MENU
klinika

Analiza

Rebelët e Huthit, Kina dhe rreziqet e tjera në Detin e Kuq

20.01.2024 - 08:12

Sulmet e rebelëve Huthi ndaj anijeve tregtare javët e fundit, e kanë bërë Detin e Kuq tejet të pasigurt për transportin ndërkombëtar të mallrave. Por veprimet e kësaj milicie radikale, përbëjnë në fakt vetëm disa nga shkeljet e shumta të rregullave detare në mbarë botën.

Kështu Kina i bezdis vazhdimisht anijet që kalojnë pranë ujërave të saj dhe ndërton ishuj artificialë, Irani shënjestron herë pas here anijet në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa aktorë të tjerë për momentin të panjohur, po e sabotojnë infrastrukturën detare.

Me pak fjalë, sot është në rrezik rendi global detar që e mbështet zhvillimin tonë. Dhe atë mund ta shpëtojnë vetëm qeveritë që i binden rregullave. “Ne. . . jemi të vendosur të vëmë para përgjegjësisë aktorët keqdashës për sekuestrimet dhe sulmet e paligjshme”- 14 vende, të udhëhequra nga SHBA, Britania e Madhe, Gjermania dhe Japonia, paralajmëruan më 3 janar Huthit pas sulmit të tyre të radhës.

Tensions spilling over from Gaza to Red Sea escalate - The Japan Times

Megjithëse anijet që u angazhuan në kuadër të operacionit “Prosperity Guardian” (Rojtari i zhvillimit) të udhëhequr nga SHBA iu shmangën varkave dhe dronëve të rebelëve Huthi që po shkonin drejt anijeve tregtare, prania e tyre mbeti shumë larg hakmarrjes së drejtpërdrejtë kundër këtyre të fundit.

“Dronët ajrorë dhe detarë të Huthi e kanë zhvendosur realisht ekuilibrin nga ata që zotërojnë flota të fuqishme”- shprehet admirali në pension David Manero, ish-atashe i mbrojtjes i SHBA-së në Rusi. Ndërkohë Freddy Furulund, drejtues ekzekutiv i kompanisë norvegjeze të sigurimeve për kompanitë e transportit detar, DNK, thotë: “Këto shtete dhe grupime synojnë të godasin dhe zgjerojnë ndikimin në një zonë ku ne jemi të cenueshëm. Është një qasje e zgjuar, por mbetet gjithsesi e paligjshme”.

Menjëherë pas paralajmërimit, udhëheqësi i Huthëve, Mohammed Ali Al-Houthi tha se çdo vend i përfshirë në operacionin “Prosperity Guardian” në Detin e Kuq shihte shumë shpejt shënjestrimin e anijeve të tij. Në këtë situatë nuk është e çuditshme që linjat detare po i devijojnë anijet e tyre nga zona.

Sipas Lloyd’s List Intelligence, në fund të dhjetorit, trafiku tregtar në Detin e Kuq ra me gati 20 për qind, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2022. Më 11 janar, SHBA dhe Britania e Madhe, të mbështetur nga 4 vende aleate, deklaruan se nuk mund të vazhdojë më shkelja e rregullave detare nga Huthi.

Fresh Strikes Against Yemen's Houthis After Iran Backed Rebels Warn Of More Attack Red Sea Shipping

Ata ndërmorën sulme ajrore kundër zonave të kontrolluara nga Huthi në Jemen. Por Huthi, të cilët SHBA-ja po i vendos sërish në listën e saj të organizatave terroriste, nuk janë të vetmit që i shkelin rregullat detare. Në vitet 2010, Kina ndërtoi ishuj artificialë prej betoni në ujërat e Detit të Kinës Jugore, që zyrtarisht i përkasin vendeve të tjera.

Kur një gjykatë ndërkombëtare u shpreh kundër Kinës, Pekini e injoroi vendimin e saj. Dhe gjatë dekadës së fundit, milicia detare e Kinës ka ngacmuar dhe provokuar shumë anije nga vende të tjera. Ndërkaq në brigjet e Filipineve, anijet kineze po përplasen me anijet filipinase të transportit dhe po përdorin topa uji kundër tyre.

Vitin e kaluar Kina dërgoi në Ngushticën e Tajvanit një flotilje për të inspektuar transportin, në të dy kahet, kineze dhe tajvaneze, të rrugës detare të njohur ndërkombëtarisht. Aktorë ende të paidentifikuar kanë hedhur në erë tubacionet e gazsjellësve “Nord Stream 1” dhe “Nord Stream 2”, si dhe kanë sabotuar dy kabllo nënujore dhe një tubacion tjetër në Detin Baltik. Përgjatë 3 viteve të fundit, Irani ka sulmuar mbi 20 anije tregtare në Ngushticën e Hormuzit.

Dhe që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, e ashtuquajtura ‘flotë e errët’ e anijeve tregtare që ka pronarë të panjohur dhe që i shmangin vazhdimisht rregulla e njohura detare, është rritur në rreth 1400 anije në mbarë botën. Nëse ato shkaktojnë aksidente, vendet dhe anijet e tjera janë të futura në një kurth.

“Sulmet e fundit në rrugët detare globale, përbëjnë një sulm tjetër ndaj të mirave të përbashkëtave globale të marra si të mirëqena, që janë në funksion të tregtisë ndërkombëtare”- tha së fundmi ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, britaniku George Robertson.

Nga ana tjetër po dështojnë përpjekjet e Perëndimit për të ruajtur rendin global detar aktual. Marina e SHBA-së ka kryer disa operacione për të garantuar lirinë e lundrimit në Detin e Kinës Jugore. Po ashtu ka dërguar një forcë të sajën në Ngushticën e Hormuzit, dhe ka mbledhur operacionin ushtarak ambicioz “Prosperity Guardian”.

Por asnjëra nga këto lëvizje nuk duket se po funksionon. Nëse aktivitetet detare mund të sulmohen në çdo kohë apo vend, është e sigurt se ekonomia globale do të futet në krizë. “Teknika dhe taktikat që përdorin rëndom rebelët Huthi, po shkaktojnë pasiguri me një kosto të leverdisshme”- thotë admirali Manero.

How tensions in Red Sea affect supply, prices | The Journal Record

Sulmet e udhëhequra nga SHBA në Jemen janë një shfaqje force, megjithatë ato nuk e kanë ndalur dot kaosin që po dominon në këtë zonë prej disa kohësh. Disa ditë pas sulmeve të para, Huthi sulmuan një anije tregtare në pronësi të SHBA-së, madje dhe një destrojer të marinës amerikane.

Është për të ardhur keq që shumë pak vende i janë bashkuar nismës “Prosperity Guardian” apo grupimit më të vogël të udhëhequr nga SHBA-ja në Detin e Kuq. Ruajtja e sigurisë së lëvizjes në oqeanet e botës, do të vazhdojë të varet kryesisht nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe. Vendet e tjera mund të ndihmojnë duke ofruar anije, personel dhe të dhëna të klasifikuara. Mendojeni këtë si ekuivalentin detar të një praktike të njohur në Perëndim, ku një grup njerëzish që jetojnë në të njëjtën zonë, duke dashur ta bëjnë lagjen e tyre më të sigurt, punojnë së bashku dhe në bashkëpunim me organet e zbatimit të ligjit vendas, për të reduktuar krimin dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së tyre.

“Wall Street Journal”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Si u shndërrua papritur në një “terren gjuetie”

“Lufta e Ftohtë 2.0” po vjen, nëndetëset superfuqive zbarkojnë në Mesdhe