MENU
klinika

Paralajmëron BERZH

Rritja e niveleve të migracionit, do të thellojë krizën demografike

13.01.2024 - 10:53

Intervistë me znj. Ekaterina Solovova, kreu për Shqipërinë i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH)

Pas një ecurie të ngadalësuar në 2023, për shkak të mjedisit të jashtëm të pafavorshëm dhe konsumit të tkurrur nga inflacioni i lartë, rritja ekonomike pritet të përshpejtohet në 2024. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) pret që ekonomia shqiptare të rritet me 3.3% në vitin 2024, në përputhje me një përmirësim të pritshëm të perspektivës globale

Znj. Ekaterina Solovova, kreu për Shqipërinë i BERZH, thotë në një intervistë të posaçme për “Monitor”, se rritja e niveleve të migracionit të të rinjve, e kombinuar me plakjen e popullsisë, pritet të thellojë krizën demografike. Ajo shton se frenimi i emigracionit duhet të jetë një nga objektivat kryesorë të politikave ekonomike dhe sociale nëpërmjet tërheqjes së më shumë Investimeve të Huaja Direkte në sektorë prodhues dhe shërbimesh me punë më produktive dhe me pagë më të mirë.

Si e vlerësoni performancën e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2023? Si ishte ecuria në krahasim me parashikimin tuaj fillestar dhe pse?

Rritja ekonomike ka vazhduar në vitin 2023, por me një ritëm më të moderuar sesa zgjerimi i PBB-së prej 4.8% në vitin 2022, duke u mbështetur nga një sezon rekord turistik. Në tremujorin e parë, rritja ishte e moderuar prej 2.8% me bazë vjetore dhe më pas u përshpejtua në 3.2% në tremujorin e dytë dhe në 3.5% në tremujorin e tretë të vitit.

Ngadalësimi erdhi si rrjedhojë e kërkesës më të dobët të brendshme, si pasojë e inflacionit të lartë. Eksportet e mallrave u tkurrën me bazë vjetore në gjysmën e parë të vitit, si rrjedhojë e rritjes së ngadaltë të partnerëve kryesorë tregtarë të Shqipërisë dhe vlerësimit të fortë të monedhës. Leku u forcua për shkak të niveleve rekord të mbërritjeve turistike, së bashku me prurjet e forta të dërgesave të emigrantëve dhe Investimeve të Huaja Direkte.

Në përputhje me kërkesën më të ulët të brendshme dhe të jashtme, bujqësia dhe industria shënuan ecuri të dobët, ndërsa sektorët e shërbimeve si pasuritë e paluajtshme, ndërtimi, informacioni dhe teknologjia e komunikimit (TIK) dhe tregtia me pakicë kishin rritjen më të shpejtë në ekonomi. Eksportet e shërbimeve ishin të forta në vitin 2022, të ndikuara nga turizmi, i cili regjistroi ecurinë e tij më të mirë ndonjëherë për sa u përket mbërritjeve turistike dhe net-qëndrimeve. Sektori po shënon një tjetër ecuri të fortë këtë vit, teksa 11 muajt e parë të vitit tregojnë një rritje vjetore me 31% të mbërritjeve turistike.

Si e prisni përparimin e ekonomisë së vendit në vitin 2024? Cilët janë faktorët që do të ndikojnë në të pozitivisht dhe negativisht?

Rritja pritet të moderohet në afatin e shkurtër, për shkak të mjedisit të jashtëm të pafavorshëm. Ecuria ekonomike pritet të ngadalësohet në 2.5% në vitin 2023, për shkak të perspektivës së dobët të partnerëve kryesorë tregtarë të Shqipërisë, inflacionit vazhdimisht të lartë, që kufizon të ardhurat e disponueshme brenda dhe jashtë vendit, dhe politikat e shtrënguara monetare globale dhe vendase, të cilat ndikojnë negativisht në rritjen e kredisë.

Sidoqoftë, performanca e vazhdueshme e fortë e sektorit të mikpritjes është një faktor që pritet të ndikojë pozitivisht. Pritet që rritja ekonomike të përshpejtohet në vitin 2024 – ne e parashikojmë në nivelin e 3.3% – në përputhje me një përmirësim të pritshëm të perspektivës globale, duke e afruar ritmin me potencialin afatmesëm të ekonomisë.

Cilat janë rreziqet kryesore me të cilat mund të përballet Shqipëria në afat të mesëm dhe afat të gjatë, dhe sa e përgatitur është qeveria t’i përballojë ato?

Disa nga rreziqet janë të jashtme, si rritja e dobët dhe kërkesa e partnerit kryesor tregtar të Shqipërisë, Itali, drejt të cilit shkojnë më shumë se 40% e eksporteve shqiptare, duke pasur një efekt negativ në eksportet e mallrave. Rreziqet e brendshme burojnë nga diversifikimi dhe sofistikimi relativisht i ulët i ekonomisë, që është gjithnjë e më shumë e përqendruar në një model turizmi “dielli dhe plazh”. Aktivitetet ekonomike me vlerë të ulët të shtuar janë më të prekshme edhe ndaj një rritjeje relativisht të vogël të niveleve të pagave, ose kursit të këmbimit, ndërsa aktivitetet më të larta të vlerës së shtuar janë më elastike ndaj tronditjeve.

Diversifikimi i energjisë është gjithashtu i rëndësishëm, pasi Shqipëria varet shumë nga kushtet hidrologjike të paqëndrueshme, për shkak të varësisë së lartë nga hidrocentralet. Për fat të mirë, vendi ka burime të tjera të rinovueshme, përfshirë energjinë diellore dhe të erës dhe Shqipëria po bën përparim në sigurimin e kapacitetit të gjenerimit të energjisë nga këto burime, duke përfshirë ankandet publike. BERZH është aktiv në këtë fushë, si në ofrimin e ndihmës teknike për qeverinë dhe financimin privat dhe projektet e sektorit publik.

Një çështje tjetër e ngutshme me të cilën po përballet vendi është mungesa e forcës së punës, për shkak të emigrimit të lartë dhe rënies së popullsisë. Në sondazhet e bëra nga Këshilli i Investimeve (i cili mbështetet nga BERZH) dhe shoqata të ndryshme të tjera, bizneset vazhdojnë të raportojnë mungesat e stafit të kualifikuar lokal, si një nga pengesat më të mëdha për rritjen.

Emigrimi i fuqisë punëtore shqiptare është bërë një problem i rëndë për ekonominë dhe bizneset. Sipas mendimit tuaj, si po ndikon kjo në ekonomi dhe çfarë duhet të bëhet nga qeveria dhe aktorët e tjerë për të frenuar normat e emigrimit?

Shqipëria ka shkallën më të lartë të migracionit, në krahasim me popullsinë e saj, në Europën Qendrore dhe Lindore, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin. Po largohet kryesisht popullsia e re mashkullore dhe e arsimuar në moshë pune, duke zvogëluar forcën e punës në dispozicion në vend.

Remitancat (që kanë arritur afër 10% të PBB-së) u rritën me 16% vetëm në gjysmën e parë të vitit, duke siguruar një rrjedhë të qëndrueshme të të ardhurave për anëtarët e familjes në vend, por gjithashtu duke rritur nivelin e pagës për të cilin individët janë të gatshëm për të punuar (reservation wage). Në të kundërt, Shqipëria është ndër më të mirat për sa u përket treguesve të tregut të punës (aktiviteti më i lartë dhe punësimi) në Ballkanin Perëndimor.

Është shumë herët për të parë nëse ka pasur ndonjë ndikim të rritjes së fundit të pagave në migracion, por provat tregojnë se faktorët shoqërorë dhe mungesa e besimit në institucionet mbeten arsyet kryesore të nxitjes për dëshirën në rritje për të lënë vendin. Për më tepër, të diplomuarit, veçanërisht ata në fushën e mjekësisë, teknologjisë së informacionit (TIK) dhe inxhinierisë, vazhdojnë të largohen nga vendi çdo vit, dhe ekonomia tashmë po përballet me pasojat e rrjedhjes së trurit. Rritja e niveleve të migracionit të të rinjve, e kombinuar me plakjen e popullsisë, pritet të thellojë krizën demografike.

Frenimi i emigracionit duhet të jetë një nga objektivat kryesorë të politikave ekonomike dhe sociale, nëpërmjet tërheqjes së më shumë Investimeve të Huaja Direkte në sektorë prodhues dhe shërbimesh me punë më produktive dhe me pagë më të mirë, duke krijuar më shumë mundësi pune për gratë, të rinjtë dhe njerëzit me disavantazhe, si dhe të përmirësojë cilësinë e arsimit. Kjo e fundit bëhet edhe më e rëndësishme, pasi vendi po përballet gjithashtu me mospërputhje të aftësive, pasi sistemi arsimor nuk po siguron aftësitë e kërkuara në tregun e punës. Ky fenomen ka ndikim të dyfishtë: rrit normat e migracionit, dhe në të njëjtën kohë shton normat e pasivitetit të të rinjve, duke krijuar boshllëqe për mosshfrytëzimin e produktivitetit, çka ndikon në të ardhmen e tyre.

Ne si BERZH promovojmë dhe zbatojmë zhvillimin e aftësive të vazhdueshme si me klientët tanë të sektorit privat, ashtu edhe nëpërmjet nismave të politikave në nivelin kombëtar, siç është krijimi i këshillave të aftësive të sektorit (SSC – Sector Skills Council). Duke qenë se mospërputhjet e aftësive dhe hendeku midis kërkesave të punëdhënësve dhe kualifikimeve të punonjësve janë të pranishme në shumë vende, BERZH punon për të nxitur rolin e sektorit privat, për të ndikuar në politikat e tregut të punës, në mënyrë që të kapërcehet hendeku midis ofertës dhe kërkesës dhe të adresohen nevojat e aftësive në treg.

Ato janë gjithashtu një mjet themelor për të përmirësuar cilësinë e arsimit profesional dhe për të lehtësuar tranzicionin nga shkolla në punë, për të adresuar sfida të tilla si papunësia e të rinjve dhe pjesëmarrja e ulët e grave në tregjet e punës. Ndërsa procesi për krijimin dhe operacionalizimin e këshillave të tilla ndryshon nga sektori dhe vendi, të dhënat tregojnë për rolin jetësor që sektori privat mund dhe duhet të luajë në zhvillimin e aftësive dhe qeverisjen.

Prandaj, BERZH ka mbështetur organizmat e udhëhequra nga biznesi që promovojnë aftësitë e lidhura me tregun dhe politikat e kapitalit njerëzor në sektorë të veçantë, bazuar në nevojat e industrisë, si dhe ka mbështetur vendet ku këshillat e tilla drejtohen nga qeveria, duke siguruar përfaqësimin e sektorit privat në zhvillimin e aftësive, planifikimin dhe qeverisjen.

Ne kemi ndihmuar në krijimin dhe mbështetjen e disa SSC-ve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë në Jordani, Egjipt, Serbi, Turqi, Kazakistan dhe tani, në Shqipëri. Në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare për Edukim dhe Trajnim Profesional, ne po mbështesim punën e Këshillit të Aftësive të Sektorit të Turizmit. Kjo mbështetje vjen përveç asistencës teknike të synuar të ofruar vazhdimisht për klientët tanë privatë dhe shtetërorë, të tilla si hekurudhat shqiptare dhe OSHEE, në fushën e zhvillimit të aftësive dhe përfshirjes ekonomike.

​Prioriteti

Frenimi i emigracionit duhet të jetë një nga objektivat kryesorë të politikave ekonomike dhe sociale nëpërmjet tërheqjes së më shumë Investimeve të Huaja Direkte në sektorë prodhues dhe shërbimesh me punë më produktive dhe me pagë më të mirë, duke krijuar më shumë mundësi pune për gratë, të rinjtë dhe njerëzit me disavantazhe, si dhe të përmirësojë cilësinë të arsimit

Struktura e ekonomisë po ndryshon. Më shumë kapital po investohet në ndërtim, ndërkohë që industria po vuan nga rritja e kostove dhe zhvlerësimi i Euros. Ku e shihni ekonominë shqiptare në terma afatshkurtër dhe afatgjatë? Cilët janë sektorët më të spikatur për zhvillimin e ardhshëm të ekonomisë shqiptare dhe çfarë duhet bërë për t’i mbështetur dhe për t’i stimuluar ata?

Shqipëria me të vërtetë po ndryshon dhe kjo është një dukuri pozitive.

Burimet natyrore dhe energjia e rinovueshme janë asete shumë të rëndësishme të vendit dhe duhet të bëhen sektorë po aq të rëndësishëm të ekonomisë. Duhet t’i kushtohet vëmendje zhvillimit të tyre, por duke pasur në konsideratë qëndrueshmërinë mjedisore dhe ndikimin në sektorë të tjerë si turizmi. Ky i fundit ka dëshmuar të jetë një sektor në rritje me shumë potencial, që duhet të ecë më tej drejt një industrie të qëndrueshme gjatë gjithë vitit, i cili mund të ndërlidhet shumë mirë me bujqësinë në agrobiznese të suksesshme dhe kapacitete prodhuese vendase, që plotësojnë kërkesat e turistëve.

Ka disa faktorë të ndërlidhur dhe fusha ndërsektoriale ku duhet bërë më shumë për ta mundësuar këtë, si investimi në infrastrukturë dhe arsim më të mirë dhe më të qëndrueshëm, reduktimi i informalitetit dhe luftimi i korrupsionit, forcimi i sundimit të ligjit dhe përmirësimi i efikasitetit të administratës publike.

Ndërkohë, prodhimi me vlerë të shtuar të ulët në industrinë e lehtë dhe kontraktimi i shërbimeve bazë të biznesit po humbasin avantazhin e kostos së punës.

Ata ende punësojnë një numër të lartë popullsie dhe duhet të ketë stimuj për t’i shtyrë më lart në zinxhirin e vlerës drejt llojeve më të specializuara dhe me punë më pak intensive të prodhimit të produkteve dhe shërbimeve.

Duhet t’i kushtohet rëndësi forcimit dhe aftësimit të biznesit të vogël për t’u bërë kompani të mesme nëpërmjet formalizimit dhe rritjes së konkurrencës së tyre, në mënyrë që ata të mbijetojnë dhe të lulëzojnë në tregjet rajonale – që së shpejti do të bëhen një treg i vetëm i BE-së.

Shqipëria po humbet avantazhin kryesor konkurrues të kostos së ulët të punës, për shkak të rritjes së shpejtë të pagave. Cili duhet të jetë fokusi në të ardhmen për të tërhequr investime të huaja?

Kostoja e ulët e punës nuk është një avantazh i qëndrueshëm konkurrues. Ndërsa vendet zhvillohen, pagat rriten, por produktiviteti dhe sofistikimi i produkteve dhe shërbimeve të ofruara nga vendi gjithashtu rriten.

Më pas, pagat më të larta i lejojnë njerëzit të konsumojnë më shumë mallra dhe shërbime me cilësi më të mirë. Rritja e pagave dhe rritja e produktivitetit, megjithatë, duhet të shkojnë krah për krah për të shmangur ndryshimet drastike në strukturën ekonomike. Duhet të merren parasysh gjithashtu lëvizjet e kursit të këmbimit, pasi ato ndikojnë në konkurrencën e jashtme të vendit. Shqipëria duhet gjithashtu të largohet nga aktivitetet e përpunimit të jashtëm me vlerë të ulët të shtuar në industrinë e veshjeve dhe të ofrojë produkte dhe shërbime më komplekse dhe me vlerë të shtuar më të lartë.

Tërheqja e Investimeve të Huaja Direkte cilësore mund të ndihmojë në diversifikimin e ekonomisë së Shqipërisë, në rritjen e kompleksitetit ekonomik në sektorin e prodhimit, por edhe në shërbime (p.sh. turizëm, IT) siç ka ndodhur në Europën Qendrore Lindore dhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Si e vlerësoni ecurinë e projekteve tuaja në Shqipëri deri tani?

Në 2023 u shënua një tjetër vit me aktivitete shumë të forta për BERZH në Shqipëri. Për të dytin vit radhazi, ne kemi rritur ndjeshëm financimin e sektorit privat dhe kjo është e jashtëzakonshme për ne në Shqipëri. Ndër zhvillimet kryesore ishte mobilizimi i paketës së financimit të borxhit të konsiderueshëm për impiantin fotovoltaik diellor 140 MW të Voltalia-s në Karavasta.

Ky projekt është rezultat i drejtpërdrejtë i Programit të Energjisë së Rinovueshme të BERZH-it, që synon rritjen e investimeve të sektorit privat në kapacitetet e energjisë së rinovueshme nëpërmjet ankandeve publike transparente të dizajnuara me kujdes dhe do të veprojë si model për të tjerët në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Një tjetër arritje e rëndësishme ishte rezultati i shkëlqyer i ankandit të parë të energjisë së erës mbi tokë, i cili përfundoi në korrik me mbi 220 MW kapacitet të dhënë për tre ofertues ndërkombëtarë cilësorë me tarifa shumë konkurruese të energjisë.

Ky sukses është një ndryshim i lojës për Shqipërinë, një dëshmi e asaj që mund të arrihet me kornizën e duhur të politikave dhe një qeveri të përkushtuar për të përmbushur objektivat e saj për energjinë e rinovueshme.

Mbështetja jonë për sektorin energjetik të Shqipërisë nuk mbaroi me kaq dhe në 2023, ekipi ynë së bashku me KESH-in siguruan një grant investimi prej 9.25 milionë eurosh nga Mekanizimi i Financimit të Bashkimit Europian, WBIF, për ndërtimin e një parku diellor PV 50 MW në Belsh nga KESH.

Progres i dukshëm është arritur edhe në zbatimin e projekteve të rëndësishme të infrastrukturës publike të financuara nga BERZH, si rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë-Durrës, projekti i Lidhshmërisë së Rrugëve Rajonale dhe Lokale, Projekti për Infrastrukturën Shqiptare dhe Mundësimin e Turizmit etj.

Ne vazhduam mbështetjen tonë të fortë për sektorin financiar në vitin 2023 me mbi 80 milionë euro financim (përfshirë produkte për ndarjen e rrezikut, linja kredie të kombinuara me grante donatore dhe hua që mundësohen nga MREL) të ofruara për bankat në Shqipëri, për të mundësuar kreditimin për SME-të, duke përfshirë sektorë të tillë që janë pak të kredituar ose në rritje, si agrobiznesi dhe turizmi (nëpërmjet Entit tonë të Agrobiznesit dhe Turizmit në Shqipëri ose AATSF), si dhe për kategoritë e huamarrësve të nënfinancuar siç janë pronarët e rinj të bizneseve (nëpërmjet programit Rinia në Biznes).

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen për sa u përket projekteve dhe mbështetjeve për Shqipërinë? Cilët janë sektorët që shihni me më shumë potencial për të financuar në të ardhmen?

Pres që viti 2024 të jetë shumë i ngarkuar për ekipin tonë në Shqipëri me një sërë projektesh të rëndësishme që janë në proces. Shoh potencial në rritje në sektorin e energjisë së rinovueshme, si dhe në turizëm dhe tashmë po shqyrtojmë projekte specifike në të dy sektorët.

Në sektorin publik, presim me padurim lidhjen e marrëveshjeve financuese për rehabilitimin e projektit hekurudhor Vorë – Hani i Hotit, i cili do të bashkëfinancohet me BEI dhe BE nëpërmjet Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF).

Ne do të vazhdojmë të mbështesim sektorin hekurudhor si me asistencë teknike, ashtu edhe me investime. Si institucioni financiar ndërkombëtar lider në kuadër të WBIF, ne do të vazhdojmë të mbështesim aplikimet e Shqipërisë për financimin e granteve të BE-së të projekteve të pranueshme në sektorët strategjikë të ekonomisë.

Sektori i energjisë do të vijojë të jetë në fokus, si për asistencën teknike dhe investimet, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, si dhe në sektorin financiar sigurisht.

Dëshiroj të falënderoj partnerët tanë, klientët dhe homologët e qeverisë në Shqipëri për bashkëpunimin e shkëlqyer në 2023 dhe pres me padurim një vit tjetër produktiv përpara!/Monitor