MENU
klinika

Nga kostot financiare tek shtetësia e dyfishtë

Rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak, tre pengesat që e presin Serbinë

06.01.2024 - 12:59

Kthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak është paralajmëruar prej pesë vitesh në Serbi dhe vetëm së fundmi është bërë një hap konkret drejt tij, pasi Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Serbe ia propozoi presidentit të shtetit, Aleksandar Vuçiç. Sipas këtij propozimi, shërbimi ushtarak do të zgjaste deri në katër muaj, kohë gjatë së cilës rekrutët do të mund t’i nënshtroheshin vetëm trajnimit bazë të këmbësorisë. Analistët vlerësojnë se ka ende pengesa të shumta logjistike dhe ligjore që e presin vendin. Zoran Dragishiç profesor në Fakultetin e Sigurisë, tregon për “Blic” se ideja e kthimit të shërbimit ushtarak ekziston prej kohësh. “Para së gjithash, ka probleme logjistike, duhet të rregullohen ambientet dhe kazermat që do të strehojnë rekrutët. Gjithashtu, është e nevojshme të veçohen rekrutët nga ushtria profesionale dhe të caktohen oficerët që do të kryejnë trajnime”, vlerëson Dragishiç. Megjithatë, ka edhe shumë çështje komplekse ligjore të përfshira. “Së pari, sipas Kushtetutës, çdokush ka të drejtën e kundërshtimit të ndërgjegjes dhe të shërbimit ushtarak civil. Për hir të krahasimit, në vitin 2009 dhe 2010, para pezullimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, shumica dërrmuese e rekrutëve vendosën të shërbejnë në ushtri si civil”, kujton Dragishiç. Ai shton se një numër i madh i njerëzve në Serbi kanë shtetësi të dyfishtë, mbase shtetësi tjetër të një vendi ku ushtria nuk është e detyrueshme. Dragishiç beson se katër muaj është një periudhë shumë e shkurtër për shërbimin ushtarak, pasi rekrutët mund t’i nënshtrohen vetëm trajnimit bazë të këmbësorisë. Po ashtu, vendimi ka edhe kosto të larta financiare.