketë një “përgjigje adekuate”.