MENU
klinika

Lavrov sulmon BE-në

Rusia “merr në mbrojtje” Serbinë për Asociacionin

20.01.2024 - 10:31

Rusia nuk humbet asnjë shans për të “marrë në mbrojtje” Serbinë, sidomos kur bëhet fjalë për Kosovën apo për të sulmuar Bashkimin Europian. “Obligimet ndaj Serbisë, veçanërisht në krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në veri të Kosovës, nuk janë përmbushur për më shumë se 10 vjet, dhe Bashkimi Evropian nuk mund të bëjë asgjë në këtë çështje”, tha dje ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov. Ai ka theksuar se BE-ja “duhet të turpërohet” për problemin e pazgjidhur në Kosovë, pavarësisht marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, raporton RIA. “Në vitin 2013 është arritur një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe. Kanë kaluar më shumë se dhjetë vjet, asgjë nuk ka ndryshuar. Ka pasur një ngërç në zbatimin e marrëveshjes që BE-ja e prezantoi si arritjen e saj më të madhe diplomatike. Zvarritet dhe BE-ja nuk mund të bëjë asgjë. E shohim se si po trajtohen serbët, nëse po flasim për problemin e Kosovës”, tha ai, transmeton Sputnik. Ai ka theksuar se BE-ja tani po i ndryshon marrëveshjet ekzistuese në favor të Prishtinës, në atë mënyrë që “serbët në veri të Kosovës të mos kenë asnjë të drejtë”. “Ato të drejta janë absolutisht artificiale, ndërsa pushteti i vërtetë mbetet tek shqiptarët”, tha diplomati dhe njëherazi njeriu i besuar i Vladimir Putin.Marrëveshja për formimin e një asociacioni që do t’i bashkonte dhjetë komuna që banohen me shumicë nga serbët në Kosovë, cilësohet si një ndër marrëveshjet më problematike në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.Qeveria e Kosovës është kundër një asociacioni njëetnik, ndërsa Serbia këmbëngul që të formohet dhe kërkon që të ketë kompetenca ekzekutive.